Hashim Thaçi dha dorëheqjen të enjten e kaluar nga posti i presidentit të Kosovës, pas padisë së tij në gjykatën e Hagës për krime lufte në fund të viteve 1990. Aleati i tij i ngushtë, Kadri Veseli, ish-shefi i inteligjencës i guerilasve të Kosovës, njoftoi gjithashtu të enjten konfirmimin e padisë së tij nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) në Hagë.
Kur u pyet se si reagoi ajo ndaj lajmit për arrestimin e ish-Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe transferimin e tij në Tribunalin Special të Hagës për Krimet në Kosovë, znj. Carla del Ponte, ish-Prokurore e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, iu përgjigj gazetës shqiptare në Zvicër “Le Canton27.ch” se “ky është një lajm shumë i mirë nga pikëpamja e drejtësisë për viktimat. Sepse siç e kam thënë gjithmonë, nuk do të ketë paqe në ish-Jugosllavi ose në Kosovë pa arrestimin e atyre të implikuar në krime lufte. Z. Thaçi aktualisht është para Gjykatës së Drejtësisë, sepse kishte një numër të dhënash dhe provash kundër tij. Është e drejtë që një gjykatë të merret me të. Unë mendoj se Z. Thaçi bëri mirë që dha dorëheqjen si president për imazhin e Kosovës. Fatkeqësisht koha ka kaluar, ka një vonesë në drejtësi dhe kjo mund të funksionojë në favor të autorëve të krimit. Në të vërtetë, provat mund të zhduken … si dëshmitarët. “
Zonja Del Ponte kësaj i shtoi: “Unë për herë të fundit u takova me Z. Thaçi në 10 vjetorin e Konferencës së Dejtonit. Unë i thashë atij se do të hetonim në terren tashmë. Ai m’u përgjigj se UÇK-ja nuk kishte bërë kurrë një krim dhe ishin serbët ata që kishin marrë uniformat e UCK-së!“
Në mediat ndërkombëtare, raportet përmendën se Thaçi ishte i përfshirë në trafikimin e organeve, megjithatë në padinë e ish-presidentit të Kosovës dhe tre të akuzuarve të tjerë për krimet, të cilët aktualisht janë në Hagë, ky trafik nuk përmendet.
Në lidhje me këtë pyetje Znj. Del Ponte u përgjigj se “realisht me të vërtetë e çuditshme, sepse ky trafik organesh përmendet nga Prokurori Amerikan John Clint Williamson, i konfirmuar më parë nga Z. Dick Marty. Sa më përket mua, unë kurrë nuk e kam akuzuar z. Thaçi për trafik organesh.