Epilogu

Dosjet sekrete britanike: Mehmet Shehu u stërvit në Spanjë për tortura e vrasje nga më mizoret

Mehmet Shehu, që qëndroi në krah të Enver Hoxhës për 40 vjet, ka qenë një nga udhëheqësit më të egër e mizorë në diktaturë, një vrasës i stërvitur. Kjo është dëshmia që del nga arkivat sekrete britanikë rezervuar për historinë në dosjen HS 5/73, që përkon me raportime të vitit 1945.

I lindur në fshatin Corush të Mallakastrës, ai është i biri i Ismail Shehut dhe i nipi i Sheh Aliut, që njihen si dy eksponentë të rëndësishëm të rebelimit të viteve 1914-1915, të udhëhequr nga Haxhi Qamili kundër qeverisë shqiptare të asaj kohe. Sheh Aliu, që në vetvete ishte një krijesë e egër dhe e paskrupullt, ka vrarë Hajredin Fratarin dhe Ismail Klosin, që ishin nacionalistët e njohur të provincës së Mallakastrës.

Mehmet Shehu la përgjysmë shkollën e tij ushtarake dhe shkoi në Spanjë së bashku me shokun e tij Hulusi Spahiun. Atje së bashku u bënë pjesë e ushtrinë komuniste Spanjolle ku u stërvitën në kryerjen e torturave dhe vrasjeve. Ja disa nga krimet e tij nga lista e gjatë e krimeve të kryera në Shqipëri:

Ai u kthye në Shqipëri fill pas pushtimit italian dhe i grabiti 400 napolona Jonuz Nurës (në fshatin Murtajas të Mallakastrës). Më vonë ai hyri në Partinë Komuniste. Pas betejes së Selenicës, ku u kapën 63 të burgosur italianë, ai i torturoi dhe i vrau të gjithë me dorën e tij, duke i treguar rekrutëve të rinj komunistë se si duhen bërë gjërat. Midis të burgosurve ishte një kapiten Italian, një ish shok i vjetër shkolle nga Modena. Ai e hoqi qafe edhe atë pasi e mbajti si të ftuar për një javë.

Shpella e Kremenarit është dëshmitar i këtyre masakrave. Në një konflikt të Lushnjes ndërmjet komunistëve dhe jo komunistëve, të kuqtë burgosën 64 persona që u masakruan të gjithë nga Mehmet Shehu. Në fshatin Velçan të Mokrës ai goditi për vdekje me thikë dy nipërit e Hasan Beut. Në fshatin Corush ai torturoi dhe vrau kapitenin Idriz Drizarin. Në fshatin Cepan të Skraparit ai torturoi Seit Cepanin, të birin e Asllan Bej Cepanit duke i prerë me sharrë të dy këmbët dhe duke e lënë të vdesë në agoni. Sot një krijesë e tillë mban një post të rëndësishëm në ushtri me gradën gjeneralmajorit. /Standard/

Exit mobile version