Epilogu

“Edhe unë dua ta shkruaj një Statut për Zajednicën” | Një dekadë dhunë e bllokim të shtetit të sapoformuar, që Albin Kurti ta shkruajë me dorën e tij “të keqën më të madhe për Kosovën”

“Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”.

Duket e pabesueshme, por ky është qëndrimi më i ri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i shprehur më 22 dhjetor 2023, me anë të të cilit ai është vetëofruar që ta shkruajë një Statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Demokracia.com.

Në fakt, ky qëndrim i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është vetëm një orvatje e tij për të vazhduar mashtrimin për militantët partiakë, të cilët vazhdojnë të mos besojnë se kundërshtari i madh i Zajednicës është shndërruar në themelues të saj.

Me anë të këtij qëndrimi, kryeministri Kurti vazhdon të shpërndajë mjegullën për militantët partiakë sikur çështja e Zajednicës ende nuk është mbyllur.

Por, realiteti politik i krijuar gjatë tri viteve të dialogut të Kurtit me Vuçiqin, demanton fuqishëm kryeministrin Kurti, i cili është vetëofruar që me dorën e tij ta shkruajë një Statut për Zajednicën.

Ky vetëofrim i Kurtit, nuk pritet të marrë përgjigje pozitive, pasi Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës me pranimin zyrtarisht të saj me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] dhe gatishmërinë e shprehur para liderëve evropianë për ta nënshkruar Statutin e Zajednicës [Bruksel, 26 tetor 2023], të cilin ia prezantuan 5 emisarët në zyrën e tij [Prishtinë, 21 tetor 2023].

Por, çfarë ishte Zajednica për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje? “E keqja më e madhe për Kosovën” do ta quante në një rast Kurti, i cili gjatë një dekade të opozitarizmit të tij të dhunshëm e bllokues, argumenonte se ajo do ta ndjekë pas Kosovën dhe gjeneratat që do të vijnë.

“O Republikë, o Zajednicë”. “Zajednica ka vdekur. Është obligim i yni që të mos lejojmë ringjalljen e saj”. “Ta pranosh Zajednicën është serbofili”. “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush, i cili nuk është serbofil”. “Zajednica e sjell Rusinë të Ura e Ibrit, në Mitrovicë”. “Presidenti i Zajednicës do ta ketë numrin personal të Putinit, Medvedevit dhe Rogozinit”. “Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës”. “Zajednica është një kthim i Serbisë, e cila do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm”. “Kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tanë luftën e kanë te dera”. “Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja”. “Shqiptarët nuk e kanë duruar Serbinë dhe nuk do ta durojnë as Zajednicën”. “Zajednica është kancer për Kosovën”. “Zajednica është kundër Kosovës, s’duam të përseritet skenari i Bosnjës”.

Duke pasur parasysh të gjitha këto deklarime, Kurti tani ka ndryshuar rrugë. Ai është vetëofruar të shkruajë një Statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Rrota historike e politikanit Albin Kurti është rrotulluar në mënyrë të pabesueshme. Kundërshtari më i madh i Zajednicës për një dekadë tashmë ka marrë kthesë të fuqishme për themelimin, promovimin dhe mbrojtjen e Zajednicës së serbëve të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka lënë në “harresë” të gjithë opozitarizmin e tij të dhunshëm kundër idesë së formimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ai i ka hedhur pas shpine edhe përpjekjet e mijëra aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që i besuan kauzës së tij, e cila nuk ishte asgjë tjetër veç një gënjeshtër e madhe për t’i sulmuar kundërshtarët politikë dhe për ta fituar pushtetin.

Exit mobile version