Epilogu

Drejtori i CIA-s gjatë luftës së Kosovës, George Tenet e kishte nënën dhe babain shqiptarë me mbiemrin Koka

Xhorxh Tenet ishte Drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës e cila shkurtimisht njihet me emrin CIA gjatë luftës së fundit të Kosovës. Pikërisht marrëdhëniet e CIA-s amerikane dhe UÇK-së e sollën lirinë e Kosovës.

Xhorxh Tenet vinte nga një familje shqiptare, me baba nga Qeparoi dhe nënën nga Himara. Mbiemrin e tij i vërtetë është Koka. Babai dhe nëna ishin larguar nga Shqipëria në moshë të re dhe ai bashkë me vëllain e tij binjak ishin rritur në Kuins, në mesin e komunitetit grek.

Koço Koka është mbi 90 vjeç. Jeton në Qeparo të bashkisës së Himarës. Është një plak shtatlartë dhe shqipebukur. Ai është një zotni që të befason me elegancën komunikuese dhe qashtërsinë arsyetuese. Ka një kujtesë befasuese. E ka të rrjedhshëm përherë ligjërimin dhe rrëfimin biografik. Ka ditur të mbartë në kujtesë krejt çka është më e vlershme prej jetës së vet dhe asaj që i kanë përcjellë të parët.

I përket një familjeje që e ka historinë më të madhe se deti i Qeparoit. Histori, të cilat janë aq të bollshme, sa nuk mund të përshkruhen me vijat e shkumës që varkat e Qeparoit lënë në gji kur kthehen dhe ikin drejt Porto Palermos apo thellësive të bregdetit të Borshit.

***

Në  vitin 1943, në Qeparo fshat, gjyshi  i Koços, i quajtur Nino Koka, takon një italian të mbetur nga lufta pas rënies së Italisë së Duçes dhe ushtarët apo formacionet e fashistëve u lanë si trofe të gjalla brigjeve joniane dhe monopateve të Lumit të Vlorës e më tej Shqipërisë. Në shtator të 1943 u gjet nga plaku i Koke dhe në shtator të 1944 u përcoll për në vendin e tij, në Itali me një avion anglez.

-E përcollëm,- thotë  Koço, si të përcillnim të afërmin tonë për në kurbet apo siç themi ne bregasit, për në kseniti. Në fakt ai kthehej shëndoshë e mirë në vendin e tij. Në vitin1945 na njoftoi me një letër që: mbërrita shëndoshë!

Në fillim të viteve ’90-të, i shkruaj kryetarit të komunës së Kaljarit. I them që e kemi mbrojtur nga gjermanët Antonio Laten. Kryetari i komunës më thotë: ” Në emër të popullit të Italisë, të falenderoj!”

Në mars të vitit 1996, udhëtuam  bashkë me zonjën time me avion, për në Kaljari.

Historia e strehimit prej nesh të Antonios ishte bërë legjendë. Në Alto Maxhore ato ditë, organizuan piknikë enkas për ne. Na pritën gjitonët e tij. Tamam si në zakonet tona!

Në Alto Maxhore… me anijet e 1991, ishin të parët shqiptarët që zbritën në Sardenjë….dhe ata i pritën e i mbajnë shqiptarët e, veçanërisht bregasit, si vëllezër të vërtetë…

E vërteta e familjes Tenet-Koka

Koço Koka ka qenë ndër shoferët më të njohur të ish parkut automobilistik të Vlorës që mbulonte linjat e vështira të udhëve të Bregut, deri në Sarandë. Lëvizte çdo ditë përgjatë rrugëve Qeparo-Vlorë-Himarë-Sarandë- Çoraj- Fterë….

Për këtë periudhë veçon këtë rrëfim:

Në  vitin 1983, më vjen një telegram nga drejtoria e Parkut Vlorë. Iki me urgjencë dhe me brengën: – Pse më kanë thirrur??!?

Sa vete në Park, më thotë një plak: ” Ç’a ke bërë mor, se këtu janë mbledhur gjithë Sigurimi??”

Sapo i kishin pyetur njerëzinë te Parku dhe asministratën, ata kishin thënë:

-Ne e njohim për njeri të mirë. Paska qenë kameleon.!

Arsyeja lidhej me një letër anonime. Kishin nisur një letër, ku shkruhej se: e ka nisur autobuzin 5 orë me vonesë, se ka mbajtur zi për një amerikan.(!)

