cRadomir Poçuça, rreth 49-vjeçar nga qyteti Vërshac i Serbisë, i njohur si person fillimisht ndërmjet botës së medias në Serbi, pastaj regjimit, e më vonë edhe krimit, është parë para dy ditësh në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, ai ka qenë i shoqëruar nga një spiun i BIA-s dhe një person tjetër me emrin Igor Kallamar, duke qarkulluar nëpër rrugët e veriut me automjetin Fiat ngjyrë të zezë dhe me targa BG 401-RC.
Ky i fundit ka qenë pjesë e ekipit negociator serb, kur është diskutuar në Bruksel çështja e formimit të bashkësisë së komunave serbe mes Prishtinës dhe Beogradit.
Nuk dihet saktë motivi i prezencës së tij në veri.
Redaksia posedon foton ku shihen personat dhe automjeti në fjalë, por për shkak të sigurisë së burimit, ajo nuk botohet, sepse e tërë zona prej nga është shkrepur fotoja vëzhgohet nga kamerat e sigurisë.
Burimet më tej kanë shtuar se Poçuça para vitit 2009 ishte stërvitur me forcat speciale ruse të njohura si “spetsnaz”.
Ai në vitin 2014 ka marrë pjesë gjatë luftës për Krimenë në Ukrainë si vullnetar në anën e forcave ruse, ku ka udhëhequr me njësitin e vullnetarëve serbë të quajtur “Srpski husari”.
Poçuça njihet si person i rrezikshëm dhe me pikëpamje të forta shoveniste, ndërsa për shkak të veprimtarisë së tij të dyshimtë, ishte arratisur disa herë nga Serbia, duke i ikur kështu organeve të drejtësisë.
Pasi kishte mbaruar luftën për Krimenë, Poçuça gjatë një deklarate për media kishte thënë se, “aspak nuk pendohem që kam braktisur vendin tim për të luftuar për tokën e shenjtë Rusinë. Edhe rusët kanë luftuar gjithmonë për ne. Sikur ta kem rastin, sërish do të veproja njëjtë. Viktimat janë gjë normale, nganjëherë edhe të domosdoshme”.