Epilogu

DËSHPËRUESE: Vlera e koeficientit të pagës për zyrtarët publikë do të jetë 110 euro

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë, është vendosur të jetë 110 euro. Kjo ka ndodhur pas më shumë se një muaj të miratimit të Ligjit në Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka marrë vesh Demokracia.com nga burime të saj brenda Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës pati thënë se vlera e koeficientit pritet që të caktohet në muajin janar të këtij viti, ndërsa në muajin shkurt të hyjë në fuqi. Kjo vlerë do të përcaktohet bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndara me Ligjin e Pagave.

Lidhur me përcaktimin e vlerës së koeficientit, në Kosovë ka pasur shumë propozime. Vlera e koeficientit është pritur të jetë minimalisht 120 euro, por ka pasur edhe kërkesa që kjo të shkojë deri në 150 euro.

Kujtojmë që në Gazetën Zyrtare tashmë është publikuar Ligji për Paga.

Koeficienti më i lartë, do të jetë për pagën e presidentit të vendit me 18.0, për të vijuar më pas më kryetarin/kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, 17.5, kryetarin e Kuvendit, 17, kryeministrin 17 dhe kategori të tjera që mund t’i shihni në tabelën e mëposhtme:

Në nenin 7 të Ligjit, tregon edhe se si do të bëhet llogaritja e pagës.

Sipas pikës 3 të këtij ligji: “Vlera e pagës bazë (v), për punën e kryer me orar të plotë, llogaritet duke shumëzuar koeficientin për orë pune (x), me orët e realizuara përgjatë muajit (y), me vlerën monetare të koeficientit (z).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se vlera e koeficientit mund të përcaktohet në janar.

“Kemi marrë kohë më shumë se që është dashur. Duke pas parasysh përvojën e parë që herën e parë na u hodh poshtë, nuk kemi dashur të nxitohemi. 745 milionë euro është totali. Për ne, pikënisja është tërësia, jo pjesa, jo elementi. Nuk e kemi pas si pikënisje vlerën e koeficientit, por si tërësi. Në janar do të vendoset vlera e koeficientit.”, ka thënë ai.

Veç kësaj, ai kishte shtuar i njëjti, mund të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti i vitit 2023.

“Nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me Ligjin e Pagave, por me buxhet. Po kërkoj pak durim prej juve, saktësisht në janar të vitit 2023.” – kishte deklaruar i pari i ekzekutivit.

Ligji për Paga që u miratua në muajin dhjetor të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës. 85 deputetë ishin të pranishëm në sallë nga ta 63 votuan për Projektligjin për Paga.

Partitë opozitare, nuk kishin marrë pjesë fare në votim, por ishin të pranishme në diskutimin rreth këtij ligji. / Demokracia.com/

Exit mobile version