Ish-komandanti i NATO-s gjatë bombardimeve të forcave serbe në luftën e viteve 1998-1999, Wesley Clark thotë se për 20 vjet ka progres në Kosovë.
Në një intervistë për tëvë1, ai potencon se gjatë kësaj periudhe është bërë një përparim i madh në politikë ku zgjedhjet mbahen të lira e vendi ka qeveri demokratike.
Madje, Clark thotë se ka përmirësim edhe në fushën e edukimit, duke përmendur kështu numrin e madh të studentëve kosovarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në anën tjetër ka pasur lëvizje pozitive edhe në edukim. Ka shumë të rinj nga Kosova që vijnë për të studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e më pastaj kthehen për të kontribuar në vendin e tyre. Ky me të vërtetë është një përparim”, tha ai.
Po ashtu, ish-komandanti përgëzoi Kosovën edhe për investimet që janë bërë në infrastrukturë rrugore, veçanërisht në “Rrugën e Kombit” me Shqipërinë.
“Disa javë më parë isha në Shqipëri, edhe unë po kaloja nga autostrada që të çon për në Kosovë. U mahnita, kishte drita gjithandej. Ka ndryshuar shumëçka në këtë vend, me të vërtetë shoh progres, shoh shumë njerëz të lumtur. Kjo më bën të ndjehem mirë”, shtoi ai.