Diplomati më i madh amerikan: Ukraina nuk duhet të anëtarësohet në NATO, por në BE
Ky është një shkrim i vitit 2014, i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit (1973-1977), një nga njohësit më të mirë të gjeopolitikës. Parashikimi i tij se do të ketë konflikt është përmbushur. Piketat që ai hedh, duke i quajtur parime, jo receta, duken ende të zgjidhje të mundshme të konfliktit.
Diskutimi publik për Ukrainën përqendrohet te konfrontimi. Por, a e dimë se ku po shkojmë? Në jetën time kam parë katër luftëra, të filluara me shumë entuziazëm dhe mbështetje publike, të gjitha nuk dinim si t’i përfundonim, dhe nga tri sosh u tërhoqëm në mënyrë të njëanshme. Testi i politikës (policy-jo politics) është se si përfundon, jo si fillon.
Shumë shpesh çështja e Ukrainës paraqitet si një përballje: nëse Ukraina bashkohet me Lindjen apo Perëndimin. Por nëse Ukraina do të mbijetojë dhe të lulëzojë, nuk duhet të jetë outposti i asnjërës palë kundër tjetrës – ajo duhet të funksionojë si një urë lidhëse mes tyre.
Rusia duhet të pranojë që përpjekja për të detyruar Ukrainën si një shtet me statusin e satelitit, dhe në këtë mënyrë të zhvendosë sërish kufijtë e Rusisë, do ta dënonte Moskën me përsëritjen e historisë së cikleve vetëpërmbushëse të presioneve reciproke me Europën dhe Shtetet e Bashkuara.
Perëndimi duhet të kuptojë se për Rusinë, Ukraina nuk mund të jetë kurrë thjesht një vend i huaj. Historia ruse filloi në atë që quhej Kievan-Rus. Feja ruse u përhap prej andej. Ukraina ka qenë pjesë e Rusisë për shekuj, dhe historitë e tyre ishin të ndërthurura më parë. Disa nga betejat më të rëndësishme për lirinë ruse, duke filluar me Betejën e Poltavës në 1709, u zhvilluan në tokën ukrainase. Flota e Detit të Zi – mjeti i Rusisë për të projektuar fuqinë në Mesdhe – bazohet me qira afatgjatë në Sevastopol, Krime. Edhe disidentë të tillë të famshëm si Aleksandr Solzhenitsyn dhe Joseph Brodsky këmbëngulën se Ukraina ishte një pjesë integrale e historisë ruse dhe, në të vërtetë, e Rusisë.
Bashkimi Europian duhet të pranojë se vonesa e tij burokratike dhe nënshtrimi i elementit strategjik para politikave të brendshme në negocimin e marrëdhënieve të Ukrainës me Europën kontribuan në kthimin e një negociate në krizë. Politika e jashtme është arti i vendosjes së prioriteteve.
Ukrainasit janë elementi vendimtar. Ata jetojnë në një vend me një histori komplekse dhe përbërje shumëgjuhëshe. Pjesa perëndimore u përfshi në Bashkimin Sovjetik në vitin 1939, kur Stalini dhe Hitleri ndanë plaçkën. Krimea, 60 për qind e popullsisë së së cilës janë rusë, u bë pjesë e Ukrainës vetëm në vitin 1954, kur Nikita Hrushovi, një ukrainas me origjinë, e dha atë si pjesë e festimit të 300-vjetorit të një marrëveshjeje ruse me kozakët. Perëndimi është kryesisht katolik; lindja kryesisht ortodokse ruse. Perëndimi flet ukrainisht; lindja flet kryesisht rusisht. Çdo përpjekje nga një krah i Ukrainës për të dominuar tjetrin – siç ka qenë modeli – do të çonte përfundimisht në luftë civile ose shpërbërje. Trajtimi i Ukrainës si pjesë e një konfrontimi Lindje-Perëndim do të shkatërronte për dekada çdo perspektivë për të sjellë Rusinë dhe Perëndimin – veçanërisht Rusinë dhe Europën – në një sistem ndërkombëtar bashkëpunues.
