fbpx
Lajme

Dy infermiere u infektuan me koronavirus, 14 persona në Rahovec, sot priten rezultate të reja

Në komunën e Rahovecit tashmë janë 16 persona të prekur me koronavirus.

Në Kosovë deri më tani janë 731 persona të identifikuar me koronavirus, e 16 prej tyre janë nga komuna e Rahovicit.

Ndonëse është komuna e cila deri të premten nuk kishte asnjë të prekur, tashmë edhe Rahoveci është në mesin e komunave që është duke u përballur me këtë virus.

I pari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë për lajmi.net, se 14 rastet e reja që janë regjistruar mbrëmë, janë familjarë dhe raste kontakti të infermiereve, të cilat siç theksoi ai, janë infektuar në repartin e Hemodializës në Prizren.

Latifi thotë se që të gjithë të infektuarit janë mirë me shëndet dhe se asnjë prej tyre nuk ka ndonjë simptomë të COVID-19.

“Gjendja e qytetarëve të konfirmuar me COVID-19 është stabile, pra gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe nuk kanë asnjë simptomë të virusit. Gjithsej në Rahovec i kemi 16 raste, pra 14 mbrëmë që janë raste kontakti, raste familjare me dy të infektuarit parmbrëmë ose pardje që kanë rezultuar pozitivë e që janë punëtore shëndetësore në repartin e Hemodializës në Prizren. Pra infeksionin e kanë marrë në vendin e tyre të punës”, tregoi Latifi.

Tutje ai ka thënë për lajmi.net, se gjatë ditës së sotme do të publikohen edhe rezultate të reja, pasi që siç tregoi Latifi, janë marrë një numër i caktuar mostrash të personave që kanë pasur kontakt me 14 të infektuarit e fundit.

“Sot i kanë marrë mostrat natyrisht edhe për një numër të caktuar të kontakteve potenciale që i kanë pasur 14 personat që janë konfirmuar mbrëmë edhe presim rezultatet tash në mbrëmje”, deklaroi Latifi.

Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë 731 persona të infektuar me koronavirus, 165 prej tyre kanë arritur që të shërohen, ndërkaq 21 kanë ndërruar jetë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close