Epilogu

Dimal Basha në vitin 2018 i quajti militantët e VV-së – bandë që e kanë miratimin e Kurtit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është bërë njëri prej deputetëve më të zëshëm në mbrojtje të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Kjo qasje e tij “kamikaze” është parë veçanërisht muajin e fundit kur Basha është hedhur në sulme të shpeshta ndaj sindikatave që grevuan, që si pasojë edhe u përplasën ashpër me Qeverinë.

Ai kishte akuzuar rëndë edhe militantët e VV-së të rrjeteve sociale duke i quajtur bandë virtuale.

“Këta zyrtarë që dolën kundër mendimit të tij (Kurtit) kanë dhënë më shumë për partinë se kjo bandë virtuale. Ai duhet ta dij që nesër mund t’i kthehen kundër edhe atij. Nesër mund ta jap një mendim që del kundër kësaj bande virtuale”.

Dimal Basha ka thënë se Kurti në mënyrë të heshtur e miraton këtë bandë virtuale.

Mirëpo, pak vite më parë, atëherë kur Basha ishte gazetar në njërin prej televizioneve në Kosovë, mendimet e tij për Vetëvendosjen ishin krejtësisht ndryshe. Ai shprehej shpesh i shqetësuar me “dhunën e Vetëvendosjes” në protesta e aktivitete të ndryshme që i organizonin.

Në njërin prej emisioneve të tij, ai kishte bërë një përmbledhje të dhunës që, sipas tij, e kishte shkaktuar partia ku tani është anëtar. Ai numëronte aktet e dhunës së VV-së, nga ajo fizike e deri te dhuna psikike, siç shprehej vetë ish-gazetari.

“Unë mendoj që kjo ka fillu për shkak të një kulture të keqe që është kriju brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo kulturë e keqe që është mbjell tash e sa kohë, duke filluar nga protestat në rrugë, por pastaj me përdorimin e dhunës në rrugë. Pastaj kjo dhunë kaloi nëpër institucione, siç e dimë të gjithë, pastaj kemi pasur dhunë ndaj njerëzve civilë në rrugë, kemi pasur dhunë ndaj policisë, dhunë ndaj vet institucioneve dhe gjithashtu kemi pasur dhunë edhe ndaj pushtetarëve, duke filluar nga ish-kryeministri Mustafa i cili është sulmuar në Kuvendin e Kosovës dhe gjithashtu e kemi pasur edhe dhunën ndaj ambasadores, mirëpo edhe një dhunë tjetër që nuk është folur shumë, ka qenë ajo dhuna psikologjike që është ushtru nëpër rrjete sociale”, shprehej Basha, qartazi duke shprehur mendimin e tij.

Sot, Basha nuk flet njësoj. Ai, së fundmi, derisa fliste për grevat në arsim, shprehej në mënyrë superlative për kryeministrin Kurti, duke thënë se ai  “i palon 50 Rrahmana”.

Exit mobile version