Epilogu

“Cilët janë “Pashtriku”, “Korbi”, “Majori”. Analistët bashkëpunëtorë të shërbimit sekret serb”

Bedri Islami

Ka qenë e pritshme që informacionet e mbledhura nga struktura të posaçme të shtetit serb, të ngritura që në qershor 1999, për të mbledhur, përpunuar dhe rindërtuar ngjarje të luftës dhe të pasluftës, do të rrjedhin edhe në mediat shqiptare, e nuk është po ashtu befasi që, më shumë se në mediat shqiptare të Kosovës, do të ishin të pranishme në mediat e Shqipërisë londineze.

Pas demonstrimeve të marsit të vitit 2004 kur qytetarët u nxitën nga mbytja në lumin Ibër të dy fëmijëve, e jo vetëm nga kjo, shërbimi inteligjent serb ngriti një strukturë të veçantë, me përfshirjen e akademikëve, historianëve, prokurorëve, ish bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë, në Shqipëri e jashtë saj, gjeologë, politikanë, qëllimi i të cilës ishte pikërisht grumbullimi dhe shpërndarja e materialeve që synonin përdhosjen e vlerave të luftës çlirimtare në Kosovë, rrënimin e së vërtetës, krijimin e psikozës së viktimizimit serb, ndarjes së shqiptarëve në klane armike e deri në çmitizimin e familjes Jashari, si simbol i qëndresës.

Rrëfimi i kryeprokurorit serb në Beograd se ata qëndrojnë pas ngritjes së akuzës ndaj zotit Thaçi, Veseli dhe të tjerë, ashtu si kishin qëndruar edhe pas akuzave ndaj Haradinaj, Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tyre, dëshmia e tij se ata kishin përgatitur raportin e Dick Martyt, njeriut që bëri publike akuzat e prokurorisë serbe, e po ashtu, ushqimi me materiale të përgatitura me kujdes për Carla del Ponten, ish kryeprokuroren e Zvicrës që, pasi dështoi të provonte akuzat e saj, hodhi në qarkullim librin e njohur plot trillime, nuk i kanë mbushur në mend mediat e këtushme se e gjithë kjo nuk është asgjë tjetër veçse një valë e re e agresionit medial serb, që bëhet edhe më i besuar kur vjen përmes njerëzve të saj në Shqipëri, qofshin politikanë, ish njerëz të politikës, apo edhe më tej, ish bashkëpunëtorë të shërbimit sekret serb, si Pashtriku,”Korbi”, “Majori”, analistë që e kanë më lehtë ta gjejnë krimin në Prishtinë se sa në Beograd, ku mllefet politike e bëjnë gjithçka edhe më të shëmtuar.

Nuk është rastësi që në akuzat e përgatitura mund të ketë edhe “dëshmi” të këtyre analistëve, njerëzve të politikës, të ish bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret serb, apo edhe më tej se kaq, të “të pavarurve”, që pasi ishin deputetë të PDK-së dhe njerëz që shikonin duart e Thapit, tani marrin flamurin e atdhedashurisë.

Se sa të vërteta ka në akuzat e ngritura, këtë nuk e di askush, as analistët në Tiranë, e as njerëzit e politikës, e përtej atyre, as ish bashkëpunëtorët e shërbimit inteligjent serb.

Ka një zell të jashtëzakonshëm që vrasjet të kenë autorësi shqiptare, sidomos nga ish njerëzit e luftës; ka rendje pas çdo emri të vrarë për të gjetur një doras shqiptar, ka ndërtim rrethanash që duan domosdo të implikojnë doras politikë, ashtu si ka edhe ngritje akuzash edhe përtej Prokurorit Special. Sikur të jenë në thellësinë e dosjeve serbe, ose, pasi kanë marrë të dhënat nga padronët e tyre, duan domosdo të bëjnë të besuar për organin e akuzës aty dhe atë version ku vetë kryeprokurori serb ka dështuar.

Në Kosovë ka pasur vetëm një strukturë të armatosur, UÇK-ja. Nuk ka pasur asnjë tjetër dhe nuk ka mundur të jetë. Tentimi për të dyzuar luftën, për të copëtuar atë, për ta ndalur tek pragu i shtëpisë, kanë qenë tentime të shërbimit inteligjent serb, të cilat nuk kishin jetëgjatësi, pasi, ndryshe nga sa ishte menduar, lufta mori përmasa shumë më të mëdha se sa vetë shteti serb kishte menduar. Nuk ka ekzistuar FARK në Kosovë dhe as që mund të flitet për moralin e një force ushtarake që rrinte në kazermat e uniformuar dhe që vetëm pas luftës, e armatosur, deshi të hynte në Kosovë për të ndjellë atë çka kishin dëshiruar që në qershorin e vitit 1998.

