fbpx
Lajme

Dritëro Agolli: Ata që nuk e njohin qeverinë e  Thaçit, janë o keqdashës, nuk e pranojnë UÇK-në

Ju sjellim intervistën me një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptar, të ndjerin Dritëro Agollin.

“LUFTËTARËT E UÇK-SË, SI AVIONËT E NATO-S”

– A duhet të përkrahet qeveria e re e Kosovës, e kryesuar nga Hashim Thaçi?

Qeveria e re e Kosovës duhet përkrahur nga të gjithë. Kjo qeveri u njoh si e tillë në Rambuje. Atje u tha që do të krijohet kjo qeveri dhe u firmos nga të gjitha palët. Pastaj ajo doli nga një përpjekje prej një lufte, fitoi autoritet në të gjithë botën, prandaj njohja e saj nuk është e tanishme. Ajo është njohur që më përpara, tani bëhet një deklarim i dytë që është njohur. Ajo është një qeveri e krijuar në luftë. Pasi mbaron lufta, vijnë zgjedhjet dhe format e tjera demokratike. Tani në Kosovë nuk mund të bëhen zgjedhje demokratike për të dalë një parlament dhe ai të zgjedhë qeverinë. Njerëzit nuk mund t’i vënë kutitë e votimit në Qafën e Morinës, në Qafën e Prushit a në Qafën e Thanës. Atje nuk mund të votohet. Ata që nuk e njohin këtë qeveri, janë o keqdashës, nuk e pranojnë UÇK-në, ose janë pa mend në kokë, sepse tani e shohin që lumenj të tërë njerëzish rrjedhin drejt detit. Ku dhe me cilin popull do të bëhen zgjedhjet për të krijuar qeverinë? Këto janë qeveri që zgjidhen në luftëra dhe i dalin zot popullit. Qeveria që shkoi, e mbaroi misionin e saj. Aq e kishte, bëri atë paqe, që u pa për tetë vjet me radhë. Ibrahim Rugova dihet si përfundoi, me Ibrahim Rugovën ngaherë nuk do të rrimë. Nuk mund të bëjmë një qeveri fluturuese, që të prenotojë avionë, hotele të mëdha, që të ketë kravata të bukura dhe jelekë. Pastaj, kjo qeveri u njoh edhe në botë. Atëherë pse nuk njihet kjo qeveri? E Millosheviçit është ajo? Kjo del nga UÇK-ja dhe, përderisa pranohet UÇK-ja, duhet pranuar edhe kjo.

AMP:

– Si e shpjegoni mikpritjen e shqiptarëve për vëllezërit e tyre kosovarë, të përzënë me dhunë nga trojet e tyre?

Me gjithë këto trazira që ka pasur Shqipëria, me gjithë këtë kaos edhe politik edhe ekonomik, përsëri ka mbetur nga ai nderi i palëkundur ose konstitucioni i njerëzve, ato vlera që janë të pandryshueshme te njeriu. Kjo ana e nderit, e dinjitetit, e mikpritjes nuk është lëkundur aq sa e mendonim ne. Me gjithë ato fatkeqësi që na ndodhën, ne thamë se mbaroi nderi i shqiptarit, po ja që nuk mbaroi. Ne kemi verifikuar vetveten, domethënë ripërtëritjen e atij nderi. Dhe unë mendoj se ky do të marrë një shkëlqim të ri. Kjo tregon edhe një gjë, që nuk është aq e lehtë ta mposhtësh shqiptarin. Sado i rraskapitur të jetë, kur është fjala për çështjen kombëtare, ai i del zot vendit. I del zot jo dheut thjesht, por mishit, njerëzve, sepse atdheu nuk është vetëm toka. Janë njerëzit, janë mendjet. Njerëzit janë pjesë përbërëse e tokës.

– Kjo është një luftë midis NATO-s dhe Milosheviçit apo midis shqiptarëve dhe serbëve?

Kjo është e mpleksur, por megjithatë është një luftë e shqiptarëve. Nëse nuk do të ngriheshin shqiptarët të luftonin dhe nuk do të dëgjoheshin këto barbarizma, nuk do të ishte nevoja të ndërhynin edhe forca të tjera të jashtme. Kështu që u ngritën shqiptarët për të drejtat e tyre, sepse mjaft duruan kaq kohë duke u torturuar, duke u pështjelluar dhe duke u shtypur. Atëherë ne dhe forcat ndërkombëtare ndërhymë dhe kjo është një dorë e përbashkët e të gjitha forcave që duan lirinë, që duan pavarësinë dhe veçanërisht e njerëzve që duan të drejtat dhe liritë e njeriut, pra lirinë e njerëzve dhe jo drejtësinë, sepse liria është më e madhe se drejtësia. Kjo është një luftë e përbashkët, siç ka ndodhur edhe në Luftën e Dytë Botërore, ku u bashkuan të gjitha forcat e koalicionit antifashist. Nëse pas luftës antifashiste ne thoshim se është fitorja e koalicionit antifashist, edhe tani do të themi që është fitorja e këtij koalicioni lokal, ballkanik. Fitoren e kemi bashkërisht, por këtu rolin vendimtar e luajnë vetë shqiptarët.

– Shqiptarët duhet të presin bombardimet e NATO-s apo duhet të luftojnë vetë?

Po ata po vazhdojnë të luftojnë. Shqiptarët vazhdojnë të luftojnë krahas NATO-s. Nuk është se kanë ngritur duart përpjetë. Ata janë përpjekur, por po t’i shohësh njerëzit që vijnë këtu, janë gra, fëmijë, pleq. Ata e kanë të vështirë të luftojnë, kurse forcat e gjalla të shqiptarëve janë atje, në luftë. Njerëzit janë bërë si avionë. Avionët e NATO-s luftojnë lart dhe njerëzit luftojnë poshtë në tokë.

