fbpx
LajmeOpinione

Duke lexuar Buletinin 5 të UKZ, ish Rektori Naim Syla “zbulon parregullsitë”

Nga Naim Syla – Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” (UKZ), në muajin Shtator në web faqen e tij ka vendosur Buletinin numër 5, shih linkun https://ww.uni- Gjilan.net/lajmet/buletinin-nr-5/. Kjo është në frymën e asaj që quhet transparencë në përzgjedhje të stafit akademikë. Thjeshtë, kështu u jepet mundësia edhe të tjerëve të dinë për proceset dhe procedurat akademike të cilat janë jetike për zhvillim të Universitetit. Rastësisht e lexova. Arsyeja ishte ndenja ose inercioni akademik. Pas leximit të kujdesshëm, dhe pasi disa herë solla në kokën time mendime të ndryshme vendosa t’i shkruaj disa fjalë. Mendimi im rreth kësaj çështje këtu fillon dhe këtu mbaron. Si do të komentohet nga të tjerët varet se prej çfarë prizmi e shohin. Uroj ta shohin drejtë, sepse edhe qëllimin e kam të tillë.

Në vijim, shkurtimisht do t’i paraqes disa mendime të mia rreth këtij Buletini numër 5, Fakulteti i Edukimit.

Përmbajtja e deklaruar në Buletin nuk përkon me materien e Buletinit. Në përmbajtje janë të deklaruara tri pozita, ndërsa në brendi paraqiten raportet për katër pozita. Raporti i pa deklaruar në përmbajte është për lëndët: Psikologji e fëmijës, Psikologji e edukimit, Psikologji e personalitetit, Psikologji e zhvillimit dhe personalitetit, Psikologji e lojës, (shih Buletinin). Pse është bërë kjo, nuk e di. O nga harresa, pakujdesia, apo joserioziteti; ose dinakëria. Uroj dhe besoj të jetë e para, e jo të tjerat, e sidomos kjo e fundit.

Nëse lexohet ky raport me kujdes të jep ndenjën se komisioni recensues nuk ka kryer punën si duhet. Unë nuk i takoj fushës për të cilën është shkruar recensioni, mirëpo të thuhet, po citoj komisionin: komisioni recensues e adreson vendimmarrjen përfundimtare te organet vendimmarrëse të universitetit përkatësisht Senati i Universitetit Kadri Zeka (shih shih fjalinë e fundit në këtë recension, fq 12). Komisioni recensues mund t`i ketë pikëpyetjet e veta, mirëpo nuk mundet ta bartë përgjegjësinë tek Senati. Komisioni recensues nuk e ka kryer punën e vet profesionale, me çka ka shkelur procedurat e vendimmarrjes. Për këtë arsye formohen komisionet profesionale. Senati voton ose kundërshton propozimin e komisionit recensues. Kjo është e ditur. Komisioni recensues nuk mundet dhe nuk lejohet t’i hedh përgjegjësinë organit tjetër. Këshilli i Fakultetit të Edukimit do të duhej ta kthej prapa këtë raport. Si tillë, ky raport është dëmtues edhe për vetë kandidatët në konkurs.

Te referati numër një, në të njëjtin Buletin, po ashtu komisioni recensues nuk ka qenë i saktë dhe bindës. Komisioni recensues ka për obligim që ta bindë publikun e gjerë për përzgjedhjen, sepse tek e fundit ky është qëllimi i shpalljes në web faqe të Buletinit.

Të thuhet se me gjithë përgatitjet dhe kualitet e larta x kandidati/tja nuk zgjidhet sepse konkursi është shpallur vetëm për një pozitë të ligjëruesit, nuk do koment. Nëse konkursi është vetëm për një pozitë, atëherë komisioni do të duhej të jep arsye në detaje për përzgjedhje të kandidatit. Kjo është edhe për të mirën e kandidatit ose kandidates. Nuk mund të thuhet se kandidatja i përmbush më së miri kushte dhe për këtë arsye komisioni vendos kështu ose ashtu.

Komisioni thirret në rregullore 01/1474 të datës 09.12.2015. Cili është ai nen ose pikë neni e cila sqaron zgjedhjen e ligjëruesit? Arsyetimi duhet të jetë i pashëm për të gjithë. Të tjerëve ju thuhet jeni të shkëlqyeshëm, mirëpo kësaj radhe nuk mundeni. Është jo bindëse. Edhe këtë raport, para se ta botonte në Buletin do të duhej që Këshilli i Fakultetit të Edukimit ta sqaroj. Sa i përket kësaj pozite, nuk di sa ka pasur të drejtën Universiteti të shpallë pozitën e ligjëruesit në konkurs.

Pasi që kam qene direkt i kyçur në krijimin e Statutit e di saktë se cili është kuptimi i nenit 151 pika 2.4 dhe nenit 158 pika 2. Sidomos neni i fundit kufizon mundësin se për çfarëdo lënde mund të hapet konkurs për ligjërues.

Po citoj këtë pikë të këtij neni, Notimi dhe vlerësimi i studentëve bëhet nën përkujdesjen e një profesori të lëndës përkatëse së paku me gradën Dr.sc dhe thirrjen Prof.Ass.Dr. Cili do të jetë Dr.sc. ose Prof.Ass.Dr. i kësaj lënde në UKZ, i cili do të përkujdeset? Për lëndët specifike zbatimi praktik i thirrjes ligjërues ka pengesat e veta. Po ashtu sipas rregullores për zgjedhje të stafit akademik 01/1474 datë 09.12.2015, neni 12, pika 2 thuhet ligjërues i angazhuar ( jo i zgjedhur). Si rezultat i këtij neni, po në këtë rregullore nuk jepen sqarime plotësuese mbi kriteret e zgjedhjes së ligjëruesit, shih linkun https://www.uni-gjilan.net/inc/uploads/2016/09/Rregullore-p%C3%ABr-zgjedhjen-e-personelit-akademik-n%C3%AB-Universitetin-Kadri-Zeka-n%C3%AB-Gjilan.pdf

Përfundimisht, mendoj se Senati i UKZ duhet të trajtoj me gjakftohtësi dhe kritere akademike këtë Buletin. Nëse këtë punë nuk e bënë Senati, besoj se duhet të ndërhyj Rektori. Në të kundërtën është rrëshqitje nga vija akademike. Pse mendoj kështu? Universiteti i Gjilanit akoma është i ri, dhe nuk do të ishte mirë që në themelet e tij të merren vendime me shumë pikëpyetje. Mund të jem i gabuar, por kështu mendoj. E di, “gabimi” ishte që rastësisht lexova Buletinin. Uroj të jem kuptuar drejtë. Po ashtu uroj që UKZ të ketë shëndet të mirë dhe perspektivë të qartë akademike. Punët dhe veprat e secilit prej nesh do t’i tregon koha./rajonipress/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close