Nga: Sali Bytyqi
Disa pyetje njeriut që 24 vjet pas themelimit të LDK-së hyri në LDK, e cila automatikisht e kandidoi për deputet dhe i cili, pasi nuk mori aq vota sa për t’u bërë deputet, volli tërë vrerin ndaj “zyrtarëve të lartë” të LDK-së, që ia paskan vjedhur votat!!!
Sa herë që të teket, i bie dikujt, fort! Nuk e kursesh fare! Pamëshirshëm!
Njëherë e një kohë u bije kokës të gjithë atyre që nuk e donin Jugosllavinë, se ishe gardian i rreptë i vëllazërim-bashkimit, i ideologjisë marksiste-leniniste burimore jugosllave, i integritetit të Jugosllavisë (kupto: Serbisë), dhe pushove vetëm atëherë kur më nuk kishe çka të mbroje, sepse këto ranë.
Tmerrësisht i majtë, kur më s’kishte të majtë, u bëre gardian i të djathtës; tani, pothuaj të njëjtët njerëz që i godisje nga pikëpamjet e së majtës, i godet nga pikëpamja e së djathtës! Nuk e kursen asnjë!
Por vjen një moment kur njeriu e bën një pyetje, me zë të lartë: Kush je ti, Bajrush Morina?!
*
Bajrush Morina, si 18-vjeçar, në vitin e stuhishëm 1981, në kohën kur shokët e tu të klasës u përjashtuan e u burgosën, ti e nise karrierën me një aksion të rinisë për ndërtimin e Jugosllavisë, në Serbi!!! Paramendoje vitin 1981, vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në krejt Kosovën, ty të ra ndërmend se duhet ndërtuar Serbia!!! Kur njerëzit vriteshin nëpër demonstrata, kur mbusheshin burgjet me të rinj e të reja kosovare, ti u nise drejt Serbisë në aksionin vullnetar për ndërtimin e saj!!! Pastaj, i le shokët tu të gjimnazit dhe i kërkove ku ishin e ku nuk ishin njerëzit më të ulët të pushtetit, ata që mbanin një TT në brez, dhe u shoqërove me ta, edhe pse s’kishin as katër vjet shkollë fillore dhe, përveç së armës, nuk dinin gjuhë tjetër; i kërkove edhe malazezët e Vrakës jo për t’u miqësuar si njeriu me njeri, por sepse punonin në organet e inteligjencës serbe; hyre në Lidhjen e Komunistëve, kur Lidhja e Komunistëve dhe UDB-ja, ishin dy anë të kundërta të të njëjtës medalje – dy krijueset e politikës antishqiptare dhe fillove ngjitjen, e pandalur, në politikën e viteve ’80! Me qindra shkrime i botove kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, i cili po i rrezikonte themelet e shtetit tënd të shenjtë, Jugosllavisë Socialiste (kupto: Serbisë). Në kohën kur binin nga skena figurat më të larta, edhe bartësit e përkujtimores së vitit 1941, si Fadil Hoxha, Bajrush, ti e vazhdoi ngjitjen; kur u vra Nesimi Elshani me 4 të tjerë në protestën popullore që i printe Ukshin Hoti, (1989) ti Bajrush Morina ishe anëtar i Komitetit Qendror të Serbisë!
Si u ngjite, Bajrush Morina, nga një maturant në vitin 1981, në fund të viteve ’90 në Komitetin Qendror të Serbisë?! Si arrite të ngjiteshe gjithnjë përpjetë kur binin edhe partizanët e dyzetenjëshit?! Si arrite të ngjiteshe gjithnjë e më lart në politikën antishqiptare që ushtronte shovinizmi serb në Kosovë, në kohën kur, në njërën anë, po mbusheshin burgjet me të rinj shqiptarë e, në tjetrën, në këtë politikë po mbeteshin vetëm ata udhëheqës që i kishin gratë serbe (Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Rrahman Morina etj.), ose sllave, boshnjake (Azem Vllasi), ose ata që i kishin nënat serbe (Remzi Kolgeci), e ti nuk kishe as gruan as nënën serbe?!!! Pasi nuk kishe serbe as gruan as nënën, në këtë kohë që binin nga skena politike të gjithë ata që nuk i kishin serbe as gruan as nënën dhe pothuaj i vetmi ti qëndrove, pra çfarë kishe serbe ti në këtë kohë, që të mbante gjithnjë në ngjitje në strukturat politike të kësaj kohe?! Më thuaj çka kishe serbe Bajrush Morina, kur edhe Azem Vllasi, njëri ndër ndyrësirat politike të asaj kohe, u burgos, sepse kishte gruan boshnjake, e ti vazhdoje të qëndroje lart?! Çfarë të mbante ty?! Në bririn e cilës dhi fshihej qëndresa jote e papërkulshme (nuk përkulesh as sot), nëse jo në shërbimin inteligjent serb – UDB?! E ke bërë një moshë, pra i ke kaluar të pesëdhjetat, është koha të tregosh tani?!
24 vjet prite për të hyrë në LDK, ndërsa neve që e themeluam Degën e LDK-së në rrethin tonë (Rahovec), kur erdhe prej Beogradit, ende pa u bërë gjashtë muaj, na u drejtove me ironi “Hë, ku e keni shtetin, të cilin keni premtuar se do ta bëni”?! Atëbotë nuk të pëlqente LDK-ja e Rugovës (më vonë as ajo e Sejdiut) dhe prite derisa ta marrë udhëheqjen e kësaj partie një bashkëpunëtor i Rrahman Morinës, kushëririt tënd të dashur?!
Ku ishe deri më tani, kush të mbajti kaq gjatë?!
I ardhur nga Beogradi, pasi më nuk kishte Lidhje të Komunistëve, si i kalove vitet e pushtimit serb, ’90? Gjithnjë në gazeta, tani u bëre i djathtë dhe vazhdove t’iu bije, sa të mundje, të gjithë atyre që iu ke rënë përgjatë viteve ’80! Vetëm epitetet ua ndërroje dhe gjithnjë kishe të drejtë /prishtinapress/