Më shumë se nëntëmbëdhjetë vjet pas krimit për të cilin dyshohet se e ka kryer, Skender Bislimi është përballur sot me vendimin e drejtësisë.
Gjykata e Prishtinës e ka gjetur Bislimin fajtor dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim.
Krimi për të cilin është gjykuar Skender Bislimi ka ndodhur më 26 mars 1999, në Fushë-Kosovë, në stacionin e autobusëve.
Dosja e lëndës sqaron se hetimi për ato çfarë kishin ndodhur në Fushë Kosovë ishte inicuar nga porkurori italian Mauricio Salustro ndërsa rasti është përfunduar nga prokurorja Drita Hajdari.
Sipas aktakuzës, i pandehuri bashkë me persona të tjerë kanë dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e së paku 40 djemve dhe burrave civilë shqiptarë, raporton KALLXO.com.
Në atë kohë Fushë-Kosova ishte në flakë dhe familja Bajrami së bashku me familje të tjera nga Fushë-Kosova ishin mbledhur te stacioni i autobusëve dhe po tentonin të gjenin rrugën për në Prishtinë, mirëpo rrugëtimi i tyre ishte i pamundshëm pasi që atë ditë Skender Bislimi me së paku 10 persona tjerë, ushtarë e paramilitarë serbë, i kishin nxjerrë nga autobusi dhe fillimisht i kishin ndarë burrat në një anë dhe gratë me fëmijë në anën tjetër.
Burrat e ndarë i kishin ulur në gjunj dhe detyruar të këndojnë këngë serbe patriotike.
Gjithnjë sipas vendimit të shkallës së parë, Skender Bislimi ka kryer arrestime ilegale dhe marrje të pengjeve kjo pasi që e kishte parë Haki Bajarmin, fqinjin e tij të parë në turmën e shqiptarëve te stacioni i autobusëve në Fushë-Kosovë kishte bërë me shenjë që i njëjti të arrestohet, raporton KALLXO.com.
Së bashku me Haki Bajramin ishte arrestuar edhe Bujar Bajrami. Ai kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit, ndërsa Haki Bajramit iu gjet vetëm trupi në mbetjet mortore të një varrezë masive në lagjen Dragodan të Prishtinës.
Gjatë procesit gjyqësor kishte dëshmuar bashkëshortja e të ndjerit Haki Bajrami, Hasmie Bajrami.
Ajo kishte thënë se Skender Bislimi me dy persona të tjerë kishin bllokuar dyert e autobusit.
Ndërsa nipi i të ndjerit kishte deklaruar se ishte i bindur që Bislimi kishte lajmëruar se ishin duke ikur nga Fushë-Kosova.
Gjatë gjykimi kishte dëshmuar edhe dëshmitarja Haxhere Jashari, e cila kishte deklaruar se nga të tjerët ka dëgjuar se pjesë e paramilitarëve serbë ishte edhe i akuzuari Skender Bislimi.
Në fjalën përfundimtare në ketë proces, prokurorja Drita Hajdari tha se është vërtetuar fajësia e te akuzuarit Bislimi.
Nebojsha Vlajiq, avokati i Skender Bislimit, kishte kërkuar aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij gjatë fjalës përfundimtare.
Ndërsa Bislimi kishte deklaruar edhe një herë pretendimet e tij për pafajësi.
Aktakuza ndaj Skender Bislimit ishte ngritur në javën e parë të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Charles Hardaway nën dyshimet se më 26 mars 1999, në Fushë-Kosovë bashke me së paku 10 persona të tjerë, kanë cenuar integritetin trupor të 40 civilëve shqiptarë.
Sipas aktakuzës Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë, në pranverë të vitit 1999, ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.
Skender Bislimi ishte arrestuar në Bosnjë-Hercegovinë në gusht të vitit 2016, në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Prishtinë më 13 shkurt 2013.
Pas kërkesës së PSRK-së, Bislimi ekstradohet në Kosovë më 9 dhjetor 2016, për t’u dënuar me 25 tetor 2018.
Bislimi gjatë tërë procesit gjyqësor ishte deklaruar i pafajshëm duke aluduar se në ditën kur pretendohet se ka ndodhur rasti, nuk ka qenë në Fushë-Kosovë.
Për rastin e njëjtë te stacioni i autobusëve në Fushë-Kosovë, prokurori ndërkombëtar Maurizio Salustro në shtator te vitit 2013 kishte ngritur aktakuzë ndaj Ivan Radivojeviqit.
Rezervisti serb ishte gjykuar dhe dënuar me 8 vjet burg në shkurt te vitit 2014, nga trupi gjykues i përbërë prej Malcom Simmons, Manuel Soares dhe Faik Hoxha.
Aktgjykimi i shkallës së parë me të cilin ishte gjykuar rezervisti serb ishte ndryshuar nga Gjykata e Apelit, e cila dënimin ia zbuti në 6 vjet./kallxo/ https://kallxo.com/shkurt/historia-e-denimit-te-skender-bislimit-e-nisur-nga-salustro-e-e-perfunduar-nga-prokuroret-vendore/