CIA: Udhëheqja e UÇK-së nuk është përfshirë në operacione të drogës, s’ka kryer aktivitete terroriste
Dokumentari i punuar nga Albanian Post dhe emisioni Opinion ka zbuluar se si Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka mbajtur dokumente të fshehta ndaj trupit gjykues, të cilat përbëjnë prova shfajësuese ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Prokuroria e ka për detyrë që në një rast hetimor të grumbullojë të gjitha provat, qofshin ato fajësuese për të akuzuarit, apo shfajësuese, por është treguar selektive në paraqitjen e tyre para gjykatës.
Një nga dokumentet që ishte mbajtur fshehur nga gjykata ishte edhe një raport i CIA-s amerikane, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile.
Në një pjesë të raportit katërfaqësh thuhet se “udhëheqja e UÇK-së nuk duket të jetë përfshirë në operacione të drogës për të mbështetur aktivitetet e saj gjatë luftës…”
Gjithashtu, në një pjesë tjetër, pohohet në raportin e CIA-s se “UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në aktivitete terroriste – të përcaktuara si dhunë e paramenduar, e motivuar politikisht, e ushtruar kundër caqeve civile”.
Fshehja e provave shfajësuese konsiderohet me pasoja të rënda dhe shkelje e të drejtave të njeriut, ndërsa mbrojtja ka kërkuar në procesin e shpalosjes së materialeve dhe dëshmive të instalohet një mbikëqyrje e pavarur.
Sipas avokatit kosovar, Artan Qerkini, i cili flet në dokumentarin “Devijimi Special”, nëse Prokuroria ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk bëhet fjalë për gjykim të drejtë.
“Prokuroria në fazën e hetimeve vepron si organ shtetëror dhe mbrojtja nuk i ka ato mjete në dispozicion që i ka prokuroria. Për këtë arsye është parashikuar me ligj që prokuroria të mbledhë edhe prova shfajësuese, sepse aty ku ka qasje prokuroria nuk ka qasje mbrojtja. Dhe nëse prokuroria nuk e ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk mund të flasim për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, shprehet ai.