Epilogu

E tmerrshme, këto janë kushtet e VV-së për kapjen e Prokurorisë, detaje nga hulumtimi i Kajtazit

Pushteti nuk po lë gurë pa lëvizur që ta kapë Prokurorinë Speciale. Ka zgjedhur një kandidat i cili ka për detyrë që vdekjen e Astrit Deharit të kualifikojë si vrasje dhe të arrestohen disa persona; mbyllja e hetimeve kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj; mbylljen e hetimeve kundër Nagip Krasniqit – drejtor i KEK-ut i arrestuar për disa vepra penale; mbylljen e hetimeve kundër Ridvan Muharremit, i dyshuar për vjedhje të rezervave shtetërore dhe nisje hetimesh dhe arrestimesh të kundërshtarëve të Albin Kurtit. Si pjesë e kësaj marrëveshje është bërë hiq më pak se, Jetish Maloku, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Atij i është premtuar pozita e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Vehbi Kajtazi

Fiks në pesë seanca të Kuvendit të Kosovës, partia në pushtet e Albin Kurtit ka dështuar ta shkarkojë Agon Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Krejt mekanizmat i kanë vënë në funksion: ndikimin, shantazhin, ofertat me pozita dhe ato financiare.

Qëllimin nuk e ka se pse Beka, na qenka gjendur në konflikt interesi. Por, zgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit dhe të Prokurorisë Speciale.

Nga kjo fjali nuk do të shkruajë asnjë fjalë timen, por të qeverisë.

Prej deklarimit publik të presidentes, Vjosa Osmani se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të shtetit, pushteti është vënë në lëvizje për ta penguar atë të zgjidhet Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Po e konsideron si punë të pakryer nëse nuk pengohet Isufaj, të bëhet Kryeprokuror i Speciales, për shkak të kompetencave të mëdha që ka kjo Prokurori.

Kanë bërë marrëveshje me një kandidat tjetër për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale (emër i njohur për Paparacin, v.j.).

Kushti i parë i kësaj marrëveshje është që vdekja e Astrit Deharit të kualifikohet vrasje dhe të arrestohen disa persona; mbyllja e hetimeve kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i dyshuar për katër vepra penale përfshirë shpëlarjen e parave nga llogari bankare të Beogradit; kushti i tretë është mbyllja e hetimeve kundër Nagip Krasniqit, drejtor i KEK-ut i arrestuar për disa vepra penale; kushti i katërt është mbyllja e hetimeve kundër Ridvan Muharremit, i dyshuar për vjedhje të rezervave shtetërore dhe kushti gjithëpërfshirës është nisje hetimesh dhe arrestimesh të kundërshtarëve të Albin Kurtit.

Si pjesë e kësaj marrëveshje është bërë hiq më pak se, Jetish Maloku, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ai tashmë ka bërë një marrëveshje me pushtetin. Do të zgjidhet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nëse pengon zgjedhjen e Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale.

Maloku, është vënë në lëvizje prej disa javësh.

Ka takuar deputetë të Kuvendit të Kosovës nga të cilët ka kërkuar, dhe në disa raste edhe ka urdhëruar, që të shkojnë në Kuvend për të votuar shkarkimin e Agron Bekës.

Me këtë shkarkim sipas pushtetit dhe Jetish Malokut, shumica e anëtarëve të KPK-së do të mbetej pakicë.

Me pushtetin dhe Jetish Malokun që nga fillimi është edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Shkarkimi i Bekës do ta bllokonte Këshillin dhe kësisoj nuk do të mund të votonte për Blerim Isufajn që të bëhej kryeprokuror.

Gjatë këtyre pesë javëve, kryeministri Albin Kurti dhe shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila janë vënë në lëvizje të mëdha për t’i siguruar votat.

Presionin e kanë vënë mbi deputetet Duda Balje e Albena Reshitaj dhe kanë ofruar privilegje, pozita dhe favore tjera për dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Duda Baljen e kanë kërcënuar me largim nga koalicioni, shkarkim të krejt njerëzve të partisë së saj.

Albena Reshitajn, kanë provuar ta shantazhojnë me një rast të hapur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës që lidhet me një asistent të saj.

Dhe, dy deputetëve të LDK-së (emra të njohur për Paparacin v.j.) u kanë ofruar favore të mëdha nëse votojnë për shkarkimin e Agron Bekës.

(Paparaci ka prova për këtë).

Kallauzi i gjithë këtyre pazareve është bërë, Jetish Maloku, i cili në disa raste ka thirrur dhe takuar deputetë duke i udhëzuar dhe bërë presion që të shkojnë në Kuvend për ta shkarkuar Agron Bekën.

(Paparaci ka prova dhe dëshmi për këtë).

Siç e kam thënë në disa raste, arsyeja e mosdekretimit antikushtetues të Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, është vendim i Albin Kurtit, e jo vlerësim e as dije e presidentes Vjosa Osmani.

Ajo vetëm ka zbatuar urdhra të shefit të saj.

Sot, situata ka arritur në pikën kritike. Kuvendi nuk arriti as në seancën e së enjtes ta vëjë në votim shkarkimin e Agron Bekës, për shkak se kishte mbetur pikë e seancës paraprake.

Duhej të niste seanca e re siç edhe ndodhi.

Kjo çështje nuk është futur në rend të ditës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të mbajtur të premten.

Kësisoj, Kuvendi ka pak gjasa të mblidhet për shkarkimin e Agron Bekës.

Mund të mblidhet vetëm me nënshkrimin e 40 deputetëve të Kuvendit për seancë të jashtëzakonshme me një pikë të vetme – shkarkimin e Agron Bekës.

Nëse ndodh kjo, konfirmohet i gjithë skenari i presionit, kërcënimit, shantazhit dhe favoreve të ofruara nga pushteti.

Ajo është interesant dhe e re në këtë proces është përfshirja direkte e Jetish Malokut, “gjyqtarit të ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese”, sipas skenarit të pushtetit.

Këto përpjekje të pushtetit po bëhen pas dështimit të kapjes me anë të Ligjit të Këshillit Prokurorial, të cilin e rrëzoi në tërësi Gjykata Kushtetuese.

Kapja e mundshme e Prokurorisë, që është organ i pavarur kushtetues, do të ishte goditja më e madhe për rendin juridik dhe demokracinë në Kosovë.

Paparaci, do të vazhdojë të ekspozojë përpjekje dhe afera tjera që lidhen me kapjen e institucionit më të rëndësishëm të vendit, i cili thuajse ka mbetur i vetëm pa u kapur nga Albin Kurti.

Exit mobile version