Epilogu

Nexhat Kryeziu i VV-së kishte rënë në përgjime, tani pretendent për Guvernator të BQK-së

Nexhat Kryeziu i njohur për aferën e tij korruptive ishte zgjedhur anëtar jo ekzekutiv i Bordit të BQK-së. Tani ai është pretendent për Guvernator të Bankës Qendrore.

Po ju sjellim hulumtimin dhe përgjimin e aferës së tij të vitit 2018: Dy anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, janë përfshirë në një aferë pazaresh me pronën komunale në stilin e Adem Grabovcit.

Drejtori i Ndërmarrjes Banesore në Prishtinë, Nexhat Kryeziu dhe kryesuesi i Bordit të kësaj ndërmarrjeje, Liridon Latifi kanë vendosur që ta anulojnë një konkurs për dhënien me qira të lokaleve afër Katedralës në Prishtinë për shkak se, dy të preferuar të tyre nuk kanë arritur të përfitojnë në konkurs.

Insajderi ka siguruar një audioincizim në të cilin dëgjohen duke folur Kryeziu e Latifi. Incizimi është bërë në janar të këtij viti në zyrën e Kryeziut në Prishtinë. Pak javë pas kësaj bisede është anuluar konkursi.

Në bisedë më shumë flet Liridon Latifi, i cili aso kohe ishte anëtarë i Bordit. Ai, i bënë kërkesa dhe i jep sugjerime Kryeziut se si duhet të veprohet. Thotë se duhet t’i bëhet e qartë edhe Shpend Ahmetit, me këtë veprim.
Njerëzit e tyre sipas audioincizimit janë një person i quajtur Ertan dhe një person që i referohen si Polloshka. Ata, nuk kishin arritur të marrin pikë të mjaftueshme në konkurs.

Liridon Latifi, thotë se konkursi duhet të rrëzohet dhe t’u rriten pikët këtyre dy aplikuesve që përmenden si financues dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje.

Të dy protagonistët e kësaj afere me elemente të shpërdorimit të detyrës zyrtare janë anëtarë të VV-së. Kryeziu ka qenë kandidat për deputet i kësaj partie në zgjedhjet e fundit. Kryeziu, e Latifi ishin zgjedhur në krye të ndërmarrjes me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Pas ndarjes së subjektit, ata vazhdojnë të jenë në Vetëvendosje e jo me krahun e Shpend Ahmetit.

Të dy këto subjekte politike tashmë kanë hyrë në një luftë akuzash e sulmesh kundër njëra-tjetrës.

Njoftimi për anulimin e konkursit për këto lokale është bërë në shkurt të këtij viti. Është publik në faqen zyrtare të Ndërmarrjes Banesore.

Në këtë njoftim thuhet se anulimi i konkursit ka ndodhur për shkak të parregullsive.

“Për shqyrtimin e aplikacioneve NPB ka formuar një komision gjithëpërfshirës. Në të bënin pjesë tre profesionistë të NPB-së dhe dy ekspertë të jashtëm. Komisioni në bazë të detyrave të përcaktuara, ka vlerësuar, shqyrtuar dhe listuar të gjitha aplikacionet dhe në fund ka hartuar një raport i cili i është dorëzuar Bordit të Drejtorëve”, thuhet në njoftim.

“Mirëpo për shkak të problemeve të gjetura gjatë aplikimit si: caktimi i numrit të lokalit në vend të numrit të lotit ( grup i lokalëve), aplikimi nga biznese inekzistente, çmimeve shumë të larta të ofruara dhe pa mbështetje financiare dhe çështje të tjera të ngjashme, Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e 37-të mbajtur më 9 shkurt 2018, ka vendosur të anulojë konkursin. Po ashtu ky vendim është marrë edhe pas sugjerimeve dhe konsultimeve me palët tjera me interes”, thuhet në njoftim.

Në bisedën e incizuar, Nexhat Kryeziu e pyet Liridon Latifin se a “të ka ec ndonjë”. Latifi ankohet për dy të preferuarit e tij.

“Jo që s’më kanë ec mu, po kqyre… (s’kuptohet), Polloshka është aktivistë edhe firma e tij ku punon, përnime na ka ndihmu, le ta din me Shpend, le ta dinë me krejt, qyky me lodra, qyky duhet me ec”, thotë kryetari i Bordit të Ndërmarrjes.

Latifi, thotë se nëse nuk ec Polloshka, atëherë është i pajtimit që të rrëzohet i gjithë konkursi dhe të rishpallet tjetri. Ai, përmend edhe personin e quajtur Ertan. Këta dy njerëz sipas tij ju kanë ndihmuar, dhe për këtë arsye duht shpërblyer.

“Nëse nuk ec qyky, unë jam për me rrëzu krejt o burrë edhe nëse nuk ec Ertani, dy njerëz o burrë që të ndihmojnë edhe që i ki tut, mos me mujt ti mi shti, a din është tmerr. Unë po thom nëse, nëse muni me fol me atë çikën qita dy mi ec përpara, me ia shtu pikët dikund, në Plan Biznesi diku dikund, mirë, nëse jo, definitivisht nuk…, masanej nuk ka kuptim kjo farë pune”, thotë Latifi.

https://video.gjirafa.com/biseda-e-incizuar-ne-stilin-e-adem-grabovcit-te-dy-zyrtareve-te-vetevendosjes VIDEO

Latifi e pyet Kryeziun nëse mund të flasë me një person brenda ndërmarrjes që i referohen si Çikë.

“Unë me fol po, veç s’di a muj me ja ndryshu mendjen”, përgjigjet Kryeziu.

Liridon Latifi, nga ana tjetër nxit Kryeziun që të paktën njërin ta shtyjë përpara sepse sipas tij “nuk ka kuptim”.

“Po, po veç ngom tash ok, pe zomë që nuk shkon qashtu qysh po thu ti, është një opsion, opsioni tjetër cili është “, pyet Kryeziu.

“Opsioni tjetër, nëse s’bohet unë jom definitivisht për me rrëzu. Komplet jom për me rrëzu, a pe din”, përgjigjet Latifi.

Ai insiston që Kryeziu ta thërras në takim atë Çikën dhe të flasë me të.

“Qyre ky Ertani është, e kemi njëfarë sugjerimi për të… Erifi ka çel fabrikë edhe i vyn një lokal që shihet malli i tij, që e prodhon, Shoëroom kështu, a po më kupton? Që është në vend të mirë, domethanë ku ka qëllim me punësu njerëz edhe u kry. E ky i lodrave, na vyn një me lodra me kanë aty për fëmijë, e sene anena nena. Është atraktiv vend në qytet, sene, anena, knena edhe m’i thanë qita dy me mujt me i favorizu”, insiston Latifi.

Sipas kësaj marrëveshje paraprake, konkursi është anuluar.

Insajderi ka biseduar me dy protagonistët e kësaj bisede. Të dy e kanë konfirmuar takimin dhe bisedën. Janë ankuar se këtë po ua bëjnë grupi i Shpend Ahmetit, për shkak se siç kanë thënë punëve të mira që kanë bërë dhe po bëjnë në ndërmarrje.

Të dyve u është ofruar biseda për ta dëgjuar. Kanë premtuar përgjigje, por pak para orarit zyrtar kanë thënë se do të përgjigjen një ditë më vonë. /Insajderi.com

Exit mobile version