Epilogu

Durmishi: Procesverbali, si ndodhi përjashtimi i Ibrahim Kelmendit nga shtëpia e Jusuf Gërvallës

[Xhafer Durmishi:]

Një dokument i kohës në të cilin përshkruhet puna prej 18 janarit 1982 deri në korrik 1982, e sidomos përjashtimi i Ibrahim Kelmendit nga shtëpia e Jusufit është ky:

“Procesverbal i mbledhjes së Komitetit Vëllezërit Gërvalla i mbajtur më 11/7-1982

Rendi i ditës:

Një analizë e punës së gjertanishme

Diskutimi rreth Projektstatutit të Lëvizjes

Puna rreth revistës

Caktimi i datës për takimin e ardhshëm

Të ndryshme

Shtatë të pranishmit: Skënderi [Xhafer Durmishi], Halimi [Osman Osmani], Naim Haradinaj, Faridin Tafallari, Haxhi Berisha, Hafiz Gagica dhe Nuhi Sylejmani, njëzëri e aprovojnë propozimin mbi rendin e ditës. Skënderi hapë diskutimin rreth pikës së parë.

Fjalën e merr shoku Faridin.

Shpjegim: Në diskutim u vendosë që analiza të bëhet nga 17 janari e gjer më sot.

Faridin Tafallari: Pritja e njerëzve sipas Faridinit ka qenë e mirë dhe ndihmat për këtë kanë ndikua. Kjo nuk është bërë me një organizim të mirëfilltë por është veprua në atë mënyrë që secili ka veprua si ia ka marrë mendja më së miri. Dalja e numrit të tretë të ZK ka qenë ngjarje e madhe.

Sjelljet e Ibrahim Kelmendit [I.K.] nuk kanë qenë të mira. Veprim i ngut­shëm nga ana jonë, pra nga Skënderi dhe Haxhiu, si dhe vonimi i Nuhiut që të thotë fjalën e tij me një shumë të hollash prej njëmbëdhjetëmijë DM. Mosmarrëveshja në mes veti për këtë veprim. Demonstratat kanë kaluar mirë. Udhëtimi i Suzanës për në Shqipëri ka qenë në rregull. Formimi i KVG [Komitetit ‘Vëllezërit Gërvalla-shën i Xh.D.] konsiderohet ngjarje e madhe. Riorgani­zimet në rregull. I dyti jo aq i mirë sepse mungoi Haxhiu. Fushata e shfaqjes së filmave çmohet lartë. Demonstrata e Bonit çmohet lartë e gjithashtu e Vjenës përkundër vështirësive. Haxhiu nuk e sqaroi situatën gjer në fund. Demonstrata e Bernit në rregull. Nu­mri i fundit i revistës dhe komunikata të mira. Me kaq shoku Fari­din e mbylli fjalën e tij.

Pas kësaj Skënderi i drejtohet Nuhiut që ta merr fjalën por ai për­gji­gjet se donë të dëgjoj të tjerët e vetë do të flasë në fund. Të tjerët pajtohen me këtë.

Fjalën e merr Naimi:

Naim Haradinaj: Pritjen e quan të mirë megjithëse ram në konflikt me I.K. [Ibrahim Kelmendin]. Hapat tonë i quan të drejtë sidomos përjashtimin e tij [I. Kelmendit-shën i Xh.D.] nga shtë­pia e Jusufit. Edhe Nuhiu ka qëndrua mirë një kohë të gjatë në pritjen e njerëzve. Marshet protestuese në rregull. Varri­mi kishte me qenë më i mirë sikur për inçizimin me videokamerë të anga­zhohej një punëtor profesional. Numri i tretë i revistës i realizuar mirë. Demonstrata e Vje­nës më e mirë se e Bonit. Formimi i KVG me vend. E sheh si rënie dhe në kundër­shtim me komunikatën. Heqja e citatit të Jusuf Gërvallës e gabueshme. Me kaq Naimi e mbaron fjalën e vetë.

Haxhi Berisha: Pritja në rregull. Për shkak të mosorganizimit më të mirë kanë lindur mospajtime. Ka pasur sabotim dhe zhagitje të punëve nga ana e I. K. I është tërheq vërejtja disa herë. Sipas mendimit tim ai nuk ka jetuar fare me atmosferën ato ditë. Angazhimin e një punëtori profesional për inçizimin e varrimit e quan të panevojshëm. Përmes formimit të KVG u vazhdua puna e mëparshme. Vështirësitë me demonstratën e Vjenës kanë të bëjnë me qëndrimin anësor të policisë të cilët na thonin herë po e herë jo. [Haxhiu ka qenë i angazhuar për leje dhe ka bërë një udhëtim gjer në Vjenë ditën e enjte më 22 prill 1982]. Megjithatë këtë e çmoj më shumë se të tjerat.

