Simboli i Rezistencës Kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi kishte kundërshtuar ashpër dhunën e ushtruar nga LVV! në protestat e tyre.
Ai në një intervistë për RTV21 kishte treguar për mosmarrëveshjet e tij me Lëvizjen e Albin Kurtit.
Adem Demaçi e ka kundërshtuar politikën të cilën është duke e ndjekur Lëvizja “Vetëvendosje”. Ai ka vlerësuar se protestat e kësaj lëvizjeje nuk përkojnë me ato paqësore!
“Kjo çfarë kemi parë na dëmton edhe si shtet. Veprimet që po bën ‘Vetëvendosja’ nuk përkojnë me demonstratat paqësore. Personalisht nuk pajtohem me kurrfarë dhune dhe jam kundër dhunës”, ka thënë Demaçi për RTV21.
Për protestën e 14 janarit, përgjegjësinë ai ia ka adresuar Lëvizjes, që sipas tij “ka zgjedhur rrugë jodemokratike për t’i zgjidhur problemet”.
“Fajtori kryesor në këtë mes është ‘Vetëvendosje’, e cila, për mendimin tim, ka hyrë në një bungajë pa kurrfarë nevoje”, ka thënë Demaçi, duke theksuar se është kundër protestave të paralajmëruara më 22 janar.
I pyetur nëse kanë kërkuar ndonjëherë anëtarët e “Vetëvendosjes” këshilla, Demaçi ka thënë se po ta pyesnin për ndonjë gjë, ky subjekt do t’i kishte punët më mirë.
“Ata mendojnë se aq sa dinë vetë, tjetërkush nuk dinë më shumë. Këtu është gabimi i tyre i madh. Prandaj, po ecin nga gabimi në gabim”.
Ai ka shtuar se “Vetëvendosje” nuk e ka shumë lehtë për ta rrëzuar Thaçin nga posti i kryeministrit.
“Hashimin nuk e kanë lehtë për ta shkarkuar ashtu si po mendon ‘Vetëvendosja’. Ma gjeni mua një lider që do ta zëvendësonte Hashimin?”, ka thënë Demaçi, sipas të cilit Thaçi është elastik dhe “di t’i përgjigjet çdo situate.