Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës kanë arrestuar sot dy familjarë të Fikrim Damkës, ministrit të Zhvillimit Rajonal.
Gazeta Insajderi zbulon se personat e arrestuar janë Anil dhe Sefçet Damka, të dyshuar për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Me vendim të prokurorit i dyshuari Anil Damka është dërguar ne Qendrën e Mbajtjes, ndërsa i dyshuari Sefçet Damka me rekomandim të mjekëve dhe në konsultim me Prokurorin e rastit për shkaqe shëndetësorë dërgohet për trajtim në përkujdesje mjekësore në sigurim të Policisë.
Sipas policisë gjatë vitit 2021 pronari dhe i autorizuari i një biznesi kanë përfituar tender nga Institucionet e Republikës së Kosovës pa i plotësuar kriteret.
“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, njofton Policia, transmeton Gazeta Insajderi.
Gazeta Insajderi zbulon se Anil Damka, përmes kompanisë së tij MEB L.L.C., së fundmi ka fituar dy tenderë nga qeveria e Albin Kurtit.
Më 28 prill, Damka e ka fituar një tender prej mbi 30 mijë eurove, për sigurimin fizik të objektit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Pak ditë më pas, më 4 maj, po MEB L.L.C. e ka fituar edhe një tender tjetër nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objektit në shfrytëzim të dikasterit të Hekuran Muratit, i cili gjendet në rrugën “Tring Smajli”, në Prishtinë.
Vlera e kësaj kontrate kap shifrën e mbi 12 mijë eurove, zbulon Insajderi.
Gazeta deri në këto momente nuk ka mundur të flasë me familjen Damka, lidhur me rastin në fjalë. /Gazeta Insajderi/