fbpx
Lajme

Përgjigje videos propagandistike 1: Skandalet e LVV-së me punësime

Lëvizja Vetëvendosje gënjeu publikisht në video-propagandën e saj të publikuar në Facebook, ku lavdërohet se nuk ka punësime partiake apo familjare nëpër institucione të ndryshme të Kosovës, prej kur ata kanë ardhur në pushtet, më 14 shkurt të 2021-s.

Për këtë fenomen të ‘rehatimeve’ të militantëve apo familjarëve të pushtetarëve nëpër ministri e borde, mediat kanë raportuar në vazhdimësi, ku me theks të veçantë janë spikatur njerëz të lidhur me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.

Paparaci iu sjell disa prej punësimet partiake dhe familjare që kanë bërën bujë përgjatë muajve të fundit:

Vitin e kaluar, Paparaci kishte raportuar ekskluzivisht për skandalin e konkursit të KEK-ut, i cili u përcoll me punësime familjare dhe partiake.

Hulumtimi i Paparacit kishte zbuluar se 120 të punësuarit nga 128 sa janë pranuar gjithsej, në Korporatën Energjetike të Kosovës, janë të afërt me partinë në pushtet: Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërkaq, 40 për tyre patën deklaruar haptazi se kanë familjarë të punësuar në këtë institucion.

Këto punësime të muajit prill të 2022-s patën lënë në hije të gjitha punësimet me shkelje ligjore në 20 vitet e fundit.

Sidoqoftë, për shkak të shkeljeve ligjore dhe të konfliktit të interesit ai konkurs ishte anuluar, kurse Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur hetimet.

Paparaci po ashtu kishte raportuar për avancimin e Fadile Dylës në ministrinë e Arsimit, që udhëhiqet nga ministrja Arbërie Nagavci.

Ndërkohë, tash së fundmi përmes një konkursi goxha të dyshimtë ajo u emërua sekretare në ministrinë e Arsimit. Dyla është mbesa e deputetit të LVV-së Jahja Kokaj.

Këtu nuk mbarojnë punësimet. Më vonë, edhe Shkurte Aliu, e cila është motra e deputetit të LVV-së, Luan Aliu ishte emëruar anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

As vëllai i deputetit të LVV-së, Fitim Uka nuk kishte mbetur keq. Sami Uka ishte emëruar më parë në pozitën e këshilltarit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, para se ky i fundit të jepte dorëheqje nga kjo pozitë.

Nepotizmin e kishte prekur edhe Haxhi Avdylin e Listës ‘Guxo’. Kjo për shkak se djali i axhës së tij, Emrush Avdyli, ishte rehatuar në ministrinë e Shëndetësisë.

Lëvizja Vetëvendosje e cila sa ishte në opozitë nuk linte fjalë pa përdorur ndaj ish-pushtetarëve për punësimet me dallavere në ndërmarrjet publike, tashmë po e bën vet një gjë të tillë.

Fehim Kelmendi, i cili është njeriu i afër me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ishte zgjedhur drejtor në Telekomin e Kosovës.

Zëvendësi i Kurtit nuk e kishte lënë keq as nipin e tij. Gëzim Tosuni u shpërblye me pozitën e anëtarit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

Pushteti mendoi edhe për Dafina Gexha Bunjakun, e cila pasi është bashkëshortja e funksionarit të LVV-së, Fatbardh Bunjaku u emërua zv/ministre në Ministrinë e Shëndetësisë

Lëvizja Vetëvendosje kishte menduar edhe për ‘kapjen’ e Postës. Aty e çuan Rafer Jasharin, i cili është i lidhur me këtë subjekt politik.

As këto punësime nepotiste nuk mjaftuan dhe nuk ishin të bollshme për Lëvizjen Vetëvendosje.

Muajin e kaluar, Faruk Mujka, ish-nënkryetar i komunës së Mitrovicës dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, u zgjodh Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.

Ai për një kohë, ka qenë edhe kryetar i degës së LVV-së në Mitrovicë dhe nënkryetar i Komunës.

LVV-ja e kishte “nënshkruar dokumentin aplikues” për ta bërë Mujkën pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit”.

Sidoqoftë, ai ishte tërhequr nga kjo garë, duke e arsyetuar këtë me “rritjen e VV-së dhe nevojën për krijimin e hapësirave për forcat e reja që po i bashkëngjiten partisë”.

Mes tjerash, edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci ishte implikuar për punësime brenda dikasterit të tij.

Ai në emisionin “Context” në ATV kishte folur edhe për punësimin e vajzës së tezes së presidentes Vjosa Osmani, dhe motrën e Xhelal Sveçlës.

Për vajzën e tezës së presidentes ai ka thënë se e ka sjellë vet në ministri, derisa për motrën e Sveçlës ka deklaruar se ajo punon që nga viti 2005.

“Po bre unë e kam pru, ka ardhë transfer pesë muaj vajza e tezës së presidentes. Ndërsa, për motrën e Xhelal Sveçlës unë jam interesuar dhe ka dal po që kjo zoja punon aty që nga viti  2005, në ndërkohë ka dal që edhe njëra prej motrave të tjera po punojka në një projekt të Bankës Botërore por që nuk është staf i ministrisë e as nuk e kemi rekrutuar ne. Mua më vjen keq që kthehet ky debat”, ka thënë Peci.

“Vajza e tezës së presidentes ka ardhë transfer pesë muaj, dhe unë e kam pru për shkak se e kam njoft si juriste të zonja”.

Pra, këto ishin disa prej punësimeve të shumta që u kryen falë pushtetit të LVV-së.

Ky subjekt politik e filloi vitin 2023 me një video-linçim, ku mes tjerash, krenohet për ‘mos-punësime familjare dhe partiake’.

Megjithatë, faktet flasin ndryshe për dallim të propagandës së kësaj partie.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close