Epilogu

“Berisha ka deklaruar se Shqipëria e njeh Kosovën si një entitet autonom brenda Serbisë”

Para pak ditësh, Demokracia.com ka publikuar dokumentin e CIA-s, ku ndër të tjera tregohej sesi Sali Berisha në vitin 1995 i kishte bërë presion presidentit Ibrahim Rugova për të hequr dorë nga pavarësia e Kosovës.

Dokumenti i publikuar ngjalli debate të shumta në Kosovë e veçanërisht në Shqipëri.

Demokracia.com ka siguruar edhe një dokument tjetër të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku tregohen detaje të takimit mes presidentit Bill Clinton dhe Sali Berishës.

Ashtu si në dokumentet e CIA-s, edhe këtu shpërfaqen qëndrimet e Sali Berishës të cilat nuk ishin pozitive për Kosovën. Sali Berisha kishte kërkuar vetëm autonomi për Kosovën, për dallim nga kryeministri Meksi, i cili kishte kërkuar pavarësi.

Ky është dokumenti i plotë i deklasifikuar i CIA-s:

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë dhe Maqedoninë

Serbia:

Shqipëria dhe Serbia janë të përfaqësuar në secilin nga kryeqytetet e tyre nga një i ngarkuar me punë. Çështja e Kosovës dominon marrëdhëniet e Shqipërisë me RFJ-në. Shqipëria është i vetmi vend që njeh “Republikën e Kosovës” deklaruar nga përfaqësuesit e shumicës së shqiptarëve etnikë në këtë ish-krahinë autonome serbe. Megjithatë, Qeveria e Shqipërisë ka disa paqartësi në njohjen e saj. Berisha ka deklaruar se Shqipëria e njeh Kosovën si një entitet autonom brenda Serbisë. Të tjerët, përfshi kryeministrin Meksi kanë folur për pavarësinë e saj.

Në gusht, pas risistemimit të disa serbëve të Krajinës në Kosovë, shefi i diplomacisë Sereqi i shkroi Sekretarit të Shtetit duke theksuar se Qeveria e Shqipërisë “nuk do të jetë indiferente dhe nuk do të mbajë një qëndrim pasiv” në rast të një përhapjeje të mundshme të konfliktit në Kosovë. Edhe pse Shqipëria mund të bëjë fare pak për të ndihmuar Kosovën ushtarakisht kundër serbëve, ajo mund të japë armë dhe inkurajim në rast konflikti. Ajo është krejtësisht e papërgatitur për një dyndje të mundshme të qindra mijëra refugjatësh.

Shqipëria ka hapur objektet e saj ushtarake për përdorim nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO dhe ka frikë nga reprezaljet e mundshme nga pala e Beogradit për këtë bashkëpunim. /Demokracia.com/

Exit mobile version