Shkruan: Berat Buzhala
Ende pa u thâ mirë ngjyra e nënshkrimit të Besnik Bislimit në dokumentin e marrëveshjes në të cilin kompania shtetërore serbe autorizohej që të operonte në veri të Kosovës, zëdhënësi i LVV’së, Arlind Manxhuka, e nxori aletin dhe filloi të pshurrë në erë, me shpresën që do t’i stërpikë të gjithë ngapak.
Nuk e kishte gajle as Arlindi as Aktivisti, si institucion i shenjtë në Lëvizje, që këtë herë sasia më e madhe e lëngut po binte mbi fytyrat e tyre. Kishte ardhur momenti që e kishin pritur me ankth të madh, ku do të detyrohen të thoshin: Të gjithë jemi muta, por ju të tjerët më shumë se sa ne.
Ja çfarë shkruante Manxhuka në FB: “Këta të ‘Zajednicës’, këta të ‘dhuratës së Rankoviqit’, këta të 20 vjeçarit, këta, ky i gurthyesit në veri po ashtu (këtu e ka fjalën për mua), ai i ‘ridefinimit të kufirit me Serbinë’, gjithë këta të shqetësuar sot me veriun e vendit. Mos u shqetësoni do ta kthejmë rendin dhe Republikën e Kosovës edhe në atë pjesë. Si asnjëherë më parë andej po shtrihet autoriteti i Republikës së Kosovë. Pas 20 vitesh: pa referendum të Serbisë, pa zgjedhje, pa krim e kontrabandë e tash edhe me rrymë që paguhet edhe andej. Mos u shqetësoni!”
Çfarë po dërdëllit Manxhuka është kjo: Po e japim për momentin pak sovranitetin, për ta kthyer më vonë më shumë sovranitet. Po e rikthejmë Serbinë, që ta dëbojmë atë.
Qasje interesante.
Do të doja shumë ta shihja një strategji të tillë në futboll, ku trajneri e fton ekipin e tij ta pranojnë një gol, që më vonë t’i japin disa të tjerë.
Pjesa më interesante e statusit të Manxhukës është ajo që thotë “mos u shqetësoni”. Kjo thirrje, më shumë se sa për kundërshtarët, duket e drejtuar për aktivistët, sepse janë këta, ose pjesa naive e tyre, që mund të shqetësohen.
Albin Kurti dhe e gjithë shpura e tij nuk kanë respekt për institucionet që rrënjet i kanë në Kushtetutë. Institucioni i vetëm tek i cili ata nënshtrohen, ose kështu kanë gënjyer më vite të tëra, ka qënë ai i Aktivistit. Aktivisti, sipas propagandës zyrtare të LVV’së, ishte dhe është epitoma e dëlirësisë, është Organi Suprem i Lëvizjes, është Alfa dhe Omega. Asgjë nuk qëndron mbi Aktivistin, përvec Aktivistit të rënë dhe varrit të tij. Kjo pastaj është hyjnore. Para varrit të aktivistit pushon çdo gjë. I humbë kuptimi kohës dhe hapësirës.
Ata e kanë dhënë gjënë më të shtrenjtë, jetën, për ta avancuar një ide a një ideal. Në këtë frymë kishte lindur dhe ishte rritur edhe Lëvizja Vetëvendosje. Disa gjëra i kishte shpallur të shenjta, kurse ata që e japin jetën për gjëra të shënjta janë hiç më pak se sa shenjtorë.
Kështu, në shkurt të vitit 2007, kryeministri aktual, u kishte prirë masave popullore për ta ndaluar të keqen që po u kanosej. Rikthimit të Serbisë në vendin tonë, përmes Pakos së Ahtisaarit. Kur nuk kishin kaluar as 10 vjet prej luftës, kur traumat ende ishin të freskëta, një numër i madh i kishte besuar. Dy veta ishin vrarë. Dy varre ishin hapur. Tash ato nuk ishin vetëm varre, ishin vende të shenjta. Aty shkonte Aktivisti për t’u betuar. Aty shkonte edhe Lideri për t’u nënshtruar. Vetëm aty. Cdo gjë tjetër, përveç atyre dy varreve, ishte relative.
