Epilogu

DOKUMENT| Qeveria Kurti e krijon një pozitë të re nëpër ministri, zyrtar për “Fake News”

Lëvizja Vetëvendosje i përdori si arsyetim lajmet e rreme për rrëzimin e Qeverisë Kurti I. Të zhytur në paranoja, Qeveria Kurti II po ndërmerr hapa që të rehatojë nëpër institucione edhe zyrtarë të veçantë për “Fake News”.

Qeveria e Kosovës po e krijon edhe një pozitë të re nëpër zyrat e informimit të dikastereve qeveritare. Bëhet fjalë për zyrtar për “Fake News”, me të cilët pushteti po pretendon se do t’i luftojë dezinformatat.

Demokracia.com ka siguruar një e-mail që u është nisur ministrive, ku u kërkohet që ta caktojnë nga një zyrtar të tillë.

Përgjegjësi i Zyrës për Komunikim me Publikun në Qeverinë e Kosovës, Flamur Salihu, në një e-mail drejtuar ministrive thotë se ky person do ta ketë luftimin e “Fake News” punë “të përhershme dhe primare”.

“Ju lutem që të caktoni nga një zyrtar/e nga zyra e juaj përgjegjës për të trajtuar fushatat dezinformuese (apo Fake News). Zyrtari/ja këtë detyrë duhet ta ketë të përhershme dhe primare. Në proces, do të punojmë së bashku që të hartojmë përshkrimet e sakta të përgjegjësive dhe rutinës. Nëse aktualisht nuk keni zyrtar/e në dispozicion për ketë përgjegjësi, e Vendosni një person përkohësisht dhe pastaj këtë çështje e trajtoni me Sekretaret brenda institucionit tuaj në mënyrë që në periudhën e rishikimit të buxhetit, të plotësohet kjo pozitë”, thuhet në e-mailin e siguruar nga Demokracia.com.

Por, vetë zyrtarët e LVV-së, partisë në pushtet, njihen për prodhim dhe shpërndarje të lajmeve të rreme, raporton Demokracia.com.

Madje, fushatat më të egra politike të Lëvizjes Vetëvendosje ishin të bazuara në “Fake News” në të kaluarën.

Kurti ishte gjithnjë ithtar i thashethemeve dhe në vitin 2016 e kishte vendosur edhe në platformën politike përhapjen e qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje përmes kësaj “metode”.

Kurti shkruante veç tjerash se thashethemet funksionojnë në një shoqëri si kjo e jona, “ku analfabetizmi funksional (ku qytetarët i dinë germat por bëjnë shumë gabime në drejtshkrim e gramatikë) ka përfshirë afër 40% të popullsisë”. Thashethemet janë burim i (dez)informacionit dhe “qëndrimet tona [të LVV-së, v.j] duhet të përhapen si thashetheme”, kishte thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, aktualisht kryeministër i vendit, në një platformë të shkruar më 2016. /Demokracia.com/

Exit mobile version