Çfarë thoshte presidenti Rugova më 1994 rreth idesë së ndarjes së Kosovës?
Adnan Merovci, bashkëpunëtori i ngushtë i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka nxjerrë në pah detaje të rëndësishme lidhur me çështjen e ndarjen e Kosovës, pasi që së fundi, ishte përfolur shumë me një deklaratë të vitit 1994 e lëshuar nga Rugova rreth një ideje për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Merovci ka shkoqitur një pjesë nga një intervistë e realizuar më 19 qershor 1994, përcjell “Bota sot”.
I pyetur për ndarjen e Kosovës, përgjigja e presidentit Rugova ishte se ky ishte një projekt serb që për qëllim kishte thyerjen e identitet e Kosovës dhe duke cenuar në këtë rast integritetin e saj territorial.
“Ky projekt, të cilin serbët e nxjerrin në tryezë herë pas herë, është vetëm një prej mjeteve të shumta për të arritur të njëjtin qëllim: për të thyer identitetin e Kosovës, por duke e cenuar në këtë rast integritetin e saj territorial”, ishte përgjigja e Rugovës.
Ja postimi i plotë i Merovcit:
Përgjigja e Presidentit RUGOVA për ndarjen e Kosovës para një çerek shekulli!
PYETJE: Ç’është puna me planin për ndarjen e Kosovës për të cilin po flitet dhe që është paraqitur si një perspektivë e zgjedhjes me negociata?
RUGOVA: Ky projekt, të cilin serbët e nxjerrin në tryezë herë pas herë, është vetëm një prej mjeteve të shumta për të arritur të njëjtin qëllim: për të thyer identitetin e Kosovës, por duke e cenuar në këtë rast integritetin e saj territorial. Ka qenë nxjerr nga Vuk DRASHKOVIQI, pastaj rimarrë nga Dobrica QOSIQI. Konsiston në ndarjen e Kosovës, që është më e pasura dhe përfshinë minierat e Trepçës. Ky projekt ka qenë dorëzuar zyrtarisht në Gjenevë nga Svetozar STOJANOVIQ, këshilltar i z. QOSIQ, i cili ishte kryetar i kësaj të ashtuquejture Jugosllavi. Kam qenë i informuar, por Sajrus VENS dhe Lordi OVEN nuk e kanë pranuar.
Intervistë e zhvilluar më 19 qershor 1994 në Krans Montana të Zvicrës për librin: “LA QUESTION DU KOSOVO” të autorëve francez: Marie-FRANÇOISE ALLAIN dhe Xavier GALMICHE