Qeveria e Kosovës në mbledhjen që po mbahet ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Financave për rritjen e shumës së skemave pensionale për katër kategori të cilat kanë qenë nën shumën 100 euro tani do të jenë 100 euro.
Deri më tani pensionet jo kontributdhënëse ishin 90 euro. Në kohën sa Thaçi ishte kryeministër pensionet jo kontributdhënëse ishin rritur nga 45 në 90 euro. Vetëm në vitin 2014 i cili ishte viti i tij i fundit si Kryeministër i Republikës së Kosovës pensionet u rritën pothuajse për të gjitha kategoritë.
Në vitin 2014 ai deklaroi se “Prandaj, sot nënshkrova vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për rritjen e pensioneve të parakohshme të minatorëve të Trepçës për 50 për qind, pensioneve të personave me nevoja të veçanta 25 për qind, pensionet kontributdhënëse 25 për qind, pensionet e moshës 25 për qind, pensionet e FSK-së 25 për qind, pensionet e parakohshme të pjesëtarëve të TMK-së 25 për qind, familjet e dëshmorëve 25 për qind, invalidët e luftës 25 për qind, familjet e të pagjeturve 25 për qind, pensionet për personat e verbër 30 për qind”.
Nga 174 euro rriti pensionet për invalidët e UÇK–së me shkallë 80% të dëmtimeve në 673 euro. Nga 175 euro rriti pensionet për familjet e dëshmorëve në 448 euro. Këto nuk janë të vetmet por janë disa nga vendimet qeveritare të asaj kohe.