Prej kur Kosova qeveriset nga Albin Kurti, shumë pak investime janë bërë në rrugë, spitale, shkolla e projekte kapitale. Tenderët dhe kontratat me kompani kanë qenë tejet të vogla krahasuar me vitet paraprake. Demokracia.com sjell një raport krahasues të punës që është bërë në Kosovë nga viti 2018 e deri në vitin 2021.
“Kur qytetarët kanë shpresë, atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë”, ishte deklarata e kryeministrit Kurti në kohën kur Kosova po përballet me inflacionin më të madh ndër vite, deri në 14.1 për qind. Megjithatë, Qeveria Kurti po rezulton të jetë vetë e pashpresë, pasi që ajo ka futur rreth 400 milionë euro më pak në qarkullim krahasuar me qeveritë e tjera.
Faktin se në vitin e kaluar nuk kishte investime e tregon edhe një raport i Autoritetit të Prokurimit Publik, ku shihet me detaje sa punë është bërë në vitin 2021 krahasuar me vitet 2018, 2019 dhe 2020, shkruan Demokracia.com.
Siç tregohet në këtë raport zyrtar, në vitin e kaluar ka pasur më së paku kontrata të nënshkruara për kryerjen e punëve. Ndërsa, në vitin 2018 dhe 2019 ishin dhënë më së shumti kontrata.
Gjatë vitit 2018 janë nënshkruar gjithsej 12 mijë e 412 kontrata.
Gjatë vitit 2019 janë nënshkruar gjithsej 12 mijë e 461 kontrata.
Gjatë vitit 2020 janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 935 kontrata.
Gjatë vitit 2021 janë nënshkruar gjithsej 9 mijë e 892 kontrata.
“Duke u bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik të Kosovës, autoritetet kontraktuese janë të obliguara t’i paraqesin të gjitha kontratat e nënshkruara, duke përfshirë edhe ato me vlerë minimale”, thuhet në raport, duke treguar se analiza e kontratave të nënshkruara fillohet me ndarjen e autoriteteve kontraktuese në organizata buxhetore, si qeveritare, kompani publike dhe të tjera – OJQ.
Duke e pasur parasysh numrin e vogël të kontratave që janë nënshkruar gjatë vitit 2021, në kohën sa Kosova është qeverisur nga Albin Kurti, e ulët është edhe vlera e tyre në para, raporton Demokracia.com.
Sipas raportit, vlera e kontratave të ndëshkuara në vitin 2019 ishte mbi 781 milionë euro. Kurse, në vitin 2021, vlera e tyre është afër 430 milionë euro.
Vlera e kontratave gjatë vitit 2018 ishte në 631 milionë e 622 mijë e 686 euro.
Vlera e kontratave gjatë vitit 2019 ishte në 781 milionë e 396 mijë e 35 euro.
Vlera e kontratave gjatë vitit 2020 ishte në 499 milionë e 311 mijë e 906 euro.
Vlera e kontratave gjatë vitit 2021 ishin në 429 milionë e 622 mijë e 215 euro.
Ky raport, po ashtu, pasqyron strukturën apo pjesëmarrjen e vlerës së kontratave të nënshkruara gjatë vitit 2021.
“Organizatat buxhetore – qeveritare marrin pjesë me 80.89%, kompanitë publike me 18.66%, derisa të autoritetet tjera – OJQ’të me vetëm 0.45% në vlerën e përgjithshme të kontratave të nënshkruara”.
Edhe vlera e kontratave dhe aneks kontratave të nënshkruara gjatë vitit 2021 ka një rënie të madhe në krahasim me vitet 2019 e 2020.
Vlera për 2019 është 781 milionë e 396 mijë e 35 euro.
Vlera për vitin 2020 është 499 milionë e 311 mijë e 906 euro.
Vlera për vitin 2021 është 429 milionë e 622 mijë e 215 euro.
Raporti i Autoritet të Prokurimit Publik ka treguar sa ishte edhe numri mesatar i kompanive që kanë konkurruar për një tender gjatë viteve 2017 – 2021
“Numri mesatar të ofertuesve që kanë konkurruar për një tender apo prokurim në Kosovë gjatë viteve 2017 deri 2021. Mesatarja gjatë këtyre viteve del se për një tender kanë ofertuar 4.5 operatorë ekonomikë”.
Gjatë vitit 2021 në Kosovë janë evidentuar 160 autoritete kontraktuese që kanë kryer prokurime, ndërsa për 16 autoritete kontraktuese prokurimet i ka kryer Agjencioni Qendror i Prokurimit.
Në fund tregohet se Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) për çdo vit kalendarik duhet të përgatisë dhe dorëzojë në Qeveri dhe Kuvend një raport vjetor që analizon aktivitetet e prokurimit publik në Kosovë për atë vit kalendarik.
Bazuar në raportet e dërguara nga autoritetet kontraktuese, shihet se gjatë vitit 2021 në tërë Kosovën janë nënshkruar 9892 kontrata publike të udhëhequra sipas Ligjit për Prokurim Publik të Kosovës, duke i përfshirë të gjitha llojet e vlerave të kontratave.
Në raport janë dhënë detaje edhe për anulimet e aktiviteteve të prokurimit dhe anulimet e dhënies së kontratës.
Gjatë vitit 2021 janë monitoruar 496 raste te njoftimeve për anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe 4 raste te njoftimeve për anulimin e dhënies së kontratës.
“Nga monitorimet e anulimit të njoftimit për kontratë kemi evidentuar këtë gjendje: – 133 raste nuk është dorëzuar asnjë ofertë, – 116 raste nuk ka asnjë ofertë të përgjegjshme, – 78 raste anulim për shkak të tejkalimit të buxhetit, – 0 raste anulim për shkak të gabimeve teknike në specifikacion teknik”. /Demokracia.com/