Nga fillimi i grevës në arsim, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, nuk ka reshtur se folur për cilësinë e dobët në sektorin e arsimit. Madje, ai nuk ka hezituar t’i quajë analfabet (ose analfabetë funksionalë) ata që po organizojnë greva në këtë sektor. Por,deputeti ka ‘harruar’se dikur si nxënës i gjimnazit në Ferizaj nuk i kishte punët mirë me mësime. Dëftesat e shkollës së mesme tregojnë se ai ishte – e pakta të thuhet – nxënës i dobët.
Gazeta Nacionale ka siguruar dëftesën e vitit të tretë të shkollës së mesme për z. Basha, në të cilën shihej se atij i ishte mbyllur një njësh (1). Nota e dobët i ishte vendosur në lënden e Biologjisëdhe kjo kishte bërë që në këtë vit ai të mbetej në provim. Tek pas riprovimit këtë notë e kishte bërë dysh (2).
Kjo kishte ndodhur në vitin 1997, kur Basha kishte qenë tetëmbëdhjetë vjeçar.
Por, njëshi në Biologjisë nuk ishte e vetmja notë e dobët.
Basha shpesh prezanton shifra të ndryshme për të përshkruar suksesin e qeverisë, por si nxënës nuk i kishte punët mirë me numra. Në lëndën e matematikës ai ishte vlerësuar me dysh (2).
Me të njëjtën notë ishte vlerësuar edhe në lëndën e Gjuhës Frënge dhe atë të Fizikës.
Pak më i mirë ishte në Gjuhën Shqipe, Gjeografi, Logjikë dhe Kimi, ku në këto lëndë ishte vlerësuar me notën tresh (3).
Me notën katër (4), Basha ishte vlerësuar vetëm në lëndën e Historisë.
Ndërsa, me notën maksimale, pesë(5), ai ishte vlerësuar në lëndët Edukatë Fizike, Gjuhë Angleze dhe Mbrojtje.
Duke u bazuar në këto nota, rezultati përfundimtar ishte “mirë” (3). Ky rezultat nuk është edhe aq i kënaqshëm për nxënësit ambiciozë.
Nëse do të referohemi gjuhës së kryeministrit Albin Kurti, të cilën e përdori në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së do të thotë që “mirë nuk është shkëlqyeshëm”.
Megjithatë, deputeti Basha në gjimnaz të shkëlqyeshme e kishte notën e sjelljes, e cila i është evidentuar në dëftesë.