Epilogu

Çeku: Pritëm 4-5 orë, Tahir Zemaj nuk na priti në takim edhe pse e dinte gjendjen e Skënder Çekut

“E vërteta për luftën në Loxhë” (7). “Tahir Zemaj nuk na priti në takim në Prapaqan, edhe pse e dinte se Skënder Çeku ishte i plagosur. Në Isniq disa persona të armatosur na penguan të hyjmë në fshat. Na thanë t’i dorëzojmë armët sepse nuk donin luftë. Por, ne nuk pranuam”, ka thënë ish-ushtari i UÇK-së, Fatos Çeku.

“Epoka e re”

Ish-ushtari i UÇK-së, Fatos Çeku, në pjesën e dytë të rrëfimit të tij, ka thënë se Skënder Çeku i ka dhënë vulë luftës në Loxhë. Ai ka treguar se rreth 90 për qind të armatimit që e kishin sjellë nga Shqipëria, Skënderi e kishte shpërndarë te fshatarët e Loxhës dhe nëpër fshatra të tjera, si në Dubovë të Pejës, Novosellë etj. Ai ka thënë se Skënder Çeku nuk ka pasur qëllim të luftohej vetëm në Loxhë. “Skenda ishte i interesuar që lufta çlirimtare të shtrihej edhe në fshatrat e tjera përreth Loxhës. Kështu që, një pjesë të armatimit e kemi çuar në Dubovë, në shtëpinë e Adnan Sapihiut-‘Hansit’, kurse një pjesë tjetër në shtëpinë e Smajl Elezajt”, ka deklaruar Çeku.

Çeku ka treguar edhe për një iniciativë tjetër të Skënder Çekut. “Meqenëse në Loxhë dhe në fshatrat e tjera rrezikohej buka e gojës, ka qenë iniciativë e Skënder Çekut të korrim grurë. E kemi marrë kombajnën e Sali Morinës dhe grurin e parë e kemi fshirë në tokën e serbit, Paviqit. Pasi deri në Malishevë ishte krijuar një territor i lirë, e kemi çuar grurin për ta bluar, pastaj miellin ua kemi shpërndarë fshatarëve”, ka deklaruar Çeku. Ai ka treguar se ka qenë e pamundur të kalojë një ditë për pa e marrë Skënder Çeku me ushtarë të paktën një aksion kundër forcave serbe. “Aksionet i bënin kryesisht në rrugën Pejë – Deçan”, ka thënë Çeku, duke shtuar se Skënder Çekut i ishin bashkuar edhe disa djem të tjerë të Qyshkut të Pejës.

I njohur për trimëri, por edhe si strateg i mirë i luftës, Skënder Çeku bashkë  me disa ushtarë të tjerë, në mes të 6 – 15 korrikut 1998, merr pjesë në luftime edhe në disa fshatra të tjera të Dukagjinit, si në Voksh, Beleg etj. “Në Voksh dhe Beleg kemi shkuar për t’u dalë në ndihmë ushtarëve të tjerë të UÇK-së. Unë isha civil, pasi e kisha pastruar uniformën e UÇK-së. Kur më pa Skenda civil, ia nisi të më bërtasë. ‘Ku e ke uniformën?’, – më pyeti. Kur i tregova se e kam pastruar dhe se ende nuk më është terur, më tha: ‘Vishe ashtu të lagur. Nëse vritesh duhet të jesh në uniformën e UÇK-së”, kujton Çeku.

