Detaje të hollësishme: Remzi Hoxhën i fundit e pa Kumbaro duke e marrë në dorëzim nga Avni Koldashi
Një nga hulumtimet më serioze të 13 viteve më parë:
Rrëmbimi dhe torturimi i Remzi Hoxhës, 13 vjet më parë, i cilësuar si një nga ngjarjet më enigmatike të Prokurorisë shqiptare, ka marrë një kthesë të papritur. Dje, në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeprokurorja shqiptare, Ina Rama, së bashku me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, “kanë marrë” një propozim të papritur nga Ilir Kumbaro, i akuzuar në Shqipëri si një nga personat që ka rrëmbyer dhe më pas zhdukur Hoxhën.
Sipas burimeve tepër konfidenciale, ai ka pranuar të tregojë të gjithë historinë e rrëmbimit dhe torturimit të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, por me një kusht: të mos ekstradohet në Shqipëri, si dhe të fitojë azilin politik në Angli, duke përfituar njëkohësisht të gjitha privilegjet që i jep ligji një “të penduari”. Propozimi është marrë seriozisht nga delegacioni shqiptar dhe menjëherë kanë filluar konsultimet. Meqenëse në ekipin e lartë që ndodhet në Londër është edhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, dikur një nga prokurorët që ka hetuar dosjen në fjalë, çështja është diskutuar në detaje, dhe parimisht është rënë dakord që Ilir Kumbaro të fitojë statusin e të penduarit, duke i krijuar të gjitha kushtet që parashikon ligji në fjalë.
Propozimi i ish-SHIK-asit (Shërbimi Informativ Kombëtar i Shqipërisë).
Dje, pas lajmit që faktikisht gëzoi hetuesit e çështjes, në Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare është diskutuar për mënyrën se si do të dëshmojë ish-SHIK-asi që ndodhet në Angli. Burime konfidenciale thanë se Kryeprokurorja Ina Rama ka pasur dijeni prej një muaj për lëvizjet e Ilir Kumbaros në Angli dhe, menjëherë sapo ka marrë konfirmimin e homologut të saj, Ken Mec Donald, ka udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar. Bashkë me të janë nisur edhe dy prokurorë të tjerë të nivelit të lartë. Ata kanë përgatitur edhe skeletin e seancës së pyetjeve. Mësohet se pyetjet do të bëhet me video dhe, nëse është e mundur, dëshmia mund të kryhet edhe me video-konferencë në një nga seancat gjyqësore që po zhvillohet aktualisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ajo çka është ende enigmë për familjarët dhe prokurorinë shqiptare janë detajet se si u torturua dhe u zhduk Remzi Hoxha. Por, sidomos vendndodhja e trupit të tij. Nëse rrëfen të dhëna të dobishme për gjykimin, atëherë ndaj Kumbaros do të aplikohen edhe masat që merren për mbrojtjen e të penduarve. Një mundësi tjetër për akuzën është që Kumbaro të vuajë disa vjet burg për “krimin” që ka kryer, duke përfituar lehtësira. Por, nga informacionet që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë, pasi pritet që ai të bëjë një rrëfim “të plotë” jo vetëm për çështjen “Hoxha”.
Trupi Remzi Hoxhës
Enigma 13-vjeçare, që ka shoqëruar rrëmbimin e Remzi Hoxhës, të çon në një pikë: ku është trupi i tij, kush e torturoi dhe “groposi”? Duket se të gjitha dëshmitë dhe provat e mbledhura nga prokuroria të çojnë në një emër: Ilir Kumbaro. Mësohet se ishte personi i fundit, që e kishte parë gjallë, duke e marrë në dorëzim nga Avni Koldashi. Prokuroria thotë se emri i Ilir Kumbaros është përmendur shumë herë nga dëshmitë e ish-shikasve për dosjen “Remzi Hoxha”. Ata kanë treguar se e kanë marrë biznesmenin në një punishte duralumini në Tiranë dhe e kanë transferuar në drejtim të godinë së SHIK-ut në Lezhë. Atje e kanë dorëzuar tek Ilir Kumbaro, i cili është marrë “personalisht”… Gjithashtu, prokuroria thotë se ka dëshmi se nga keqtrajtimet biznesmeni shqiptaro-maqedonas iu ka vdekur torturuesve në duar dhe më pas është “sistemuar” në një vend të fshehtë, i cili ende nuk është gjetur. Prokuroria shqiptare, pas nisjes së “negociatave”, i ka vendosur një kusht Ilir Kumbaros: Na trego ku është trupi i Remzi Hoxhës?
“Arratisja”
Prokuroria thotë se pikërisht Ilir Kumbaro është personi që e ka takuar për herë të fundit Hoxhën. Dyshimet janë vërtetuar edhe nga dëshmitë e tjera të rojeve dhe punonjësve të tjerë të rezidencës së SHIK-ut në Lezhë, Vain. Për herë të parë, emri i Ilir Kumbaros është përmendur nga Bledar Mane, i vetëshpallur trafikant, sipas të cilit, ai vetë e kishte dërguar Kumbaron në Londër.
