Tre familjarë të vëllait të Hashim Thaçit, Ganiut janë rehatuar në Radio Televizionin e Kosovës.
Një hulumtim i KALLXO.com ka zbuluar se në RTK kanë punuar djali, reja dhe vëllau i resë së Gani Thaçit.Leotrim Thaçi është angazhuar me kontratë mbi vepër si menaxher i Njësisë për të Drejtat Autoriale në RTK. Leotrim Thaçi është djali i Gani Thaçit, vëllai i ish-Presidentit Hashim Thaçi. Gani Thaçi ka qenë pjesë e Byros Kosovare të Sigurimeve.Në RTK është e punësuar edhe Festina Cakolli, gruaja e Leotrim Thaçit, pra reja e Gani Thaçit. Ajo është punësuar në Departamentin e Marketingut.
Ndërsa, vëllai i Festinës, Arbër Cakolli është punësuar si kameraman.Radio Televizionin Publik financohet nga buxhetit i Kosovës, por nuk ka të dhëna për numrin e personave që punojnë në këtë medium.Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës, Fadil Hoxha në një postim të bërë në Facebook ka thënë se Leotrim Thaçi, djali i Gani Thaçit, është angazhuar me kontratë mbi vepër në RTK në muajin janar të vitit 2021. Ai është angazhuar në pozitën Menaxher i Njësisë për të Drejta Autoriale.KALLXO.com ka kërkuar informacione nga RTK-ja për procedurat që janë ndjekur për angazhimin e Leotrim Thaçit dhe pozitën e tij, por RTK deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka kthyer përgjigje dhe as nuk e ka mohuar informacionin që ka dhënë Hoxha për punësimin e Thaçit.
Festina Cakolli, Arbër Cakolli dhe Leotrim Thaçi
KALLXO.com ka siguruar dokumentin në të cilën dëshmohet pagesa e kryer nga ana e Radio Televizionit të Kosovës ndaj të punësuarit, Leotrim Thaçi për punën e kryer gjatë muajit janar 2021.Konfirmimin për angazhimin gjatë muajit janar për Leotrim Thaçin e kishte nënshkruar Udhëheqësi i Zyrës Ligjore të RTK-së, Liridon Dalipi dhe drejtori i Përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati.Dalipi në një përgjigje për KALLXO.com ditë më parë e ka mohuar kategorikisht që ai e kishte nënshkruar atë.“Nuk nënshkruaj asnjë dokument, kurgjo nuk kom nënshkru unë”, ka thënë ai.KALLXO.com ka provuar të kontaktoj Dalipin pasi që e ka siguruar dëshminë se ai e kishte nënshkruar dokumentin për angazhimin e Thaçit gjatë muajit janar, por ai nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit. Dalipi është pyetur nëse e kishte propozuar Leotrim Thaçin për pozitën që ai mbanë në RTK, si dhe nëse lejohet që të ketë pozitë të menaxherit me kontrate mbi vepër. As në këto pyetje, Dalipi nuk ka kthyer përgjigje.
Koeficienti për pozitën e Menaxherit të Njësisë për të Drejtat Autoriale në Radio Televizonin Publik është 5.40 e cila nënkupton pagesë prej 1 mijë e 53 euro.Në ligjin për Shërbyesit Civil thuhet se kontratat për marrëveshja për shërbime të veçanta lidhen në bazë të Ligjit për Detyrimet. RTK-ja në vitin 2020, i është referuar Ligjit për Detyrimet kur kishte nënshkruar kontratë për shërbime me dhëndrin e Sali Bashotës, kryetarit të Bordit të RTK-së për të cilin Kallxo.com raportoi këtë muaj.Ligji për Shërbyesit Civil më nuk është në fuqi, ndërsa ligji që e ka pasuar atë thotë se angazhimi i personave me kontrata për shërbime duhet të bëhet përmes prokurimit.Angazhimin e personave me kontratë për shërbime e rregullon Ligji për Zyrtarët Publik që ka hyrë në fuqi me datën 30 qershor 2020. Ky ligj e ka ndaluar praktikën e lidhjes së marrëveshjeve për shërbime të veçanta, të cilat njihen ndryshe si kontrata mbi vepër.Neni 84 i Ligjit për Zyrtarët Publik thotë se lidhja e marrëveshjeve për shërbime mund të bëhen vetëm përmes procedurave të prokurimit.“Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”, thuhet në nenin 84 të ligjit për Zyrtarët Publik.Në faqen e Prokurimit Elektronik (E-Prokurimi), në të cilën institucionet janë të obliguara të publikojnë secilën procedurë të prokurimit nuk është publikuar asnjë njoftim për angazhime të personave me kontrata për Shërbime nga RTK-ja.Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publik, KRPP-ja e ka miratuar një rregull e cila thotë se angazhimi i këshilltarëve/ekspertëve nga institucionet publike duhet të bëhen përmes procedurave të prokurimit.KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga RTK-ja për bazën ligjore dhe procedurat që janë ndjekur për angazhimin e Leotrim Thaçit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.Bazuar në dokumentin që e ka siguruar KALLXO.com, Thaçi gjatë muajit janar ishte paguar për punën e bërë si menaxher i të drejtave autoriale. KALLXO.com ka kontaktuar me Naser Gjinovci, mbanë pozitën e Menaxherit të Njësisë për të Drejta Autoriale në RTK.Gjinovci ka thënë për KALLXO.com se nuk e di nëse Thaçi është pranuar për këtë pozitë, por ka hamendësuar se i njëjti mund të jetë punësuar në Radio dhe jo në Televizion.
