Rrustem Mustafa, i njohur në publik si Komandant Remi, është njëri nga anëtarët e moçëm të PDK-së. Nën logon e kësaj partie, ai ishte bërë deputet, por edhe këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, që ishte edhe themelues e kryetar i PDK-së për shumë vite. Por, së fundi, Mustafa ka dhënë deklarata lavdëruese për kryeministrin Albin Kurti e madje e ka mbrojtur Mimoza Kusari-Lilën, shefe e grupit parlamentar të VV-së, për aferën “Zdravo”. Përderisa e mbrojti Kusarin, Remi ishte i ashpër me Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së. Pas këtyre zhvillimeve, pyetja legjitime që duhet shtruar është e thjeshtë: A po kalon Rrustem Mustafa, Komandant Remi, në VV?
Për shkak të së kaluarës së tij ushtarake – Remi ishte komandant i Zonës Operative të Llapit në UÇK – pyetja duhet të shtjellohet në mënyrë edhe pak më precize. Në VV ka një zbrazëti komandantësh, pasi Rexhep Selimi, ish-komandant i UÇK-së, i njohur me nofkën “Dhjetëshi” gjatë luftës, është në Hagë i paraburgosur nën dyshimet për krime lufte. VV-ja ka mbetur pa “Dhjetëshin” e saj, që ishte edhe shef i grupit parlamentar në mandatin e kaluar.
Andaj, pyetja më precize është, po ashtu, e thjeshtë: a po bëhet Remi “Dhjetëshi” i ri i VV-së?
Bravo Kurtit…Bravo Kusarit…Poshtë Haradinaj
Një aferë, nëse jo dashurie, së paku flirtuese ka nisur mes Remit dhe pushtetit aktual. Deri tani, publikisht duket se flirtimi është më shumë njëkahor. Pra, Remi e lavdëron Kurtin, por ky i fundit ende (sërish, së paku, publikisht) nuk ka pasur ndonjë fjalë miradie, përveç një prononcimi të vjetër, ku Kurti thoshte ta pyesin Rrustem Mustafën nëse ishte kundër UÇK-së (që, në fakt, është më shumë një shfrytëzim për ta legjitimuar qëndrimin e Kurtit.).
“S’mund ta përçani popullin me kinse unë jam kundër UÇK-së. Se a kam qenë UÇK pyete Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën – dy komandantat të tregojnë. Ama, pushoni me këtë idenë e përçarjes dhe ndarjes. Dëshirën e juaj mos ma përshkruani si fakt mua” – thoshte Kurti, ndërsa Mustafa e konfirmonte se Kurtin e kishte pasur bashkëluftëtar.
Nejse. T’i kthehemi çështjes kryesore dhe urgjente. Mustafa e nisi flirtimin publik para saktësisht 25 ditëve. Më 3 korrik, krejt befasishëm, Mustafa doli me një manifest personal, ku e kumtonte përkrahjen e tij për Qeverinë Kurti, që në titullin e shkrimit “Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës i duhet mbështetja jonë dhe duhet mbështetur!”
Pra, sipas Mustafës, ishte imperative që Kurti të mbështetet, pasi duhet përkrahur “vendimet e institucioneve të vendit tonë” dhe për arsye se duhet përkrahur “përpjekjet e aparatit shtetëror në vendosjen e sundimit të ligjit në secilin cep të Kosovës”.
“Përpjekja e Qeverisë për të vënë rend dhe drejtësi në gjithë vendin do ta ketë përkrahjen nga unë në çdo kohë, strategjia për shtrirjen e sovranitetit nga qeveria do të ketë sukses në ruajtjen e rendit dhe ligjit, analistet dhe mediat që po gozhdojnë pandershëm misionin për rend dhe ligj do të perfundojne pandershëm” – shkruante Mustafa, thirrja e të cilit u përkrah nga një mijë persona dhe nga Sadri Ramabaja, pararojë e mendimit të VV-së.