Drejtori serb i suspenduar: Në 2011 refuzova heqjen e targave KM, më përjashtuan edhe atëherë”
Nenad Gjuriq, drejtori i suspenduar i Policisë në Veri, ka bërë të ditur disa detaje të reja pas largimit të tij nga kjo pozitë.
Gjuriq ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Drejtoria e Policisë në Prishtinë që të mos ketë lëvizje, të cilat mund të shkaktojnë probleme të mëdha.
“I kemi treguar Drejtorisë së Përgjithshme në Prishtinë dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos bëjnë lëvizje që mund të na çojnë në disa probleme të mëdha”, tha Gjuriq për TV Pink.
Gjuriq ka folur edhe për prezencën e pretenduar të Njësive Speciale në Veri. Megjithatë, Gjuriq ka treguar se kjo situatë i kishte ndodhur edhe një herë në vitin 2011.
“Në vitin 2011 kur më kërkuan heqjen e targave KM nga veturat, unë refuzova me shkrim dhe më pas më pezulluan dhe më përjashtuan nga puna, dy vjet isha jashtë policisë së Kosovës dhe më pas falë vendit tim të Serbisë, e cila më propozoi, jam emëruar në vitin 2013 në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë Veriore në Bruksel dhe ja ku jemi sërish në të njëjtin moment dhe vërtet thashë se mjaft dhe është e pamundur të të shtyhet në një qoshe dhe të mos bëjë diçka”, tha Gjuriq.
Ai ka kërkuar që KFOR-i dhe EULEX-i të përkujdesen për gjendjen e sigurisë në veri.