Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje ka kërkuar nga mërgimtarët që ta ndihmojnë qeverinë me mjete financiare, për ta luftuar koronavirusin.
Ai bëri të ditur se qeveria ka hapur një xhirollogari të posaçme, dedikuar menaxhimit të pandemisë.
Të gjitha mjetet, sipas tij, do të shkojnë në mbështetje të të gjitha aktiviteteve të ministrive, të cilat kanë nevojë financiare shtesë për ta zvogëluar ndikimin e pandemisë në sektorin e caktuar.
“Të dashur bashkatdhetarë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit, ndoshta më shumë se kurdoherë më parë, dhe të na ndihmoni në luftën kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. E kemi parasysh që pandemia ju ka prekur edhe juve në mërgatë, e edhe të afërmit tuaj në Kosovë. Mirëpo, si gjithnjë, kur kemi qëndruar së bashku, edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku”, ka thënë Kurti.
E kësaj nisme i janë përgjigjur pozitivisht kosovarët që jetojnë në vendet e ndryshme të botës.
Madje për të treguar përkrahjen e tyre kanë publikuar shumën që i kanë dhuruar për të ndihmuar Kosovës.
Por çuditërisht deri tani nuk është bërë i gjallë, qytetari nga Prishtina që jeton në Amerikë, Gazmend Gjonbalaj, i njohur ndryshe edhe si “50 milionëshi nga Amerika”, shkruan Reporteri.net.
Ai deri tani të paktën zyrtarisht nuk e ka dhënë asnjë cent për Fondin e hapur nga kryeministri për luftën kundër koronavirusit.
Gjonbala gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar 50 milionë euro investime nëse Kurti bëhet kryeministër.
Por Kurti arriti të bëhet shef i ekzekutivit, por Gjonbala nuk i solli investimet në Kosovë.
Kujtojmë se paratë që do të dhurohen nga diaspora do të shkojnë direkt në Thesarin e Kosovës. /Reporteri.net/.