Ekskluzive: 50.9 milionë euro kushtoi rryma për banorët e veriut vetëm për 10 muaj të këtij viti
Përtej barrikadave serbe që kanë bllokuar disa rrugë në veri, ekziston edhe një ‘barrikadë’ tjetër edhe më e rëndësishme që ka kushtuar 50 milionë euro vetëm për tetë muaj.
Në muajin qershor, kryenegociatori Besnik Bislimi do të kthehej nga Brukseli me një lajm të mirë. Kishte nënshkruar me palën serbe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë (2013 dhe 2015). Aty parashihej – mes tjerash – që serbët në komunat veriore t’i paguanin më në fund faturat e rrymës.
Aq të rëndësishme ishin këto fatura, sa pushteti i ri do të tregohej i shkujdesshëm për një mori çështjesh në atë Udhërrëfyes. Ishte licencuar për operim hiç më pak se një kompani e kontrolluar nga Beogradi, si Elektrosever. Po kërkohej zbatimi i marrëveshjeve që ishin kritikuar nga Vetëvendosje zëshëm më parë. Ndërkohë, kryenegociatori Bislimi nuk kishte haber se si mbetej puna me shqiptarët e komunave veriore. “Unë jam politikan, me këto çështje merren ekspertët!” – shfajësohej Bislimi.
Por, faturat e serbëve të veriut ishin shumë të rënda. Nacionale ka siguruar një dokument në të cilën tregohet se sa të rënda janë këto fatura – sidomos tash.
Milionat e harxhuara
Në bazë të këtij dokumenti që e kanë parë edhe funksionarë të lartë shtetërorë, shifrat e mbulimit të shpenzimeve nga KOSTT janë marramendëse.
Përgjatë vitit 2021, kostoja në euro me TVSh (tatim mbi vlerën e shtuar) për konsumatorët e pjesës veriore të Kosovës ka qenë 33 milionë e 409 mijë euro. Ndërkohë që vetëm prej janarit e deri në tetor – duket se edhe për shkak të krizës botërore me energjinë – është tejkaluar kjo kosto.
Sipas të dhënave të mëposhtme, 50 milionë e 974 mijë ishte kostoja vetëm për dhjetë muaj. Kjo nënkupton se ekziston mundësia që viti 2022 të ketë kushtuar dyfish më shtrenjtë për pjesën veriore se viti 2021.