Halimi [Osman Osmani]: Formimi i KVG i domosdoshëm [ky ia fillon nga kjo ngjarje pasi më parë nuk ka qenë këtu]. Puna ka vazhdua por ka pasur dobësi. Për shkak të mospërvojës mund të kemi bërë gabime, por largimi i tij [I. Kelmendit-shën i Xh.D.] nga familja i mirë për të mos thënë i do­mos­doshëm. Gabim strategjik që ia kemi thënë të gjitha. Puna e komitetit dhe vetë ekzistenca e tij kanë qenë formale.

Nuhi Sylejmani: Pritja ka mund me qenë më e mirë, por ngjarje të tilla të befa­sishme s’kemi mund ndryshe. Nuk është i kënaqur. Pritja ka qenë formale. Nuk kemi diskutue në mes veti. Ditën e varrimit nuk dilnin njerëzit prej dhome. Ka shkua si në diktaturë. Videofilmimin e varrimit është dashur ta bëjë një profesi­onist ashtu siç thotë Naim Haradinaj. Formimi i KVG i mirë por është dashur më parë të formohen celulat e pastaj komiteti dhe jo anasjelltas. S’kemi pasur asnjë shokë afër veti. Organizimi i brendshëm jo i mirë. Dekonspirimin e dënon dhe e quan krim të madh. Veprime me gjaknxehtësi dhe pa marrëveshje i kanë dhënë I. K. fakte për sulm megjithëse përjashtimi nga shtëpia e Jusufit ka qenë i drejtë. Udhëtimi i Suzanës në Shqipëri i mirë, megjithëse nuk jemi marrë vesh në mes veti. Demonstrata e Bonit e mirë por me Skenderin ka pasur mosma­rrë­­veshje sepse kam brohoritur Kosova-Republikë dhe lavdi Marksizëm-leninizmit e ai më ka thënë mos bëjë ashtu. [Shkaktohet një qeshje kur Nuhiu thotë se më ka thënë mos thuaj Kosova- Republikë, Marksizëm-Leninizëm dhe Nuhiu e përmirë­son veten dhe thotë se më ka thënë vetëm mos me brohoritë Marksizëm-Leninizëm.

Skënderi [Xhafer Durmishi]: “…Shfaqja publike e dyshimeve ndaj I. K. e

gabueshme. Demonstrata e Vjenës përkundër vështirësive është historike sepse është demonstrata e parë shqiptare që bëhet për Kosovën në Austri. Përgjigjja e masave në thirrjet tona është fakti më demantues kundër gënjeshtrave se njerëzit janë dëshpëruar.”[38]

[Koment:]

“Procesverbal” goxha informues. Po nga na doli tani ky institucioni i “Përzënies nga Shtëpia e Jusufit”!? Vazhdoj të kontestoj se komitet­linjtë kanë mundur të më përzënë nga Shtëpia e Gërvallëve. Pas varri­mit nuk jam kthyer më në atë bazë të komitetlinjve. Por, ustallarët dhe viktimat e luftës speciale kanë propaganduar sikur Ju­sufi më ka përzënë nga shtëpia, ndërsa po këta komitetlijtë tani po lavdërohen se ishte vendim dhe zbatim i tyre. Nejse, pak rëndësi ka kjo. Fatkeqësitë kanë ndodhur, pasojat dihen, por me rëndësi është se Vendimi që kemi marrë më 17 Janar 1982 ka dalë ngadhënjyes, kurse “shokët” e Jusuf Gërvallës, në ko­rrik të vitit 1985 e kanë përmbyllur veprimtarinë e “Lëvizjes së Jusuf Gër­vallës”, më saktësisht është përmbyllur lëvizja e rrobaqepësit Novosella. Ndo­shta menjëherë ose pak më vonë rrobaqepësi Novosella që angazhu­ar në sektën e Dësh­mitarëve të Jehovajt në Malmë dhe qe izoluar për sa kohë na shqip­taria. Patjetër se ndija keqardhje. Për argatin e tij, “trashëgimtarin” Xhafer Durmishi, pata dëgjuar se qe sëmurë psiqikisht dhe disa vite është marrë me kurim. Vetë, si revanshist i pamëshirshëm, dyshoja se mos po si­mulonte, meqë kishte frikë se mund t’i hakmerresha.

Exit mobile version