Epilogu

Cili ishte amaneti i fundit i Gjergj Fishtës…

Hylli i Dritës u themelua në vitin 1913 nga atë Gjergj Fishta bashkë me françeskanët e tjerë. Në gjithë ekzistencën e vet, Hylli i Dritës njohu peripeci të pafunda. Botimi i tij u ndalua disa herë për arsye të ndryshme, kryesisht politike, por vlerat që tejçoheshin prej tij në shoqëri nuk harroheshin asnjëherë.

Krijimtaria e forcave shkencore, që u lidhën me këtë qendër studimesh, e nxiti Fishtën të mendonte për të nisur punën për të krijuar një organ shkencor. Ai e realizoi këtë ide pak vjet pas Kongresit të Manastirit dhe një vit pas Shpalljes së Pavarësisë. Fishta, revistën Hylli i Dritës” arriti ta bëjë shpejt, jo vetëm publikuese të krijimeve të bashkëpunëtorëve të saj, por edhe një polemizuese të fuqishme për mbrojtjen e idealit kombëtar.

Ai, për ta mbajtur në këmbë këtë revistë, pati shumë shqetësime. U sulmua shpesh nga forca të ndryshme, të brendshme dhe të jashtme, që nuk mund të duronin tendencën e saj për t’i paraqitur gjërat ashtu siç ishin.

Amaneti i themeluesit të tij, në çastet e vdekjes ishte: “Hylli të jetojë!”

Nën zë lexoheshin poezitë e atë Vinçenc Prennushit kur errësira komuniste nuk e linte Hyllin e Dritës të ndrinte i lirë. Pranë vatrave lexoheshin “Prrallat Kombtare” të cilat, para se të botoheshin së bashku në një libër, qenë shkruar te Hylli. Ithtarët e Fishtës me mburrje lexonin letrën e tij drejtuar Hilë Mosit, kur ky i fundit e kishte kundërshtuar në disa pika. Por cili ishte kontributi i drejtpërdrejtë që Hylli i dha Shqipërisë?

Hylli i Dritës ishte i ndarë në disa nënkategori, ku dy më kryesoret, njëlloj si motoja e françeskanëve, ishin Fe dhe Atdhe. Përpos kësaj, aty botoheshin studime historike, gjuhësore e letrare. Rëndësi shumë të madhe patën botimet folklorike, ku përfshihen “Kanuni i Lekë Dukagjinit” mbledhur prej atë Shtjefën Gjeçovit dhe “Prralla Kombtare” mbledhur nga atë Donat Kurti.

Periudhat e botimit të Hyllit janë disa. E para i përket viteve 1913-1914, kur Hylli filloi të njihej mbarëkombëtarisht. Gjatë këtij viti u diskutua aftësia e shqiptarëve për t’u vetëqeverisur.

Këto shkrime, të cilat cenonin autoritetin e Fuqive të Mëdha, për të cilat atë Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcis” shkruan “O Evropë, ti kurvë e motit/Që i re mohit besës t’Zotit”, i shtynë ato që me anë të një politike intrigante ta mbyllnin atë, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga fuqia e penës së atë Gjergjit, pasi ky i fundit shkroi “Nji komedi e pandershme e shekullit XX” duke shigjetuar Fuqitë e Mëdha.

Periudha e dytë i takon viteve 1921-1924, në të cilën u trajtuan apekte kulturore, politike, arsimore e kombëtare. Kjo periudhë cilësohej nga Hylli si periudha më demokratike e historisë së shtetit të ri shqiptar, por gjithçka mbaroi në dhjetorin e vitit 1924, kur pasi u përmbys regjimi i Ahmet Zogut nga lëvizja e Fan Nolit, Zogu u kthye sërish në pushtet. Kështu françeskanët e ndërprenë botimin e Hyllit, duke pritur një moment më të favorshëm.

Periudha e tretë i takon viteve 1930-1944, e cila mund të cilësohet si periudha më e ndritur e Hyllit të Dritës. Gjatë kësaj periudhe, Hylli u vlerësua me çmime kombëtare e ndërkombëtare, ndërkohë që temat e lëvruara sa vinin e zgjeroheshin.

Autorët e studimeve nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, ku veçohen Norbert Jokl, Georg Stadtmüller e të tjerë. Ndër botuesit shqiptarë u dallua atë Anton Harapi, i cili shkroi në vitin 1944 një analizë tepër të mprehtë mbi çështjen shqiptare.

Por gjithë kjo histori e lavdishme kulture e shkence u ndërpre me ardhjen e komunizmit. Në vitin 1944 u ndalua çdo aktivitet privat dhe u sekuestrua çdo shtypshkronjë në rang kombëtar. Kështu edhe botimi i Hyllit të Dritës reshti përkohësisht duke shënuar “Të premten më të zezë”, pas së cilës “E Diela më e bardhë e pashkës” do të vinte në vitin 1993, kur me insistimin e atë Zef Pllumit do të niste rishtazi botimi i Hyllit të Dritës.

Hera e fundit kur botimi u ndërpre ishte viti 1997, kur, për arsye politike, Shqipëria kaloi në anarki.

Në vitin 2013, me rastin e 100-vjetorit të botimit të “Hylli i Dritës”, drejtori i asaj kohe, Ardian Ndreca, thoshte se “Hylli bën përpjekje që të ecë me kohën, t’u përgjigjet sfidave me gjuhën e shkencës, duke prekur fushat si gjuhësia, albanologjia, historia e të tjera.”

Kështu “Hylli i Dritës” ka dhënë, po jep dhe ka për të dhënë edhe në të ardhmen kontributin e patjetërsueshëm në krijimin e një identiteti shqiptar në çdo fushë.

Sot “Hylli” kërkohet nga studentët për të përgatitur tema studimi dhe nga punonjësit shkencorë për të studiuar probleme të veçanta të profilit të tyre. Amaneti i Fishtës: “Hylli të jetojë” u bë realitet.

Exit mobile version