Gazeta e kohës Rilindja kishte publikuar emrat e shqiptarëve dhe serbëve të cilët morën pjesë në diferencimet ideo-politike, respektivisht në përjashtimin e disa profesorëve të njohur, në mesin e tyre Rexhep Qosja e Fehmi Agani.
Anëtarët e grupit punues që hartuan raportin me masa për diferencim politik në Universitetin e Kosovës ishin: Rexhep Gashi, Minir Dushi, Azem Vllasi, Millan Sheshlia, Syrja Pupovci, Budisllav Vujisiqi, Hajredin Hoxha, Dërvish Rozhaja dhe Ragip Halili.
Aty thuhet se, “Në mbledhjen e parëmbrëmshme u propozua të merren masa partiake deri në përjashtim ndaj këtyre profesorëve: Hamdi Gashit, dr. Riza Binishit, mr. Murat Blakajt, dr. Rexhep Ismajlit, dr. Ali Aliut, mr. Agim Vincës, dr. Ali Hadrit, dr. Fehmi Aganit, dr. Rexhep Qosjes, dr. Millorad Qoracit, mr. Idriz Beranit, dr. Hivzi Islamit, dr. Mustafa Bacajt si dhe ndaj disa udhëheqësve të organizatave të LK e të organeve vetëqeverisëse. Nga procesi mësimor propozohet të largohet dr. Ali Hadri, ndërsa rekomandohet shqyrtimi i përshtatshmërisë së dr. Mark Krasniqit për punë të mëtejshme në fakultet, si dhe dr. Mujë Rugovës, dr. Nexhat Dacit dhe e dr. Reshat Alidemës, ndërkaq në Akademinë e Arteve propozohet të shkarkohet sekretari i saj“.