Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, Halit Gërbeshi, është larguar përkohësisht sot nga kjo pozitë. I njëjti u ndalua nga Policia e Kosovës, pasi ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke e furnizuar veturën e tij me derivate të naftës në kuadër të tenderit për spitalin. Gërbeshi pozitën e tij e fitoi nga SHSKUK-ja gjatë Qeverisë Kurti II.
Halit Gërbeshi është ndaluar për 48 orë nga Departamenti për Krime të Rënda në Ferizaj për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria Themelore në Ferizaj sot konfirmoi se brenda afatit ligjor do të vendoset për procedurat e mëtejme hetimore ndaj rastit të Gërbeshit.
Demokracia.com ka mësuar së ky i fundit ishte emëruar në këtë pozitë gjatë kohës së Qeverisë Kurti II.
Në gusht të vitit 2021, SHSKUK e ka emëruar Gërbeshin ushtrues të detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj.
Vlen të përmendet se bordi i SHKSUK-së udhëhiqet nga Agreta Gecaj – Gashi, e cila është e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë në pushtet, transmeton Demokracia.com.
Emërimi i Gërbeshit ka ardhur pasi Jeton Zeqirit, që ishte në krye të spitalit të Ferizajt, i ka skaduar kontrata që e kishte për tri vjet.
Gërbeshi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se si ushtrues detyre i Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e furnizuar veturën e tij private me derivate të naftës në kuadër të tenderit të paraparë për Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj./Demokracia.com/