fbpx
Opinione

Drejtshkrimi është vlerë e shtuar e mendimit!

Gjuha shqipe, askujt nuk ia ka borxh lëndimin, shkruani drejt, mbase, drejtshkrimi mësohet më lehtë se sa mendohet. Sepse, në fillim duhet të jetë dashuria për gjuhën shqipe që na obligon ta ruajmë, kultivojmë, çojmë përpara dhe lëmë trashëgim.

Shkruan Skënder Berisha

Më ka rënë të jetoj e punoj në një shtet gjermanisht folës, pesë vjet.  Për atë kohë, mora vesh se drejtshkrimi i gjuhës gjermane, ishte aftësi të cilën e dispononte secili gjerman e austriak me të cilët kam punuar, pavarësisht nivelit të shkollimit. Madje, edhe te secili kolegë apo mik gjerman që kam njohur, nga kjo kulturë gjuhësore. Konstatimin se gjermanët e njohin drejtshkrimin,  e kam sjell, pasi i kam testuar, kolegët në punishte (baushtellë). Mbase, përgjithësimi nuk është i mirë, po flas për një dorë njerëzish që i kam njohur, mbi tridhjetë austriakë, gjermanë e gjermane.

Kam qenë ndihmës në punishte, të shumtën e rasteve, normalisht, ndihmësit, merren edhe me bukën e “shefit”. Pra, kur shkoja të merrja ushqime, merrja edhe ndonjë porosi.

Gjuha ime gjermane ishte e librave, për aq sa kisha arritur të mësoja ngase më bënte shumë telashe njohja superiore e gjuhës serbo-kroate. Kisha mësuar shumë vite nga libri i Alois Schmaus, për këtë libër, kisha kohë, me vite, por edhe libra të autorëve tjerë.  

Pra, kur shkoja të blija ushqime, porositë e “shefit”, apo të kolegëve, i merrja me shkrim nga vet porositësit. Këtë kërkesë, e bëja me arsyetim se mos gaboja apo ndryshoja porosinë.

Kam punuar me disa të tillë, deri sa nuk u bëra vet “shef”, por, përvoja më thotë se sado “trap” ishte shefi im, drejtshkrimin e kishte të rregullt. Njërin nga ta që ishte më i trash, por i sinqertë, kur i thash se shkruan bukur dhe saktë, më tha unë e kam kryer vetëm shkollën fillore, por shkolla jonë fillore, drejtshkrimin ta rrënjos në kokë, për sa të jetosh.

Kjo çështja e drejtshkrimit ndër qytetarët që flasin gjermanisht më ka zgjuar kureshtjen për vërtetësinë, të cilën për pesë vjet nuk kam arritur ta demantoj. Më vonë, kam marrë vesh se shkolla fillore në disa shtete, ka disa obligime, ndër to, të patejkalueshme e kanë: mbledhjen, zbritjen, shumëzimin, pjesëtimin në matematikë dhe drejtshkrimin.

Drejtshkrimi flet shumë. Së pari flet për artikulimin e brendshëm të subjektit, pastaj të tjerat.

Kjo skicë mendimore, është bërë i shtyrë nga gjuha e shkruar me tepër gabime nga disa bartës të diplomave të mira, diplomave e titujve të lartë, por, mungesë kulture shkrimi e drejtshkrimi.

Gjuha shqipe, fundja, askujt nuk ia ka borxh lëndimin, shkruani drejt, mbase, drejtshkrimi mësohet më lehtë se sa mendohet. Sepse, në fillim duhet të jetë dashuria për gjuhën shqipe që na obligon ta ruajmë, kultivojmë, çojmë përpara dhe lëmë trashëgim.

Drejtshkrimi, dihet, tregon shumë dhe është vlerë e shtuar e mendimit!

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close