Ukraina ka qenë e pavarur për vetëm 23 vjet; më parë ishte nën një lloj të sundimit të huaj që nga shekullit i 14-të. Nuk është për t’u habitur që udhëheqësit e saj nuk e kanë mësuar artin e kompromisit, aq më pak të perspektivës historike. Politika e Ukrainës pas pavarësisë tregon qartë se rrënja e problemit qëndron në përpjekjet e politikanëve ukrainas për të imponuar vullnetin e tyre në pjesët rebele të vendit, fillimisht nga një fraksion, pastaj nga tjetri. Ky është thelbi i konfliktit midis Viktor Yanukovych dhe rivales së tij kryesore politike, Julia Tymoshenko. Ata përfaqësojnë dy krahët e Ukrainës dhe nuk kanë qenë të gatshëm të ndajnë pushtetin. Një politikë e mençur e SHBA-së ndaj Ukrainës do të kërkonte një mënyrë që të dy pjesët e vendit të bashkëpunonin me njëra-tjetrën. Ne duhet të kërkojmë pajtim, jo dominim të një fraksioni.
Rusia dhe Perëndimi, dhe më së paku fraksionet e ndryshme në Ukrainë, nuk kanë vepruar sipas këtij parimi. Secili e ka përkeqësuar situatën. Rusia nuk do të ishte në gjendje të impononte një zgjidhje ushtarake pa u izoluar në një kohë kur shumë nga kufijtë e saj tashmë janë të pasigurt. Për Perëndimin, demonizimi i Vladimir Putin nuk është një politikë; është alibi për mungesën e një politike (policy).
Putini duhet të kuptojë se, pavarësisht nga ankesat e tij, një politikë e imponimeve ushtarake do të prodhonte një tjetër Luftë të Ftohtë. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara duhet të shmangin trajtimin e Rusisë si aberracion nga rregullat e sjelljes të mësuara me durim dhe të vendosura nga Uashingtoni. Putin është një strateg serioz – në premisat e historisë ruse. Të kuptuarit e vlerave dhe psikologjisë së SHBA-së nuk janë pika e tij e fortë. As të kuptuarit e historisë dhe psikologjisë ruse nuk ka qenë një pikë e fortë e politikëbërësve amerikanë.
Udhëheqësit e të gjitha palëve duhet t’i kthehen shqyrtimit të rezultateve, jo të konkurrojnë në poza. Ky është nocioni im për një rezultat të pajtueshëm me vlerat dhe interesat e sigurisë të të gjitha palëve:
1. Ukraina duhet të ketë të drejtën të zgjedhë lirisht asosacionet e saj ekonomike dhe politike, duke përfshirë edhe Europën.
2. Ukraina nuk duhet të anëtarësohet në NATO, një pozicion që mbajta shtatë vjet më parë, kur u përfol për herë të fundit.
3. Ukraina duhet të jetë e lirë të krijojë çdo qeveri të pajtueshme me vullnetin e shprehur të popullit të saj. Udhëheqësit e mençur ukrainas do të zgjedhin më pas një politikë pajtimi midis pjesëve të ndryshme të vendit të tyre. Ndërkombëtarisht, ata duhet të ndjekin një qëndrim të krahasueshëm me atë të Finlandës. Ai komb nuk lë asnjë dyshim për pavarësinë e tij të ashpër dhe bashkëpunon me Perëndimin në shumicën e fushave, por shmang me kujdes armiqësinë institucionale ndaj Rusisë.
4. Është e papajtueshme me rregullat e rendit botëror ekzistues që Rusia të aneksojë Krimenë. Por duhet të jetë e mundur që marrëdhëniet e Krimesë me Ukrainën të vendosen në një bazë më pak të tensionuar. Për këtë qëllim, Rusia do të njihte sovranitetin e Ukrainës mbi Krimenë. Ukraina duhet të përforcojë autonominë e Krimesë në zgjedhjet e mbajtura në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë. Procesi do të përfshijë heqjen e çdo paqartësie në lidhje me statusin e Flotës së Detit të Zi në Sevastopol.
Këto janë parime, jo receta. Njerëzit e njohur me rajonin do ta dinë se jo të gjitha do të jenë të këndshme për të gjitha palët. Testi nuk është kënaqësia absolute, por pakënaqësia e balancuar. Nëse nuk arrihet një zgjidhje e bazuar në këto, ose elemente të krahasueshme, devijimi drejt konfrontimit do të përshpejtohet. Koha për këtë do të vijë mjaft shpejt.
Përkthimi: Politiko.al