Asnjë zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e varrimit të veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçi. Ndërkohë derisa trupi i pa jetë i Demaçit po varrosej, një anëtar i LDK-së, në një reagim të tij nuk kishte ngurruar që ta quante ‘monstrum’ të ndjerin. Por kjo nuk është hera e parë që dikush nga partia të cilën e themeloi Ibrahim Rugova e ofendon rëndë Demaçin. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, djali i vëllait të kolonel Tahir Zemajt, e kishte bërë të njëjtën gjë në vitin 2014.
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili pothuajse gjysmën e jetës së tij e kishte kaluar në burgjet e Serbisë, ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare me 26 korrik të vitit 2018. Në ceremoninë e varrimit të tij ishin të pranishëm zyrtarë të lartë shtetërorë e shumë qytetarë të cilët e çmonin veprën e Demaçit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të vetmit që nuk shkuan për ta përcjell Demaçin për në banesën e fundit, ishin zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Por armiqësia e Demaçit me zyrtarët e LDK-së, konkretisht familjen Zemaj ishte e vjetër, dhe daton qysh në vitet e 90-ta. Këtë e dëshmon edhe një përplasje e ashpër që kishte ndodhur në vitin 2014 ndërmjet Armend Zemajt e Adem Demaçit, pasi ky i fundit në një intervistë të dhënë në RTK vite më parë e kishte cilësuar Tahir Zemajn si një tregtar droge dhe oficer të Jugosllavisë.
Teksa fliste për fillet e luftës në Kosovës kundër okuptorit serb, Demaçi tregonte se si kishte takuar jashtë shtetit edhe oficerë me shkollë e të përgatitur, të cilët kishin refuzuar të vinin e të luftonin në Kosovë.
“ Kur e nisëm kryengritjen e nisëm duar thatë. Unë kam biseduar edhe me disa oficerë tanë që kishin ikur atje në perëndim. Iu thojsha, hajdeni vllazën, kthehuni në Kosovë e të luftojmë. Të marrim pjesë në kryengritje. Aaa jo baca Adem, nuk mujm na me ardhë më luftu atje pa i pas shtabet e pa e pas armatimin përafërsisht sikur të Serbisë anej knej… E na çka po bëjmë?- në duar thatë, duar thatë por ia kemi filluar ne, po ka aktivitete, do shpiuna të armikut po i vrasim, do policë të armikut po i vrasim.. ka aktivitete ejani.. Ja valla, pa i plotësuar këto kushte na nuk vijm..”
E kur gazetari i RTK-së, Ridvan Berisha, e pyeti konkretisht për emra se kush ishin këta oficerë, Demaçi kishte thënë se ishin njerëz që i hanë paret e Bujar Bukoshit, shkruan Periskopi.
“ Këta ishin, ish-oficerat e Bukoshit që i hanin paret e tij nëpër Zivcër e Gjermani e nëpër perëndim, nëpër Shkup e Maqedoni. Ata ishin profesionistë. Po nuk ishin atdhetarë. E të tillët po mundohen të shfërcohen, duke thënë se kemi luftuar, po jo bre ju nuk keni luftuar bre zotëri.. Ju kë e patët komandant?- e patët Tahir Zemën, një tregtar droge i cili është dënuar në gjyqin e Prishtinës. E patët Tahir Zemën, një oficer të KOSIT, të Jugosllavisë, edhe spo iu vjen turp për këtë punë, po po shtireni.” ishte shprehur Demaçi.
Përveç tjerash në këtë intervistë Demaçi kishte thënë se FARK-u ishte një ushtri e dështuar, pasi erdhi e bëri një luftë të vogël në Kosovë dhe kishte ikur në Shqipëri duke lënë qindra të plagosur.