– Si ju duket qëndrimi i qeverisë maqedonase ndaj të dëbuarve nga Kosova?

Maqedonasit janë të tërhequr nga ajo tradita e tyre e hershme sllave, kanë një mendim të keq për shqiptarët, kanë edhe njëfarë druajtjeje apo nuk i quajnë shqiptarët si pjesëtarë të luftës kundër padrejtësive. Në bazë të traditës së tyre të urrejtjes që kanë për shqiptarët, me sa duket, edhe në këtë fund shekulli nuk kanë hequr dorë nga ndikimet e hershme të padrejtësive historike. Ata me këtë bëjnë një politikë të vjetruar, që nuk duhet ta bënin, nëse e heqin veten si shtet modern. Në një vend ku respektohen të drejtat e njeriut, nuk duhej ta bënin këtë gjë ndaj shqiptarëve. S’duhej ta bënin, sepse, e para, janë 800 mijë shqiptarë në Maqedoni dhe janë një forcë e madhe, që përfaqësohen edhe në parlament, si forcë lëvizëse. Nëse ti u mohon strehimin këtyre vëllezërve dhe i përzë e i çon si në kasaphanë, si Millosheviçi, atëherë nuk ke vënë mend nga historia. Pastaj maqedonasit duhej ta kishin kuptuar se ne ishim nga të parët që njohëm shtetin e tyre, kur nuk e njihnin. Atëherë ata u gëzuan për këtë, mirëpo ne nuk do t’i gëzojmë gjithmonë në këtë mënyrë. Edhe ata duhet t’i përgjigjen kësaj fisnikërie të shqiptarëve. Ne menduam se ata kanë vënë mend nga historia dhe i njohëm, sepse jemi fqinj e kemi luftuar bashkë kundër armiqve të përbashkët. Ata duhet ta dinë këtë gjë. Edhe Millosheviçi është një nga armiqtë e përbashkët. Sot sulmoi Shqipërinë, por nesër mund të sulmojë Maqedoninë. Nëse ne do t’i kthenim shpinën asaj, ç’do të thoshte? Po t’i sulmojë Milosheviçi, që ka mjaft serbë atje, dhe ne t’ua mbyllim portat, ç’mund të thonë maqedonasit? Në këtë kuptim them që nuk është hap i matur i qeverisë maqedonase. Ajo duhet ta kuptojë se ne kemi një fatkeqësi të përbashkët. Edhe sikur të ishim nga një kontinent tjetër, maqedonasit duhej të na pranonin, jo më që jemi ballkanas. Njëlloj jemi, çorbën e kanë ata, çorbën e kemi ne, pastërmanë ata, pastërmanë ne.

– Si e mendoni fundin e luftës?

Lufta do të vazhdojë deri në fitoren e popullit të Kosovës. Pse? Njëherë se luftojnë vetë kosovarët dhe të gjithë këtë batërdi që është bërë nuk e harrojnë kollaj shqiptarët. Ata po luftojnë me mish e me shpirt dhe ka arritur kulmi i kësaj lufte. Më nuk mund të jetojnë bashkërisht, sepse kjo është një kujtesë që mbetet në shekuj. Pastaj NATO-ja, nëse nuk fiton në Kosovë, pushon së qëni një organizatë, sepse s’ka vlera. Edhe Klintoni mbaron së qëni, sepse dështon. Të gjitha këto mpleksen dhe do të arrijë fitorja e pavarësia e Kosovës. Edhe Rambujeja besoj se do të rishikohet. Atje u fol për një autonomi të zgjeruar, por nuk dihet se si do të venë punët dhe a do të jetë liri më e zgjeruar nga kjo që është parashikuar.

– Si e shpjegoni faktin që kjo Evropë, e cila e copëtoi Shqipërinë në fillim të këtij shekulli, po mban një qëndrim tjetër?

Evropa tani vjen me traditën e vjetër, me traditën e 1913-shit, dhe e kishte lënë Shqipërinë. Për të gjithë popujt e tjerë ndryshuan këto pikëpamje, kurse për Shqipërinë nuk u ndryshua ai mendim i traditës. Tradita është gjëja më e çuditshme. Nuk të lë të ecësh dhe, ashtu si në shtëpi, dhe te njeriu ka një traditë, ai mësohet me një zakon, kështu, pra, edhe Evropa e ka të vështirë. Pastaj këtu  janë interesa ekonomikë, politikë, etnikë, përzihen shumë gjëra. Kanë frikë se mos shqiptarët bëhen një shtet i fuqishëm dhe mos destabilizojnë, por e kanë gabim. Midis qarqeve të mëdha të shovinistëve të fqinjësisë ekziston mendimi që, nëse Shqipëria bëhet një vend i stabilizuar, atëherë ajo i ekuilibron këta dy-tre shovinizma të mëdhenj që janë në Ballkan. Nëse Shqipëria bëhet një shtet i fuqishëm, kjo është për të mirën e Ballkanit, sepse ajo është një ekuilibrues i këtyre, kurse po ta lësh të dobët, atëherë këta janë më agresorë, siç ndodhi në Bosnjë dhe si mund të ndodhë në vende të tjera. Kështu, që mendoj se ndryshe do të jetë fati i Shqipërisë. Ngjarjet e Kosovës ishin një gjë e keqe, ato kushtuan shumë, pra kostoja qe mjaft e madhe, por gjithnjë ajo që kushton shumë, bëhet edhe më e çmuar. Sa më shtrenjtë të kushtojë një kostum aq më tepër jeton.

Shekulli,

8 Prill 1999

AMP:

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close