Beteja e 15 korrikut 1998

Forcat serbe, të inatosura që në dy betejat e mëhershme në Loxhë, në atë të 6 dhe 11 korrikut, kishin pësuar humbje nga ushtarët e UÇK-së, më 15 korrik do të ndërmerrnin një ofensivë të rreptë, të ndihmuar kësaj radhe edhe nga helikopterë ushtarakë. Fatos Çeku ende i ka të freskëta kujtimet nga kjo betejë. “Ishin orët e para të 15 korrikut, kur forcat serbe kanë filluar sulmin në Loxhë. Skenda ka dalë i pari në vijë të frontit. Ai ka arritur të godasë njërin helikopter. Pas pak kemi dalë edhe ne ushtarët e tjerë. Forcat serbe kanë granatuar edhe nga Suka e Biteshit, nga Podi i Gështenjave, nga Bellopoja dhe një helikopter tjetër ka sulmuar nga Fabrika e Sheqerit në Pejë. Forcat serbe kanë përdorur edhe tanke e topa. Pasi e kanë futur në rrethim Loxhën, nuk kanë lënë vend për pa granatuar. Pasi Skenda e ka vërejtur se ushtarët e UÇK-së nuk mund t’i bënin ballë këtij sulmi, i ka marrë ushtarët e rinj nëpër pika dhe i ka futur nëpër istikame. Në një istikam më ka futur edhe mua, kurse vetë me disa ushtarë me më përvojë ka luftuar. Në istikam kam qëndruar deri në orë të vona, duke menduar se edhe pesë pikat e tjera në Loxhë janë duke rezistuar. Por, kur forcat serbe janë afruar afër istikamit tonë, jemi tërhequr, duke kuptuar se edhe pikat e tjera kishin rënë. Më kujtohet se Sami Çeku më ka ndihmuar të tërhiqem, me të cilin kemi marrë udhë për në Kryshec”, ka thënë ai. Çeku ka treguar se Skënder Çekun dhe Gani Elezajn, të cilët ishin plagosur gjatë luftimeve në Loxhë, i kishte takuar në spitalin e UÇK-së në Krushec. “Skenda ishte i plagosur rëndë por, pavarësisht plagëve, ai na jepte moral. Në një moment ai më tha: ‘Lufta duhet të vazhdojë edhe pa mua. Shkoni në Radavc, Novosellë dhe fshatra të tjera. Bashkohuni me ushtarë të tjerë të UÇK-së, se do të vij edhe unë’”, ka treguar Çeku. Por, pasi në Krushevë nuk kishte mjek, urolog, Skënder Çekun disa ushtarë të UÇK-së do ta dërgonin në një spital tjetër, në Semetishtë të Therandës.

Fatos Çeku kujton se së bashku me Besim Çekun, vëllanë e gjeneralit Agim Çeku dhe dy ushtarë të tjerë ishin ndalur në hyrje të Isniqit nga disa fshatarë të armatosur. “Na dolën me ne prit. Na thanë t’i dorëzojmë armët. Po ashtu, na thanë se nuk donin luftë. Por, ne nuk pranuam t’i dorëzojmë armët. U kthyem në Dubovik, në shtëpinë e Shefqet Shalës. Aty kemi fjetur një natë, kurse pas disa ditësh dëgjuam se në Isniq në mënyrë të organizuar i kishin dorëzuar armët”, ka thënë Çeku.

Çeku ka thënë se nga Duboviku kanë shkuar në Prapaqan për t’i kërkuar ndihmë Tahir Zemajt për Skënder Çekun. “Në Prapaqan pritëm 4-5 orë, por Tahir Zemaj nuk na priti në takim, edhe pse e dinte gjendjen e Skënder Çekut”, ka thënë ai. Të zhgënjyer me sjelljet e Zemajt, Fatosi, Besimi dhe dy ushtarë të tjerë do të merrnin rrugë në drejtim të fshatit Radavc të Pejës. “Një natë kemi fjetur në Rusuja, pastaj kemi shkuar në Trestenik, në shtëpinë e Ramizit (mbiemri nuk i kujtohet), ku edhe e kemi marrë lajmin për vdekjen e Skendës. Fatkeqësisht, Skenda kishte ndërruar jetë pas operimit”, ka treguar Çeku.

Edhe pas vdekjes së  Skënder Çekut nga plagët e marra në Loxhë, Fatos Çeku nuk do të ndalej për asnjë moment deri në çlirimin e Kosovës. Ai nga Tresteniku do të kalonte në Radavc dhe nga aty në Rugovë, ku do ta niste organizimin e luftës çlirimtare. “Për asnjë moment nuk jam larguar nga Kosova. Kam bërë përpjekje me gjithë shpirt ta çoj në vend amanetin e Skënder Çekut”, e përmbyll rrëfimin e tij, Fatos Çeku.

Exit mobile version