fbpx
Lajme

Dështaku që nuk arriti t’i ruajë dokumentet e tij, do ta hetoi Trumpin për dokumente

Nga kjo e premte, Jack Smith më nuk do të hetojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ish-presidentin amerikan Donald Trump.

Tashmë edhe vetë ish-kryeprokuror i Gjykatës Speciale, ai është emëruar Këshilltar Special nga Prokurori i Përgjithshëm Amerikan, Merrick Garland, për të mbikëqyrur hetimet penale për ruajtjen e informacionit të mbrojtjes kombëtare në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump dhe pjesë të kryengritjes së 6 janarit 2021.

Për ironi, sa ishte kryeprokuror në Speciale pikërisht ruajtjen e dokumenteve nuk kishte arritur ta bënte dot.

Smith përveç problemeve të tjera, në katër vjet e diçka më shumë si krye-prokuror, do të mbahet mend edhe për skandalin e rrjedhjes së informacioneve nga Specialja.

Në shtatorin e vitit 2020 organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filloi të mbajë seanca të jashtëzakonshme për media. Ata pritën mediat në selinë e tyre me një mal me dokumente në tavolinë.

Kur konferenca filloi treguan se dikush, ende i panjohur për ta, po u sjell dosje, të cilat pasi i kanë shfletuar kanë kuptuar se mund të jenë të Gjykatës Speciale.

Për këtë veprim – se ua prezantuan mediave dokumentet e rrjedhura nga Specialja – Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, kryetari dhe zëvendës-kryetari i OVL-së, janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.

Por, asnjëherë nuk u nis një hetim se si ndodhi që rrodhën nga Specialja. Dokumentet kishin dalë nga dhoma e dëshmive të Prokurorisë në Speciale, por nuk u emërua asnjë fajtor.

Përveç kësaj, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, në vazhdimësi e kanë akuzuar Prokurorinë se nuk ka dorëzuar të gjitha të gjeturat para gjykatës.

Sipas tyre, ka dokumente shfajësuese të cilat Prokuroria ia ka fshehur trupit gjykues, duke bërë kështu shkelje të rëndë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Prokuroria është krejtësisht jashtë afateve që vetë i kishte përcaktuar për të filluar gjykimin.

Në skenarin më negativ, Prokuroria në Speciale kishte paraparë nisjen e gjykimit ne qershorin e vitit 2021.

Po kalon një vit nga ky afat i fundit dhe ende nuk ngjan se starti është afër.

Avokati amerikan, Pierre-Richard Prosper, që në Speciale mbron ish-presidentin, Hashim Thaçi, në një intervistë të tij për Klan Kosova, ka deklaruar se edhe sikur të punohet pesë ditë të javës, koha e fillimit të gjykimit duket e largët.

Në anën tjetër, kërkesat e Thaçit dhe të tjerëve për lirim me kusht dhe mbrojte në liri janë refuzuar disa herë radhazi.

Si u emërua Jack Smith?

Smith befasisht e kishte zëvendësuar David Schvendimanin, Prokurorin e parë të Specializuar dhe më herët edhe Kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale.

Ai ishte prezantuar si prokuror me përvojë në hetime politike të rangut të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare.

Siç thuhet edhe në njoftimin e Speciales, Smith u emërua Prokuror i Specializuar pas një procesi përzgjedhës të organizuar nga Bashkimi Evropian.

“Është nder dhe kënaqësi që më ofrohet kjo sfidë dhe jam i gatshëm t’i çoj hetimet më tej”, kishte thënë Smith.

Në kohën kur ishte emëruar Prokuror i Specializuar, Smith ishte nënkryetar dhe kreu i seksionit të padive i Korporatës Spitalore të SHBA-së, organizata shëndetësore joqeveritare më e madhe në Shtetet e Bashkuara, pozitë të cilin e kishte ushtruar që nga shtatori 2017.

Mandati i dytë

Gjykata Speciale e kishte riemëruar prokurorin amerikan, Jack Smith, në pozitën e Prokurorit të Specializuar, duke i dhënë edhe një mandat katër vjeçar në maj të këtij viti.

Riemërimi nuk është njoftuar fare nga Gjykata.

Smith-it i kishte skaduar mandati në fillim të majit, por riemërimi i tij është hetuar vetëm pas një kërkese nga Albanian Post për të kuptuar se kush është aktualisht prokuror, meqë me 7 maj bëheshin katër vjet nge emërimi tij.

“Jack Smith është riemëruar Prokuror Special në maj të vitit 2022, nga Autoriteti Emërues për një term katër vjeçar”, thuhej në përgjigjen e Speciales për AP. /Albanianpost.com

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close