Agim Bahtiri thotë se është larguar nga partia e Behgjet Pacollit. Këtë kryetari i Mitrovicës e ka konfirmuar në një prononcim sot gjatës ditës kur Gazeta Express e ka thirrur për ta pyetur rreth qëndrimit për koalicionin parazgjedhor AAK – AKR. Gazeta Express ka mësuar nga burimet se Haradinaj është marrë vesh me Behgjet Pacollin që të garojnë bashkë. Bahtiri duket se është kundër kësaj, pasi, siç dihet, ai favorizon bashkëpunimin me Vetëvendosjen.
Sot, nënkryetari i AKR-së, Fatmir Matoshi, deklaroi se partia që ai i takon është e gatshme të hyjë e vetme në zgjedhje.
Ministri në detyrë i Mjedisit tha se AKR-ja preferon koalicione pas zgjedhjeve dhe se nuk ka vija të kuqe me asnjë parti.
Gazeta Express ka kontaktuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, lidhur me qëndrimin e AKR-së për koalicionet para apo paszgjedhore.
Express ka pyetur të parin e Mitrovicës se a do ta mbështesë një koalicion të mundshëm me AAK-në, por ai ka thënë se për këtë çështje të kontaktohen organet e AKR-së.
“Unë nuk merrem më me AKR-në, pyetni organet e AKR-së, jo mua”.
I pyetur se për çfarë arsye nuk pranon të deklarohet, Bahtiri ka thënë se më nuk është pjesë e partisë së Behgjet Pacollit.
“Unë nuk jam më me AKR-në, nuk jam më në partinë e Behgjet Pacollit”, është përgjigjur Bahtiri.