Nuk ka dyshim, çdo vrasje është e dhimbshme dhe tragjike, por më tragjike është abuzimi me to dhe keqpërdorimi i tyre për qëllime politike. Nuk është e panjohur si strategji. Historia është e mbushur me raste të tilla. Vrasja e Aktivistit është ushqim për revolucionin. Betimi mbi varret e tyre është gënjeshtra më e madhe e atyre që synim e kanë karrierën e tyre politike, e jo dërgimin në vend të amanetit të Aktivistit. Tek e fundit cilin amanet?
Nuk ishte ndaluar më kaq ky abuzim dhe kjo gënjeshtër. Sa më shumë aq më bindës. Ngjarja ne burgun e Lipjanit, siç do të thoshte një person para rreth 70 vitesh, ishte një dhuratë nga Zoti. Nuk është sekret. Kur Astrit Dehari ishte arrestuar, lideri i LVV’së, Kurti, nuk e kishte prishur rutinën e tij ditore. Nuk e kishte vizituar kurrë në burg, e madje as nuk kishte folur për të. Në momentin që ai kishte vdekur – gjasat janë reale që kishte vdekur si pasojë e vetëvrasjes – Kurti ishte hedhur në kundërsulm.
“E vranë Aktivistin”.
Edhe një varr më tepër. Edhe një vend i shenjtë për t’u betuar. Edhe një mundësi e mirë e Liderit për t’u nënshtruar. Varri është vendi ideal për t’u treguar modest. Varri dhe i vdekuri janë vendet ideale për Liderin për t’u treguar i vogël, për t’i dhënë përparësi atij që është nën këmbët e tij.
Të gjallët janë pengesë.
Të vdekurit janë mundësi.
Ne rregullisht dëgjojmë njerëz në rrugë, analistë në studio televizive, postime në rrjete sociale, që na e shohin për të madhe neve që nga Albin Kurti kërkojmë dyfish llogari, sepse sipas tyre, politike është kjo, e politikan është edhe Albini.
Albini nuk është politikan i zakonshëm, e as fitorja e tij në zgjedhjet e vitit 2021 nuk ishte e zakonshme. Pritjet për të ishin irracionale, sepse ai i ushqente ato. Manipulimi ishte aq i fuqishëm sa një pjesë e njerëzve filluan të besonin në aftësitë mbinatyrore të Kurtit. Për të flitej si për një profet. Njerëzit ishin në gjendje të vdisnin, e ndoshta të vdesin, për një fjalë të tij. Kundërshtarët e Albinit shahen dhe ofendohen në rrugë dhe në Internet. Njerëzit frikësohen t’i japin mendimet e tyre në mënyrë të lirshme dhe në mënyrë të hapur, për shkak të frymës së krijuar.
Kurse sot, kur kjo frymë e ka marrë trajtën e qeverisjes, kur profeti e ka marrë formën e kryeministrit, besimtarët kanë filluar ta braktisin Kishën. Ajo cfarë pamë dhe çfarë lexuam dje, marrëveshja me Serbinë për energjinë, sipas standardeve të tyre, ishte blasfemi. Ishte përdhosje e gjakut të derdhur. Ishte sakrilegj.
Albini, Bislimi, Manxhuka…, e çdokush tjetër ka të drejtë kur thotë që edhe “Hashimi, Isa, Ramushi… bën kështu”. Po, dhe bënë mirë. Mirëpo, mos na tregoni ne, shkoni te varri i Monit, Arbenit e Astritit. Bindni ata që ajo çfarë po bëni është gjëja e duhur, sepse kanë ikur prej kësaj bote pa e ditur.