“Unë mbaj pozitën e Menaxher i Deprtamentit për të Drejtat e Autorit. Jo, ju lutem për zotin nuk e di. Nuk e di, cilësinë e tij sepse unë jam në Televizon, ai mund të jetë për Radio ose për diçka tjetër. Nuk e di, nuk i kam shti hundët aty ku nuk duhet. Ajo kontratë është tre muaj mund të vazhdohet edhe për tre muaj tjetër. Unë nuk po du me mbrojt as me arsyetu ata, por duhet me u nis mbi atë që kontrata mbi vepër nuk është e njëjtë si kontrata e rregullt, nuk është marrëdhënie e rregullt”, tha ai.Gjinovci e ka quajtur të çuditshëm dhënien e kontratës mbi vepër për pozitën, “Menaxher i Njësisë për të Drejtat e Autoriale” për nipin e ish Presidentit, Hashim Thaçi.“Menaxher nuk mundet me qenë me kontratë mbi vepër, nuk e di. Është pak e çuditshme kjo”, ka thënë Gjinovci për KALLXO.com.KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Radio Kosovës, Ernest Luma, i cili ka thënë se nuk është në dijeni se Leotrim Thaçi punon në Radio Kosovë.“Jo, nuk jam në dijeni dhe nuk e kam parë. Asnjëherë nuk ka kaluar diçka ka unë me këtë emër, Leotrim Thaçi. Nuk kam asnjë kompetencë dhe nuk kam ndonjë njohuri për të”, ka thënë Luma për KALLXO.com.KALLXO.com ka dërguar dy herë kërkesë për qasje për dokumente publike dhe pyetje në Radio Televizionin e Kosovës për të kërkuar kontratën e Leotrim Thaçit, por RTK deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Leotrim Thaçin përmes motrës së tij, Evgjeni Thaçi dhe gruas së tij, Festina Cakolli.Evgjenie Thaçi i ka thënë KALLXO.com se “pse nuk po i leni njerëzit rehat” dhe “mos u merrni me këto çështje”.E reja e Gani Thaçit në RTKLeotrim Thaçi, nipi i ish-Presidentit Thaçi e ka të punësuar edhe gruan në RTK. Festina Cakolli, gruaja e Leotrim Thaçit dhe reja e Gani Thaçit, është punësuar në RTK para disa vitesh në Departamentin e Marketingut.E kontaktuar nga KALLXO.com, Festina Cakolli ka thënë se nuk mund të flas për këtë çështje.“Më fal, amo këso përgjigje nuk mund të të jap…”, ka thënë ajo.KALLXO.com ka kërkuar nga RTK konkursin përmes së cilit është punësuar Festina Thaçi në Departamentin e Marketingut, por që të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Festina Cakolli dhe Leotrim Thaçi
Edhe Arber Cakolli, vëllai i Festina Cakollit, është punësuar në RTK si kameraman në janar të vitit 2019.Arbër Cakolli në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se në RTK është si bashkëpunëtor i jashtëm dhe kameraman sipas nevojës.Cakolli ka thënë se në punësimin e tij në RTK nuk kanë ndikuar lidhjet me motrën e tij, Festinën apo dhëndrin, Leotrim Thaçi. Ai e ka konfirmuar se motra e tij, Festina punon në RTK.“Po, unë jam vëllai i Festinës. Jam që do kohë në RTK, që 2 vjet, po nuk jam pjesë e stafit jam si bashkëpunëtor i jashtëm, jam kameraman xhirues. Nuk ka ndikuar Festina apo dhëndri, Festina është krejt tjetër sektor në atë të marketingut”, ka thënë Arbër Cakolli për KALLXO.comFadil Hoxha, kryetari i Sindikatës së RTK-së në një postim të tij në facebook pretendon se Festina Cakolli është avancuar në pozitë.Sipas, rregullores për avancime në Radio Televizionin Publik, avancimi behët në bazë të propozimit me shkrim, të cilën e bën mbikëqyrësi dhe miratohet nga Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së.KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nëse është avancuar Cakollit si dhe personin i cili e ka rekomanduar atë për avancim në pozitë dhe nëse është respektuar rregullorja për avancime, por që deri në publikimin e këtij artikulli RTK nuk ka kthyer përgjigje.KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati. Ai ka kërkuar që pyetjet t’i përcillen në e-mail të RTK-së dhe Kallxo më datën 24 dhe 25 mars ka dërguar pyetje dhe deri në momentin e publikimit të artikullit Kastrati nuk është përgjigjur. KALLXO.com ka raportuar edhe për punësimin e dhëndrit të kryetarit të Bordit të RTK-së.Liridon Konushefci, dhëndri, apo burri i vajzës së kryetarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Sali Bashota, është punësuar si mirëmbajtës – shtëpiak në RTK, me kontratë mbi vepër.