2015: PRISHTINE – Akuzat dhe dëshmitë për vrasje deputetësh tashmë ndodhin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Në një kohë që opinioni publik në vendin tonë është tronditur nga akuzat e deputetit Tom Doshi, një rast i ngjashëm raportohet edhe në Kosovë.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare sipas të cilave përmes një dëshmie në formë deklarate të shkruar theksohet se janë paguar 250 mijë euro për vrasjen e deputetit Xhavit Haliti, i cili ka qenë edhe nënkryetar i Parlamentit.
Sipas mediave kosovare, duke cituar deklaratën në fjalë nënvizohet se për vrasjen e Xhavitit ka paguar shumën e parave Ibrahim Kelmendi, ndërsa ekzekutimi do të duhej ta kryente Florim Ejupi.
Dëshmia ka ardhur nga një person që pretendon se ka qenë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në disa vrasje, kërcënime, shantazhe e rrembime, i cili është treguar i gatshëm të dëshmojë edhe para Prokurorisë për këtë që ai e ka quajtur plan.
Dëshmitari i ka telefonuar Halitit, duke i kërkuar falje paraprakisht se ka qenë pjesë e këtij grupi. Pasi i ka treguar për këtë plan Halitit, ai e bërë dëshminë e tij edhe përmes një deklarate.
Mediat kosovare bëjnë të ditur se deklarata në zyrën e Kryeprokurorit Sylë Hoxha, është dorëzuar nga vetë Xhavit Haliti. Dëshmitari ka dhënë të paktën dy arsye se pse Ibrahim Kelmendi donte ta eleminonte Halitin në vitin 2003.
E para, sipas dëshmitarit, kishte të bënte me pretendimin se Kelmendi duhej të ishte në vend të Hashim Thaçit, por Haliti nuk e kishte lejuar një gjë të tillë. E dyta, sipas tij, kishte të bënte me një shumë parash të fondit “Vendlindja thërret” për tërheqjen e të cilave kishin autorizim vetëm Kelmendi, Haliti dhe një person tjetër.
Haliti ka thënë se këtë deklaratë e ka dërguar në Prokurori, duke kërkuar zbardhjen e këtyre pretendimeve, ndërsa Kelmendi e ka mohuar të ketë lidhje me këtë ngjarje.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com) https://shqiptarja.com/lajm/edhe-n-euml-kosov-euml-nbsp-250-mij-euml-euro-br-p-euml-r-vrasjen-e-deputetit-xhavit-haliti