Epilogu

Dyshimet për COVID-19, vetëm anëtarëve të Kabinetit të Ministrit Reka u merren mostrat

Një person shumë i afërt me Ministrin e Integrimeve Evropiane, Blerim Rekën, ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat që ka dal pozitiv për COVID-19. I njëjti është testuar sot dhe është në pritje të rezultateve, raporton Express.

Express merr vesh nga burime brenda Ministrisë së Integrimeve se sot janë testuar vetëm Kabineti i Ministrit Reka, por jo edhe zyrtarët e tjerë të Ministrisë.

“Sot janë testuar vetëm Kabineti i Ministrit, edhe po i presin rezultatet. Janë diku rreth 10. Pjesa tjetër e zyrtarëve nuk janë testuar sot. Me një fjalë janë anashkaluar”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar se nga sot nuk do të dal në punë në Kryeministri, meqenëse ka pasur kontakt me këtë person.

“Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka treguar se nga sot është në vetizolim në banesën e tij, derisa të dalin rezultatet për zyrtarin e MIE’së.

“Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, thuhet në postimin e tij.

Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Prej këtyre mostrave të testuara, 14 kanë dalë pozitive.

“Sot më 10 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 14 raste”, thuhet në njoftim.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Gjilani, Prizreni, Peja, Vushtrria dhe Prishtina.

Deri tani në gjithë vendin janë konfirmuar 884 raste me koronavirus. Prej këtij numri, 655 persona janë shëruar, derisa 28 kanë vdekur. /Gazeta Express

Exit mobile version