Unë e kuptoj zellin e një ish politikani, më duket se ka qenë i Legalitetit, Ekrem Spahiu, që kërkonte të barazojë vlerën dhe antivlerën, pasi nga radhët e Fark-ut, pikërisht nga ata që dezertuan nga lufta dhe braktisën banorët e Dukagjinit, duke menduar se do e mposhtin UÇK-në dhe Ramush Haradinajn kishte ai si falangë në grushtshtetin e vitit 1998, që do të ishte fundi i luftës në Kosovë dhe mbetja e saj përjetësisht nën pushtetin serb. E kuptoj pse ai e merr për të saktë një të dhënë që më pas vet ai e ka hedhur poshtë, për 800 të vrarë pas luftës në Kosovë, pasi e sheh ngjarjen nga politika që synoi të shembë shtetin e tij në 14 shtator 1998, dhe nuk e di ende se me urdhër të kujt doli në RTSH dhe deklaroi rrëzimin e shtetit, por nuk i kuptoj analistët medialë që, ndërsa numërojnë të vrarët gjatë luftës e pas luftës, drejtues apo përkrahës të LDK-së, nuk thonë asnjë fjalë për të vrarët e tjerë, disa herë më të shumtë, që ishin drejtues apo pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Çdo vrasje është rreptësisht e dënueshme, askush nuk ka të drejtë të marrë jetë njerëzore. Kushdo që e ka bërë këtë duhet të ndëshkohet.

Mirëpo, pas çdo vrasje ka një motiv dhe një pyetje: kush përfiton prej saj?

Kujt i ka interesuar vrasja e disa militantëve të LDK-së, që kishin filluar të shfaqeshin të rebeluar ndaj një politike me të cilën nuk pajtoheshin?

Kujt i ka interesuar vrasja e Ahmet Krasniqit pikërisht në kohën kur ai ishte afruar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe, ndërsa në muajin qershor 1988 kishte dhënë mbi 3 milionë euro për logjistikën e UÇK-së, dy apo tri ditë pas vrasjes kishte planifikuar të bënte bashkërisht me një anëtar të Shtabit të Përgjithshëm likuidimin e logjistikës që po vinte nga një vend tjetër, dhe ku shuma ishte shumë më e madhe? Pse nuk u desh ky afrim i Krasniqit me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së?

I kthehem përsëri shënimit analitik të ish politikanit Spahiu që mëton se ka pasur plane për vrasjen e zotit Rugova. Edhe analistë të tjerë në Shqipëri, herë pas here, ngutshëm dhe këmbëngulës kanë hedhur në tregun medial një hipotezë të tillë, të cilën, shumë më herët se këto, e hodhi shërbimi inteligjent serb dhe supozimi i një shërbimi francez.

LDK-ja, për ata që nuk e dinë, ka pasur shërbimin e saj inteligjent, të fuqishëm, të sofistikuar, shpesh herë me drejtues njerëz të lidhur me shërbimin inteligjent serb, si ishte drejtuesi i parë i saj, Mehmet Loci, shërbim që është quajtur “Sigurimi i Atdheut”, i cili kishte të gjitha njësimet me një detashment të armatosur. Të uniformuar, në një ngjyrë të zezë dhe të armatosur, ata dolën edhe në varrimin e një drejtuesi të tyre. Ky shërbim që në kohë të ndryshme ka pasur drejtues të ndryshëm, gjatë gjithë luftës ngriti struktura për të gjetur, grumbulluar, njësuar dhe analizuar “krimet” e UÇK-së dhe në asnjë rast të armatës serbe.

Pas luftës vetë LDK-ja ka pasur disa herë në duart e saj të gjitha strukturat e shërbimit policor, të hetimit, prokurorisë, ka pasur të dhëna jo vetëm nga “Sigurimi i Atdheut”, por edhe nga njerëz të kishin depërtuar në strukturat ndërkombëtare të hetimit dhe, në asnjë rast nuk ka pasur të afruara të dhëna konkrete.

Ose nuk ka mundur t’i zbulojë, ose nuk ka dashur t’i zbulojë. Rrugë tjetër nuk ka.

Le ta zëmë për një çast se do të realizohet dëshira e analistëve shqiptarë, ish politikanë, ish bashkëpunëtorëve të shërbimit inteligjent të Kosovës dhe një numër figurash të njohura të shqiptarëve të Kosovës do të përballen me akuzat e ngritura. Askush nuk e di se sa të bazuara janë akuzat e ngritura. Të njëjtë analistë, politikanë dhe ish bashkëpunëtorë të shërbimit inteligjent serb ishin entuziazmuar kur u ngritën akuzat e para ndaj Haradinajt dhe u dëshpëruan kur ai doli i pafajshëm. U entuziazmuan kur u ngritën akuzat kundër Limajt dhe shokëve të tij dhe u dëshpëruan kur ata dolën të pafajshëm.

Edhe nëse akuzat do të gjykohen, por edhe nëse ndodh ajo që nuk e besoj kurrë se mund të ndodhë, gjykimi dhe dënimi i disa liderëve të luftës, asgjë, as mllefi politik, as dëshpërimi social, as gëzimi fatkeq, as mjegulla që duan të përhapin, nuk e heq dot faktin se Kosova është e me vetishme, në të drejtën e saj dhe se, fakti që i qëndron të gjitha akuzave, për çdo 178 shqiptarë të vrarë apo të zhdukur është një serb apo etni tjetër i supozuar si u zhdukur apo i vrarë.

Ngazëllimi se mund të arrestohen, burgosen dhe dënohen disa liderë të luftës çlirimtare në Kosovë nuk i amniston dot e nuk i bën burra të mirë ata që dje desh i futën thikën Kosovës në orën më të rëndë të saj.

Exit mobile version