2011:
Raportuesi i Këshillit të Evropës, zvicerani Dick Marty ka shpjeguar arsyet se pse ka ngritur akuza kundër kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçit. Ndër të tjera, ai ka rrëfyer se pse në atë kohë, të akuzuarit kryesorë në raportin e tij, Hashim Thaçi dhe Xhavit Haliti nuk kanë biseduar me të.
Kur isha në Kosovë, unë kërkova të bisedoj me kryeministrin dhe të gjitha autoritetet kosovare, ndërsa nga Këshilli i Evropës kishim udhëzime se vetë Qeveria kosovare duhet të caktojë personat se kush duhej biseduar me ne. Më në fund, për bisedime u caktuan zëvendëskryeministri, ministri i Drejtësisë dhe ai i Brendshëm”, ka thënë Marty një intervistë dhënë të përditshmes zvicerane Tagesanzeiger, transmetoi gazeta Lajm e Shkupit.
I pyetur se pse ka përmendur me emra të dyshuarit kryesorë në raportin e tij, Thaçin dhe Halitin, ai është përgjigjur se një gjë e tillë ka qenë e pashmangshme, pasi në kuluare të ndryshme më së tepërmi janë përmendur këta emra.
“Unë isha i detyruar që ta bëja një gjë të tillë, në të kundërtën do të kriminalizoja të gjithë popullin kosovar. Unë e bëra këtë raport në emër të njerëzve, të cilët në këtë rajon e kanë merituar një demokraci të vërtetë dhe që bëjnë një politikë të pastër. Ky ishte një akt ndershmërie”, ka thënë Marty.
Ndërsa në pyetjen nëse ai është nën masa të sigurisë, Marty ka thënë se rregulla e parë e sigurisë është që të mos flitet për një gjë të tillë.
Për EULEX-in ai mendon se nuk do të jetë në gjendje të fillojë hetimet për zbulimin e kontrabandimit me organe njerëzore, pasi ky mision mund të zbulojë vetëm “peshq të vegjël”. Në këtë drejtim, është i mendimit se gjatë hetimeve në Kosovë, duhet të përfshihet edhe një prokurori publike ndërkombëtare e pavarur, pasi dëshmitarët kyçë janë të pambrojtur. Lidhur me këtë, ka përmendur rastin e Ramush Haradinajt, me ç‘rast, për dëshmi ndaj tij ishin përfshirë 40 dëshmitarë dhe dhjetë nga ta, para fillimit të procesit ishin vrarë. “Më pas, asnjë dëshmitar nuk kishte guxuar të dëshmojë para gjykatës”.
Në pyetjen po qe se do ta vlerësonte Kosovën si shtet mafioz, Marty ka thënë se këtë fjalë asnjëherë nuk e ka përdorur dhe as që e ka ndërmend ta përdor, pasi nuk dëshiron të kriminalizojë një shoqëri të tërë. /Telegrafi/