Një dokument i ri nga Arkivat Osmane zbulon se shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të 1912-ës u bë me pëlqimin dhe miratimin e Qeverisë osmane. Në një punim të përgatitur nga Mehmet Tütüncü, Mithat Aydin dhe anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, historianin Ardian Muhaj, në portalin akademia.edu, zbulohet një dokument i rëndësishëm nga Arkivat Osmane në Stamboll se, Kongresi i Vlorës dhe shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor të 1912-ës ishte në dijeni dhe miratim të Kabinetit të ministrave të Perandorisë Osmane.
Dokumenti i gjetur në arkivat osmane mban datën 27 nëntor 1912 dhe është një vendim i kabinetit qeveritar osman i nënshkruar nga anëtarët e këtij kabineti. Dokumenti është një përgjigje e qartë mbi disa sqarime të kërkuara nga komandanti osman i zonës së Shqipërisë së Jugut dhe Çamërisë me qendër në Janinë, pra kryekomandanti i vilajetit të Janinës, Esat Pashë Janina. Ai kërkon nga qeveria e Stambollit një udhëzim se çfarë duhet të bëjë me Ismail Qemalin dhe bashkëpunëtorët e tij të cilët kishin lënë Durrësin dhe priteshin nga çasti në çast të mbërrinin në Vlorë për të mbajtur një kuvend mbi çështjen e Shqipërisë.
Përgjigja e Stambollit zyrtar është e qartë dhe e prerë që të mos pengohej në asnjë mënyrë mbajtja e atij kuvendi, pasi Ismail Qemali kishte tashmë aprovimin e qeverisë osmane për të organizuar një kuvend shqiptar ku të shpallej autonomia më e lartë e krejt Shqipërisë, me përjashtim të shkëputjes nga shteti osman. Siç dihet në 28 nëntor 1912 delegatët e mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare që kishin mundur të mbërrinin në Vlorë, u pajtuan njëzëri pas diskutimesh të shumta që të shpallej jo autonomia e plotë, por pavarësia e plotë e Shqipërisë nga shteti osman. Parë në këtë aspekt, me gjithë rëndësinë që ka mbështetja e qeverisë osmane për mbajtjen e Kuvendit dhe aprovimi nga ana e saj e kërkesës së pritshme për autonomi të lartë e krejt Shqipërisë, vendimi i delegatëve të Kuvendit ishte një akt madhor përgjegjësie dhe zgjuarsie politike. Delegatët shqiptarë të mbledhur në Kuvendin e Vlorës ishin shumë më në dijeni të situatës dhe natyrisht zëdhënës të vërtetë të aspiratës së shqiptarëve për krijimin e shtetit kombëtar, sikurse të gjitha kombet ballkanike.
Dokumenti
27 nëntor 1912. Komandanti i Janinës ka dërguar një telegraf të koduar dhe ka shtruar disapyetje për qeverinë. Ismail Qemali me 14 bashkëpunëtorë dhe disa nënshtetas të huaj do të mbajë një kuvend mbi situatën politike në Shqipëri. Është me shumë rëndësi që të mos pengohet mbajtja e këtij kuvendi. Në telegrafin e përmendur më herët thuhet se Ismail Qemali me 14 bashkëpunëtorë të tij dhe disa nënshtetas të huaj ka mbërritur në Durrës me qëllim për të mbërritur në një zgjidhje politike për çështjen shqiptare. Për këtë ai ka thirrur mbledhjen e delegatëve në Vlorë dhe ai vetë do mbërrijë së shpejti në Vlorë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje.
Ai kërkon të mund të organizojë një kuvend në këtë situatë emergjente. Ky kuvend është i një rëndësie tepër të madhe. Për arsye se ai sapo ka mbërritur nga kryeqyteti ai dëshiron të informojë qeverinë sulltanore dhe kërkon leje për mbajtjen e këtij kuvendi. Në fakt është qëndrimi i qeverisë sonë për t’i akorduar autonominë më të lartë të gjithë territoreve shqiptare me përjashtim të shkëputjes. Për më tepër pas shqyrtimeve tona dimë se ky është edhe qëllimi i këtij kuvendi dhe për këtë arsye është me shumë rëndësi që të mos pengohet mbajtja e tij. Nga ana jonë do të vëmë në dijeni komandantin e sipërpërmendur si edhe Ministrinë e Luftës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme mbi këtë çështje. MV., 171/53, 17.12.1330 (27 nëntor 1912).
I pyetur nga redaksia e gazetës “Si”, historiani Muhaj thotë se dokumenti i gjetur në arkivat osmane është autentik “dhe ka rëndësinë e vet”, shton por nuk ndryshon asgjë në narrativën historike. “Qëndrime të kësaj natyre ka mbajtur qeveria osmane që kur e pa të qartë se po e humbte luftën, në nëntor të 1912-ës”, thotë anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke shkuar më tej, se historianët shqiptar i kanë ditur këto qëndrime dhe se ka edhe dokumente të ngjashme, të ditura me kohë. Muhaj thotë se dokumente të ngjashme janë publikuar në vende të ndryshme e në gjuhën angleze, turke e gjermane, por pak prej tyre janë publikuar në gjuhën shqipe. Muhaj zbulon se po punon ta thellojë e zgjerojë më shumë këtë çështje, duke e pasuruar edhe me detaje të reja.
Muhaj thotë se aktualisht është pak e vështirë kontekstualizimi i këtij dokumenti dhe pa vënien në kontekstin kohor edhe domethënie mbetet e paqartë. “Është dokument i rëndësishëm, por kështu i shkëputur nuk thotë shumë”. Muhaj zbulon se bashkëpunon me historianin turk, Mehmet Tütüncü prej vitesh dhe se së shpejti po përgatisin për botim një libër mbi mbishkrimet osmane në Shqipëri, shkruar në gjuhën angleze nga Tütüncü e që do të vijë me përkthimin e Muhaj. Ky fakt, vijon historiani shqiptar, nuk i heq asgjë patriotizmit të figurave që kontribuuan në procesin e Pavarësisë.” Përkundrazi dëshmon aftësinë e urtinë e tyre për të shfrytëzuar rrethanat e ndërlikuara ndërkombëtarisht për të nxjerrë në dritë çështjen shqiptare.” I pyetur nëse historiografia komuniste ka ndikuar në lënien jashtë të dokumenteve të tilla, Muhaj përgjigjet: “Historiografia komuniste ka pasur shqetësime të tjera, si në çdo aspekt të jetës dhe nuk i ka interesuar asgjë tjetër veç pushtetit”.
Shpallja e Pavarësisë, 28 nëntor 1912
Në Vlorë me 15/ 28 nëntor 1328/1912. Pas fjalimit të mbajtur nga Presidenti, Ismail Qemal Beji, në të cilën ai foli rreth rreziqeve të mëdha me të cilat përballet Shqipëria sot, delegatët të gjithë vendosën unanimisht se Shqipëria, duhet të jetë më vete, e lirë dhe e pavarur.
Firmat e nënshkruesve, sipas rendit alfabetik
Dhimitër Beratti
Elmaz efendi Boce