Epilogu

Dokumenti sekret i Kurtit: Mbi 40% e popullit janë analfabetë, duhet të përdorim thashetheme

⏩Në një dokument të shkruar nga Albin Kurti për aktivistët e Vetëvendosjes, ai rekomandonte që të përdoreshin thashethemet si mjet për arritjen e qëllimeve politike të LVV-së.

⏩Kurti shkruante vec tjerash se thashethemet funksionojnë në një shoqëri si kjo e jona, “ku analfabetizmi funksional (ku qytetarët i dinë germat por bëjnë shumë gabime në drejtshkrim e gramatikë) ka përfshirë afër 40% të popullsisë”.

Thashethëmet janë burim i (dez)informacionit dhe “qëndrimet tona [të LVV-së, v.j] duhet të përhapen si thashethëme”, thotë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në platformë të shkruar më 2016 të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.

Në platformën e titulluar “Mbi Organizimin Politik (në fazën e Ristrukturimit)”, një dokument 58 faqësh të shkruar më 2016, Kurti fliste për organizimin politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

Dokumentin e kishte shpërndarë tek një rreth i ngushtë aktivistësh të Lëvizjes Vetëvendosje asokohe. Në një pjesë të platformës, ish-kryeministri hedh një vështrim mbi dez(informacionin) dhe nevojën e përdorimit të tij si mjet për arritjen e qëllimeve politike të Lëvizjes.

Sipas asaj që shkruan Kurti në platformë, dez(informacioni) përhapet posaçërisht në një shoqëri si kjo e jona “në të cilën analfabetizmi funksional (ku qytetarët i dinë germat por bëjnë shumë gabime në drejtshkrim e gramatikë) ka përfshirë afër 40% të popullsisë”.

“Kur gënjehet aq shumë zyrtarisht në institucione dhe medie publike, nuk është e befasishme pse njerëzit besojnë më shumë thashethëmat. Qëndrime të caktuara tonat në mjedise e kohë të posaçme duhet të përhapen pikërisht ashtu: pra, si thashethëma”, shkruan Kurti në platformën “Mbi Organizimin Politik” të LVV-së.

Analiza e Kurtit shpreh nevojën që Lëvizja Vetëvendosje të formojë “doemos e urgjentisht” një portal informues, pronë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kurrë më shumë medie s’kemi pasur. Kurrë më pak lajme s’kemi pasur. Kurrë më shumë mjegull s’kemi pasur. Dendësia e komunikimit të drejtpërdrejtë të aktivistëve me qytetarët kurrë s’ka qenë më e rëndësishme. Pra, jo vetëm Facebook, por sidomos Face-to-Face. Dhe, doemos e urgjentisht një portal informues i VETËVENDOSJE!-s për qytetarët”, shkruan Kurti.

Në një pjesë tjetër të platformës së Kurtit për organizimin politik të LVV-së, ish-kryeministri i Kosovës etiketon gazetarët si pjesë përbërëse e “klasës sunduese”. Thotë se pjesë e kësaj klase përveç gazetarëve, janë “edhe politikanët e miqtë e tyre biznesmenë”.

“Kosova ka nevojë për revolucion sepse duhet përmbysur klasa sunduese dhe jo vetëm sistemi politik. Kjo klasë përbëhet prej qeveritarëve dhe miqve të tyre biznesmenë, gazetarë e redaktorë mediash gjykatës, prokurorë e avokatë, profesorë e ekspertë etj.”, thekson Kurti në dokument.

Zgjim Hyseni, një ish-figurë e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, është njëri nga njerëzit që e ka poseduar këtë platformë të shkruar nga Kurti. Në një bisedë me Insajderin të mërkurën, Hyseni ka thënë se “koncepti i organizimit është leninist”.

Exit mobile version