Epilogu

Buzhala: Diplomatë të huaj kanë treguar që Vjosa dhe Albini tashmë nuk pajtohen për shumë tema të rëndësishme

Që nga dje, takimi i presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti me sekretarin amerikan Antony Blinken, është komentuar shumë. Pala mbështetëse, pra VV, i përjetoi deri në delir fotografitë e Osmanit e Kurtit me Blinken. Ky takim është tema kryesore e emisionit “Ditari i Buzhalës”.

Autori i emisionit, gazetari Berat Buzhala, diskuton për euforinë e madhe që ngjalli vizita, duke theksuar se u tentua të krijohej një përshtypje se ky takim është më i rëndësishmi ndonjëherë i ndonjë lideri kosovar në Amerikë.

Buzhala deklaron se e vërteta është krejtësisht ndryshe. Liderët kosovarë, thekson Buzhala, priteshin në takime në Shtëpi të Bardhë.

“Për ata që janë mendjehapur dhe që duan t’i shohin faktet drejt, ia vlen të theksohet që liderët e Kosovës kanë qenë liderë të Ballkanit, në takime në Shpi të Bardhë. Me shku në Amerikë, si president a si kryeministër, edhe me u taku veç me sekretar të shtetit, konsiderohej njëfarë dështimi”, thotë autori i emisionit “Ditari i Buzhalës”.

Në episodin e XV, ngrihet edhe një pyetje jashtëzakonisht interesante. Pse në vizitën në Amerikë dhe në takimin me Blinken morën pjesë edhe presidentja Osmani, edhe kryeministri Kurti.

“Kur është hera e fundit që keni dëgjuar që një udhëheqës amerikan, në rastin tonë Sekretari i Shtetit, i fton këtu e në Amerikë, në një takim të përbashkët, edhe kryeministrin edhe presidentin e një vendi?”, ngre një dilemë Buzhala.

Për vizitën e dy krerëve më të lartë kosovarë në Amerikë, Buzhala jep disa sqarime. E ajo më e rëndësishmja, ose thënë ndryshe më intriguesja, është çarja mes Osmanit e Kurtit, për të cilën ka raportuar ditë më parë Nacionale.

“Diplomatë të huaj, në kushte anonimiteti, kanë treguar që Vjosa dhe Albini tashmë nuk pajtohen për shumë tema të rëndësishme, si dialogu, Manastiri i Deçanit etj., por frika e Vjosës, thonë këta diplomatë, është te fenomeni Agim Veliu. Vjosa ka gatishmëri më të madhe për dialog dhe marrëveshje, mirëpo ajo frikësohet nga ndonjë kundërreagim i Kurtit, sikurse e kishte bërë kundër Agim Veliut, në mënyrë që ta djegë politikisht edhe Vjosën”, thotë Buzhala.

Përgjatë emisionit, trajtohet edhe marrëdhënia mes Kurtit e SHBA-së, dhe mosbesimi, që, për shkak të së kaluarës, pala amerikane ka ndaj shefit të ekzekutivit.

Për shkak të marrëdhënies së dyfishtë të komplikuar, pra mes Kurtit e Amerikës dhe Kurtit e Osmanit, sipas Buzhalës, SHBA ka zgjedhur të flasë në treshe.

Ditari i Buzhalës është prodhim i gazetës Nacionale. Andaj, shikim të këndshëm!

Exit mobile version