KRONOLOGJIA
5 tetor 1995
Ndalohet Abdyl (Armand) Loshaj, kosovari që fshihej nën petkun e gazetarit austriak
18 tetor 1995
Rrëmbehet Ziso Kristopulli, anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste të Sarandës
21 tetor 1995
Rrëmbehet edhe Remzi Hoxha, biznesmeni që jetonte prej ‘92 në Tiranë
21 Maj 2003
Arrestohen 3 ish-punonjësit e SHIK-ut, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Arben Sefgjini
Nëntor 2003
Lirohet Avni Koldashi. Dy të pandehurit e tjerë lirohen në maj 2004
18 prill 2008
Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon për gjykim dosjen ndaj katër ish-shikasve. Dosja “Hoxha”, dëshmojnë 2 ish-inspektorë. Prokuroria kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë për të pandehurit . SHIK-asit: Kumbaro mori sendet personale të Remziut
Shërbimi Inteligjent Shqiptar ka rrëmbyer Remzi Hoxhën dhe Avdyl Loshajn. Në procesin e djeshëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda për dosjen e “Hoxha” dëshmuan dy ish-oficerë të SHIK-ut, Arjan Hysolli dhe Qerim Cako, të cilët përforcuan dyshimet e prokurorisë. Ata deklaruan se biznesmeni shqiptaro-maqedonas është marrë në një punishte në Tiranë dhe është transportuar në bazën e tyre në Vain të Lezhës. Një nga oficerët e SHIK-ut deklaroi se Ilir Kumbaro, i arrestuar disa ditë më parë në Angli, dhe i gjykuar në mungesë, e kishte urdhëruar të merrte sendet personale të Remziut, në automjetin e tij, tip “Benz Mercedez”. “Gjithçka që gjetëm në makinë, pohon Cako, ia dorëzuam Ilir Kumbaros dhe Arben Sefgjinit”.
Dëshmia nuk kishte detaje, pasi për ish-oficerët koha e gjatë kishte bërë të vetën, në kujtesën e tyre. Por ata theksuan se SHIK-u ka rrëmbyer edhe Avdyl Loshajn. Sipas tyre, ai është mbajtur për disa ditë në të njëjtën godinë dhe më pas është arratisur, duke u hedhur nga kati i tretë. Për prokurorinë, dëshmitë e djeshme kanë vërtetuar se SHIK-u i vitit 1995 ka rrëmbyer Remzi Hoxhën. Duket se dëshmitë kanë çuar hetimin në Lezhë. Ndërsa asnjë prej oficerëve të SHIK-ut nuk kanë deklaruar fatin përfundimtar të Hoxhës, si dhe personin që është marrë me të. Sipas tyre, operacioni i rrëmbimeve është drejtuar nga Ilir Kumbaro dhe Arben Sefgjini. Ky i fundit ka mohuar në mënyrë kategorike implikimin në këtë ngjarje.
Ndërkohë, në seancën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokurorët e çështjes konfirmuan gjithashtu se do të kërkojnë një masë tjetër sigurie për personat e akuzuar për këtë ngjarje të rëndë të 13 viteve më parë. Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe janë të pandehurit e këtij procesi. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain, të Rrethit Lezhë.
Djali i Remzi Hoxhës: Kumbaro ka marrë në dorëzim babanë dhe di ekzaktësisht varrin
Familjarët e të “zhdukurit” Remzi Hoxha, pas arrestimit në Angli të Ilir Kumbaros, një prej njerëzve kyç, në dijeni të orëve të fundit të të afërmit të tyre, duken si më të qetë. Për 13 vite plot, të afërmit e biznesmenit që, me sa duket, ngeli “viktimë” e lojërave të shërbimeve sekrete rajonale, kanë përdorur të gjitha mënyrat për të mësuar fatin e Remzi Hoxhës. Tentativa e dështuar për të takuar Presidentin e Shqipërisë në atë kohë, Sali Berishën, përcjellja me fjalinë e thatë, “mos u merrni me këtë punë”, nga ish-kreu i shërbimit sekret, Gazidede, denoncime e kërkesa pafund në prokurorinë shqiptare, organizmat ndërkombëtarë…
Por, paralel me përpjekjet institucionale, familja e Remzi Hoxhës, nuk ka reshtur duke investiguar për fatin, vendndodhjen e trupit dhe autorët e tragjedisë që iu mbiu në familje, më 21 nëntor të vitit 1995, kur ai u rrëmbye nga Shërbimi Informativ Kombëtar Shqiptar, për të mos u kthyer më në shtëpi. Familja, miqtë e shumtë të Hoxhës, kanë angazhuar për vite të tëra edhe burime jo të vogla financiare, me të vetmin qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe veçanërisht gjetjen e trupit. Pa kaluar 24 orë nga lajmi i arrestimit në Londër të një prej njerëzve që ka marrë “në dorëzim” biznesmenin shqiptaro-maqedonas, Ilir Kumbaros, djali i “të zhdukurit”, Adrian Hoxha, në një prej gazetave shqiptare të përditshme, shpreh hapur gëzimin dhe besimin se ngjarja “është drejt zbardhjes”. Djali i madh i Hoxhës, i cili ishte vetëm 14 vjeç kur babai u rrëmbye nga agjentë të SHISH, fiks pas 4746 ditësh, rrëfen për Kumbaron. “Ilir Kumbaro, është një nga personat kyç që ka marrë pjesë në zhdukjen e babait tim”, deklaron ai.
Ndërkohë ai pohon edhe faktin se për këtë gjë “kanë pasur dijeni që në kohën e zhdukjes së babait të tyre”. “Këtë informacion (pjesëmarrja e Kumbaros në zhdukje), e kemi pasur që në vitin 1995… kemi gjetur edhe dëshmitarë”, vazhdon ai në intervistën e tij. Por dëshmia më e fundit e Adrian Hoxhës, arrin kulmin me deklaratën: “Kumbaro e di ekzaktësisht se ku e kanë varrosur trupin e babait. Ai është personi që e ka marrë babanë tim në dorëzim nga Avni Koldashi, dhe më pas personalisht është marrë me të…
Gazeta: Shqip