 Amerikani ishte xhaxhai, babai i binjakëve të njohur në New York; Xhorxh dhe Bill Tenet. Ai ishte vëllai i babait tim. Po në atë kohë shumë pak njerëz e dinin dhe s’kishin si ta dinin!

Më morën në pyetje dhe pas torturës psikologjike më hoqën autobuzin një muaj. Ne nuk dinim se çbëhej me Tenetët, domethënë me Kokat e fisit dhe gjakut tim .As ata nuk dinin gjë.(!)

***

Kur bëhej lufta në Irak, në Qeparo dhe në Himarë, poshtë në Spile, ruheshin dy shtëpi. SHIK-u dhe policia mbanin vëzhgues dhe forca sigurie pranë dy banesave bregase; atë te Kokat ndanë shëtitores aktuale të plazhit të Qeparoit dhe atë të Kaçelanove në lagjen “Stefanel” në qytetin e Himarës, fare afër, jo më larg se 200 metra larg shpellës së Odiseut. Në këto dy shtëpi kishte të afërm, familjarë të drejtorit të CIA-s, Xhorxh Tenet. Për këtë lidhje, shumë pak njerëz kishin dijeni si në Shqipëri, ashtu në Greqi dhe aq më pak në Amerikë.

Kur  ish Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha  udhëtoi në USA,  takoi Xhorxhin, djalin qeparotas që donte dhe mbante më shumë kujtime nga nëna himariote. Saliu nisi të  ankohej për përdorimin grek të himariotëve. Madje edhe t’i etiketonte. Mirëpo u përball me shkëmbin e madh, djalin e Himarës, i cili i tha se unë jam himariot. Habitet Saliu dhe i sfiduar nga kjo padijeni, lëshon rrebeshin mbi këshilltarët dhe njerëzit e shërbimeve shqiptare. E pëson Ambasadori Bino. Ndërkohë që Xhorxhi më vonë do të dëshmojë shërbim ndaj Kosovës dhe vëllai i tij doktori nuk do e harrojë dhe do jetë vizitor i surprizave në Qeparo dhe në Himarë.

 Shoferi veteran i Qeparoit, Koço në episodet telegrafike që na rrëfen, e shton edhe një ankesë. Më saktë, nuk është e tillë, por denoncim dhe  reagim si për amanet dhe mbrojtje testamenti. E ka për pronat. Nuk mendon thjesht për pronën e familjes dhe fëmijëve të tij, por për atë të fisit. Ka një brengë fisnike. Kërkon t’u bëjë një dhuratë të fisme dy kushërinjve të tij të parë, Xhorxhit dhe Vasilit në New York.  Ai ka dy  parcela me sipërfaqe njëra 1420 dhe tjetra me 1170, plus 500 trualli i shtëpisë së të parëve, ndanë rrugicës që të çon në shëtitoren e plazhit të Qeparoit. Janë toka të familjes Tenet,  të bijve të Qirjakos. Sipas Koços, atyre u takojnë rreth 1170 metër katror. Disponon edhe AMTP,  si dhe hartën, dokumentet me emrin e gruas së tij… por një histori mashtrimi dhe burokracie i mban peng dhe i pengon të sosin procedurën dhe të fitojnë statusin e plotë juridik të pronësisë dhe trashëgimit.

Kjo histori dhe bëma e saj, ka marrë udhë nëpër shumë zyra shqiptare dhe madje edhe në Uashington e më tej. Por ende nuk merr zgjidhje. Në Shqipëri dhe sidomos në Himarë, (aq më specifikisht në Qeparo), mund të ndodhë që një çështje prone të mos zgjidhet edhe kur ka ankesa e letra si në ambasada, në qeveri, në kanceleri dhe në shërbime. Mesa duket, më shumë se prona, rëndësi kanë historitë që rrjedhin prej saj… Ndoshta jo prej së cilës, mbahet në statusin e problematikes, Shqipëria si shtet.

Kjo histori që na rrëfen Koço, duket se fiton një lidhje kumtimore me baladën unike të Qeparoit.  Heroi i baladës-këngë të cilën e ka komentuar edhe Ismail Kadare tek eseja ” Autobiografia e popullit në vargje”, e ka emrin si edhe babai i dy vëllezërve Tenet, pra si xhaxhai Qirjako, i Koços. Kjo baladë ka për fund, vargun:” Bjeri varrit dhe dil vetë!”

 Qeparo, 3 Qershor 2022


Exit mobile version