DOKUMENT| Përparim Rama në rolin e “policit rrugor”, jep 300 mijë euro për t’i vëzhguar shoferët
Komuna e Prishtinës, e cila drejtohet nga Përparim Rama, ka ndarë 300 mijë euro për vendosjen e kamerave të sigurisë. Sipas njoftimit të bërë nga Komuna e Prishtinës, këto kamera do të përdoren për t’i vëzhguar veturat nëpër rrugë. Qytetarët do të vëzhgohen edhe nëse i përdorin telefonat dhe nuk i vendosin rripat e sigurisë.
Kryetari londinez i Prishtinës, Përparim Rama, po provon të bëjë një punë të “madhe” për kryeqytetin, e cila nuk është parë deri më tani.
Duke tentuar ta bëjë rolin e “policit rrugor”, i pari i Prishtinës është duke punuar që t’i vëzhgojë në detaje të gjitha veturat që ecin rrugëve të Prishtinës, shkruan Demokracia.com.
Madje, sipas parashikimeve të bëra, shoferët do të filmohen edhe për lëvizjet që i bëjnë brenda veturave të tyre.
Përdorimi i telefonit, rripi i sigurimit, ngjyra e mjetit, modeli i mjetit, targat dhe lloji i mjetit, do të jenë vetëm disa nga vëzhgimet që do të bëhen.
Për implementimin e këtij projekti janë paraparë të shpenzohen fiks 300 mijë euro përmes një tenderi të shpallur nga Komuna e Prishtinës, shkruan Demokracia.com.
Në dosjen e tenderit janë dhënë edhe disa informata se çfarë përshihet me “Vendosjen e kamerave të sigurisë”.
“Përshkrimi i projektit ‐ i tërë sistemi që do të instalohet duhet të jetë i bazuar në sisteme digjitale të teknologjisë së fundit sa i përket kamerave të sigurisë me IP (internet protokoll) si dhe të jenë pajisje të certifikuara me standarde evropiane”, thuhet në dosjen e tenderit.
Bëhet me dije se fillimisht instalimi i sistemit të video-vëzhgimit për monitorim 24/7 është paraparë të implementohet në Prishtinë. Sipas komunës, qëllimi kryesor i vendosjes së këtij sistemi është rritja e sigurisë në trafik.
“Sistemi i mbledhjes se informacionit te automjeteve dhe i monitorimit me te qe është menduar te realizohet ky projekt duhet të jetë i krijuar me algoritme inteligjente, që njeh veçoritë e automjetit dhe zbulon shkeljet në trafik. Qëllimi kryesor i vendosjes se këtij sistemi është rritja e sigurisë në trafik dhe vetëdijesimi shkelësve të rregullave në trafik si dhe të ndikojë në eliminimin e ngarkuesve të përditshme”, thuhet më tej.
Po ashtu, në dosjen e tenderit thuhet se “… në secilin prej pikave do të vendosen kamera me rezolucion minimum 4K(8MP) si dhe kamerat për kontrollin e trafikut te cilat duhet te jene me rezolucion minimum 5MP dhe 9MP për njohje të targave të makinës, njohja e tipit te mjetit, njohja e ngjyrave te automjetit, njohja e prodhuesit te automjeteve, zbulimi i paligjshëm i ndryshimit të korsisë, zbulimi i drejtimit te gabuar te drejtimit, zbulimi i rripit te sigurimit, zbulimi i përdorimit të telefonit, modelet e makinave që suporton: Makinat e vogla/Fugona/Autobusa/Kamiona/SUV/Kembesoret/Motorrat/ Triciklat”.
Të gjitha këto video vëzhguese do të ruhen nëpër serverë të ndryshëm, që i ka paraparë Komuna e Prishtinës, shkruan Demokracia.com.
“Komplet infrastruktura e rrjeti do te behet përmes rrjetit te fibrit optik pemës sviqave me SFP module dhe i gjithë rrjeti duhet të jetë gigabit dhe secili lokacion duhet te ketë fije te veçanta deri qendrën e monitorimit ne objektin e komunës, ku do të bëhet edhe vëzhgimi i tyre. Ne qendrën e monitorimit është paraparë vendosja në një incizuesi të rrjetit (NVR) me kapacitet të instalimit deri në 120 kamera, Serveri me licenca të kamerave, do të vendosen monitor 54” 4K “.
Komuna e Prishtinës, po ashtu, ka paraparë që për vendosjen e këtyre kamerave të bëhen edhe disa punë të vrazhda dhe për t’i kryer ato duhet të gjinden edhe disa mjete.
Lloji i mekanizimit dhe pajisjeve “1.Kamion me shportë ngritëse ≥10 metra lartësi. 2.Kamion vinç me peshë mbajtëse ≥10 metra lartës. 3.Eskavator 4×4, me lugë ngarkuese para dhe mbrapa. 4. Kamion kiper, minimumi 3m3. 5. Makineri për prerje të asfaltit”, janë disa prej mjeteve që kërkohen.
LEXO EDHE:
DOKUMENTE: Kujdes në rrugë, semaforët në Prishtinë tash e masin shpejtësinë e veturave – Demokracia
Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se Komuna e Prishtinës do të vendosë rrugëve edhe pajisje që masin shpejtësinë e veturave që qarkullojnë . Vendosja e ndriçuesve nëpër semaforë, Komunës së Prishtinës do t’i kushtojë mbi 50 mijë euro.
Sipas njoftimit të shpallur në KRPP, thuhet se është dhënë tenderi me përshkrim “Ndërtimi i Semaforëve, modernizimi, ndërtimi i paneleve ndriçuese dhe matësve të shpejtësisë”.
“Vlera e përgjithshme e kontratës 50 756,34. Data e dhënies së kontratës 08.07.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 12.07.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 2. Grup i Operatorëve Ekonomik Bahri Asllani; Lasemaforica s.r.l.”, thuhet në njoftimin e shpallur./Demokracia.com/